2 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Vitia: Komiteti koordinues antiCOVID u formua në bazë të Ligjit, u bëj thirrje kryetarëve të komunave të mos e bojkotojnë Qeverinë

Më të lexuarat

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19 në vend, ku nuk u përfshinë kryetarët e komunave.

Pas reagimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës në lidhje me këtë mos-përfshirje, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se komiteti është formuar në bazë të Ligjit anti-COVID dhe me të gjitha institucionet që parashihen me ligj.

“Sa i përket takimit për Komitetin, ne të dielën kemi pasur takimin e Këshillit të Sigurisë, ku pas këtij takimi kemi marr hapa konkret, njëri nga ta ka qenë të themelohet Komiteti për Koordinimin e Vlerësimin për situatën antiCOVID. Në vitin e kaluar e kam krijuar unë sa kam qenë ministër, edhe nga Qeveria e kaluar, por është bërë në të dy rastet pa bazë në ligj pasi nuk e kemi pasur ligjin anti-COVID. Në këtë drejtim ky komitet është i bazuar në këtë ligj dhe me të gjitha institucionet që parashihen me ligj. Vendimi është marr të dielën, ne e kemi formuar menjëherë, në mënyrë që fronti jonë, lufta jonë të jetë sa më i përbashkët”, theksoi Vitia.

Ai u ka bërë thirrje kryetarëve të komunave të Kosovës, të mos e bojkotojnë Qeverinë dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Vitia ka thënë se nuk është koha për ndasi dhe se do të bëjnë më të mirën për të përfshirë të gjithë.

“Kryetarët e komunave kanë pasur rol krucial, janë përballur në terren me shumë sfida, në secilin prej takimeve ata janë ftuar dhe janë marrë parasysh kërkesat, ankesat e tyre e janë marrë shumë seriozisht. Ju bëj thirrje kryetarëve të komunave që të mos e bojkotojnë Qeverinë dhe kryeministrin Kurti. Është koha kur duhet të jemi bashkë, nuk është koha e ndasive do të bëjmë më të mirën që të përfshihen të gjithë”, tha Vitia.

Ndryshe, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19 në vend.

Por në përbërjen që ka përcaktuar Qeveria, nuk janë futur edhe kryetarët e komunave të Kosovës.

Sipas Qeverisë, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë do të caktojë sekretariatin e komitetit, ndërsa ky komitet obligon komunat që të themelojnë nën komitete komunale me qëllim të parandalimit dhe luftimit të pandemisë. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit