3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë, deklaratat e krerëve të shtetit dhe reagimi i njohësve të sigurisë

Më të lexuarat

Të enjten dhe të premten qëndroi për vizitë në vendin tonë shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns.

Burns të enjten ka takuar presidenten e shtetit Vjosa Osmani dhe shefin e AKI-së, Petrit Ajeti, gjersa të premten takoi kryeministrin Albin Kurti.

Pas takimit me shefin e CIA-s, e para e shtetit ka shkruar për takimin me Burns.

Ajo në një postim të shkurtër në Facebook thekson se aleanca me Shtetet e Bashkuara është garanci për siguri, paqe e sukses.

“Kënaqësi që mirëprita dje në Republikën e Kosovës Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), Ambasadorin William Burns. Aleanca me Shtetet e Bashkuara është garancë për siguri, paqe e sukses”, shkruan ajo.

E pas takimit të Kurtit me shefin e CIA-s, të premten komunikatë për media ka lëshuar edhe Qeveria e Kosovës, e më pas ka shkruar edhe vetë kryeministri Kurti.

Në një postim në Facebook, nga Qeveria e Kosovës thuhet se vizita historike e Drejtorit të CIA-s, William Burns, në Kosovë, vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Drejtorin e CIA-s, William Burns. Kjo vizitë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – ShBA, ku u theksua përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n.

Vizita historike e Drejtorit të CIA-s, z. William Burns, në Kosovë, vlerësohet lartë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Kurti thekson se marrëdhëniet e fuqishme bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duan t’i forcojmë e zgjerojnë edhe më tej.

“Vizita e Drejtorit të CIA-s, diplomatit briliant William Burns, ishte një mundësi fort e mirë për të biseduar një gamë të gjerë temash dhe për të thelluar e avancuar bashkëpunimin tonë strategjik, në shërbim të paqes demokratike dhe sigurisë euro-atlantike në rajon e më gjerë.

Shpreha edhe përkushtimin e pareshtur drejt vlerave e parimeve të përbashkëta që ndërlidhen me lirinë dhe demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit, si dhe orientimet e palëkundura drejt anëtarësimit në NATO dhe BE. E falënderoj Drejtorin e CIA-s, William Burns, për mbështetjen e vazhdueshme dhe këtë vizitë historike në vendin tonë”, shkruan ai.

E pas vizitës së shefit të CIA-s në Kosovë, ka reaguar edhe eksperti i sigurisë, Agim Musliu.

Ai ka thënë se Kosova është aleat i palëkundur i SHBA-së, e AKI aleat i palëkundur i CIA-s.

“Përmbyllja e vizitës së drejtorit të CIA-s në rajon me vizitën në Kosovë, tregon qartë se Kosova është partnere e pazëvendësueshme e SHBA jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë! William Burns, si kreu i agjencisë më të fuqishme në botë, përveç se mbylli vizitën në rajon me Kosovën, mbajti takime gjatë dy ditëve!

SHBA ka ndihmuar shumë institucione të Kosovës që të rriten, por CIA pothuajse ‘ka rritur me duart e veta’ AKI-në!”, shkruan Musliu.

Ai tutje shkruan se përveç AKI-së, i gjithë komuniteti i inteligjencës së Kosovës, edhe Policia e edhe FSK, ka marrë praktikat më të mira në luftën e përditshme me sfidat.

“Sfidat e dy dekadave të fundit kanë qenë të përbashkëta me gjithë Perëndimin! Fillimisht me organizatat terroriste të Lindjes së Mesme, e tash e një dekadë – e keqja e madhe e botës moderne Vladimir Putini dhe aleatët e tij. Kosova është aleat i palëkundur i SHBA. AKI aleat i palëkundur i CIA-s. Së bashku, do të tejkalohen të gjitha sfidat!”, shkruan Musliu. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit