8.1 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Viti që vulosi fatin e Rusisë

Më të lexuarat

Ushtria e Kuqe në Sheshin e Kuq në nëntor të vitit 1922, pak kohë pasi shteti shënoi pesëvjetorin e marrjes së pushtetit nga bolshevikët. 

Rusia hyri në vitin 1922 me një qeveri të brishtë që sundonte kryesisht përmes ushtrisë, në kohën kur lufta civile po vazhdonte dhe uria po përhapej në rajonin e Vollgës. Pjesë të vendit ishin ende të pushtuara nga forcat e huaja dhe shteti ishte i izoluar ndërkombëtarisht.

Por, në fund të atij viti, bolshevikët kishin shënuar përvjetorin e pestë të grushtshtetit të vitit 1917, të njohur si Revolucioni i Tetorit, kishin përfunduar luftën civile kundër të ashtuquajturave forcave të bardha monarkiste dhe kapitaliste, kishin dëbuar gjerësisht trupat e huaja nga vendi dhe kishin nënshkruar traktatin e parë ndërkombëtar në kohë paqeje – me Gjermaninë e Vajmarit. Dhe më 30 dhjetor të vitit 1922, përfaqësuesit e qeverive sovjetike të Rusisë, Ukrainës, Bjellorusisë dhe Republikës Transkaukaziane dolën në skenën e Teatrit Bolshoi të Moskës për të shpallur formimin e një shteti të ri –që brenda më pak se dy brezave do të bëhej një superfuqi botërore – Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike.

Por, shikuar nga perspektiva e një shekulli më pas, viti 1922 shfaqet si një vit fatal për qytetarët e Rusisë dhe fqinjët e saj, vit në të cilin vendi me vendosmëri u shkëput nga e kaluara e tij. Sa i përket politikës, marrëdhënieve të jashtme dhe kulturës, ngjarjet që ndodhën dhe vendimet që u morën hodhën themelet e dekadave të shtypjes së institucionalizuar totalitare.

Ky vit do të ketë shumë përvjetor ku presidenti rus, Vladimir Putin, dhe të tjerë do të argumentojnë se rënia e Bashkimit Sovjetik ishte një “katastrofë gjeopolitike” dhe do të preferonin që të mos e kujtojnë këtë ngjarje.

Ngritja e një ‘sociopati’

“Ky është viti i parë që ne kemi pasur mundësinë që t’ia kushtojmë përpjekjet tona detyrave reale, kryesore dhe themelore të ndërtimit socialist”, deklaroi udhëheqësi revolucionar dhe themeluesi sovjetik, Vladimir Lenin në seancën përmbyllëse të Kongresit të 11-të të partisë bolshevike në Moskë më 2 prill 1922. Në këtë fjalim ai ishte fokusuar në planet e tij mbi ekonominë.

“Gjatë vitit të kaluar ne kemi treguar shumë qartë se nuk mund ta drejtojmë ekonominë”, pranoi Lenini. “Ose do të provojmë të kundërtën vitin e ardhshëm ose pushteti sovjetik nuk do të mund të ekzistojë”.

Por, në retrospektivë, vendimi më i keq i këtij kongresi ishte emërimi i një sekretari të ri të përgjithshëm të partisë: Josef Stalin, 43-vjeçar, një student i shndërruar në revolucionar.

Trupat e Ushtrisë së Kuqe duke kaluar pranë Kremlinit në Sheshin e Kuq më 7 nëntor 1922, teksa bolshevikët shënuan pesëvjetorin e marrjes së pushtetit.
Trupat e Ushtrisë së Kuqe duke kaluar pranë Kremlinit në Sheshin e Kuq më 7 nëntor 1922, teksa bolshevikët shënuan pesëvjetorin e marrjes së pushtetit.

“Ky ishte një prej momenteve më të rëndësishme të revolucionit rus, dhe edhe të shekullit 20-të”, shkroi historiani kulturor anglez, Kevin Jackson në librin e tij të vitit 2012 “Konstelacioni i gjeniut: 1922, Modernizimi, Viti i Parë”. Edhe pse posti që iu dha Stalinit ishte larg pushtetit të plotë që ai do të fitonte në vitet në vijim, megjithatë e vuri në pozitë të kontrollit të burokracisë, që do ta dominonte gjithnjë e më shumë shtetin.

Vendimi për ta emëruar Stalinin në postin e sekretarit të përgjithshëm ishte një vendim për të cilin Lenini u pendua – edhe pse ai vdiq më pak se dy vjet pas kësaj ngjarjeje.

Josef Stalini më 1920, kur ai ishte komandant politik në luftën civile. Dy vjet më vonë ai do të emërohej sekretar i përgjithshëm i partisë bolshevike.
Josef Stalini më 1920, kur ai ishte komandant politik në luftën civile. Dy vjet më vonë ai do të emërohej sekretar i përgjithshëm i partisë bolshevike.

Gjendja shëndetësore e Leninit më 1921 nuk ishte e mirë. Në maj të vitit 1922 ai pësoi një sulm dhe një tjetër në dhjetor. Atë muaj, Stalini mori kontrollin e kujdesit ndaj Leninit dhe se kush kishte qasje tek ai. Në javët e fundit të vitit 1922 dhe në ditët e para të vitit pasues, Lenini diktoi testamentin përfundimtar, ku u bëri thirrje shokëve të tij që të “mendonin për një mënyrë për ta hequr Stalinin” nga posti i tij.

Thirrja për largimin e Stalinit nuk ishte i vetmi propozim konkret në testamentin e Leninit.

“Kjo rrethanë mund të duket si një detaj i papërfillshëm… por, është një detaj që mund të ketë një rëndësi vendimtare”, shkroi ai.

“Stalini ishte sociopat”, tha historiani në Universitetin Princeton, njëherësh biograf i Stalinit, Stephen Kotkin.

“Ai nuk shfaqi as edhe dhembshurinë më të vogël apo dyshime për politikën e tij”, deklaroi Kotkin gjatë një interviste dhënë për Radion Evropa e Lirë më 2017.

“Më shumë terror” i organizuar”

Më 2 shkurt 1922, Komisioni famëkeq i Jashtëzakonshëm rus, i njohur me shkurtesën ChK ose Cheka u shndërrua në Drejtorinë Publike Shtetërore (GPU) nën udhëheqjen e Komisariatit Popullor të Punëve të Brendshme (NKVD).

Nën udhëheqjen e pamëshirshme të Feliks Dzerzhinsky, policia sekrete Cheka kishte zbatuar politikën e Leninit të njohur si Terrori i Kuq, që ishte shpallur në gusht të vitit 1918.

“Ne nuk po luftojmë kundër individëve të vetëm”, shkroi në nëntor të vitit 1918 revolucionari bolshevik dhe oficeri i Cheka-s, Martin Latis në një publikim në revistën “Terrori i Kuq”. “Ne po e shfarosim borgjezinë si klasë… Ky është thelbi i Terrorit të Kuq”, kishte shkruar ai.

Viktimat e politikës së Terrorit të Kuq të bolshevikëve në rajonin e Krimesë të Detit të Zi më 1918.
Viktimat e politikës së Terrorit të Kuq të bolshevikëve në rajonin e Krimesë të Detit të Zi më 1918.

Me sa duket, lëvizja për transformimin e Cheka-s në GPU ishte pjesë e një përpjekjeje të përgjithshme për të krijuar institucione stabile dhe kontroll politik mbi agjencitë qeveritare. Tashmë, megjithatë, ankesat për burokracinë që po lulëzonte po bëheshin aq të dukshme saqë u krijua një zhanër i tërë satirik sovjetik, duke filluar me poezinë e vitit 1922 të Vladimir Mayakovsky, e titulluar “Konferenca e Çmendur” (Prozasedavshikhsya).

Riorganizimi i Cheka-s do të mund të kishte frenuar Terrorin e Kuq. Megjithatë, në vend të kësaj institucionalizoi praktikat më të frikshme, duke përfshirë targetimin e kundërshtarëve politikë.

Vladimir Lenini në rezidencën e tij në Gorki, në periferi të Moskës, në verën e vitit 1923. Kjo fotografi është realizuar rreth gjashtë muaj para se ai të vdiste.
Vladimir Lenini në rezidencën e tij në Gorki, në periferi të Moskës, në verën e vitit 1923. Kjo fotografi është realizuar rreth gjashtë muaj para se ai të vdiste.

“ChK u transformua në GPU dhe e vendosi atë në njëfarë shkalle të kontrollit politik, duke nënkuptuar reduktim të terrorit”, tha historiani Boris Kolonsky për Radion Evropa e Lirë më 2021. “Në anën tjetër, terrori u bë i organizuar”.

“Më 1922, ata mbajtën gjykimin e revolucionarëve socialistë”, tha Kolonsky, duke iu referuar rivalëve kryesorë politikë të mbetur të bolshevikëve. “Dhe një prej kufizimeve më të ashpra ishte kufizimi i diskutimit të lirë dhe fraksionizmit brenda vetë partisë bolshevike”.

Ndërsa u zbeh kërcënimi nga ushtritë e bardha në luftën civile, kjo strukturë e re iu nënshtrua ndryshimeve. Reforma nënkuptonte që autoriteti i Cheka-s për të kryer ekzekutime pa gjyq u hoq përkohësisht, por GPU shumë shpejt zgjeroi praktikën e dërgimit të “armiqve” politikë dhe ekonomikë në ekzil në Siberi dhe në veriun e largët.

Kampi i parë gulag u hap në ishujt Soolovetsky më 1923. Një vit më vonë, agjentët e GPU-së u autorizuar edhe një herë që të kryenin ekzekutime “nën rrethana të caktuara”.

“Ndihmë bujare… fatkeqësi e tmerrshme”

Ngjarja më e tmerrshme në Rusi dhe në botë më 1922 ishte uria në rajonin e Vollgës. Vlerësohet se të paktën pesë milionë persona vdiqën, që ishte katastrofa më e madhe e shkaktuar në Evropë që prej Mesjetës, që nuk ishte shkaktuar nga ndërhyrja ushtarake.

“Më 1921-22 ne pamë uri masive dhe numër të madh të viktimave”, tha për REL-in historiani, Viktor Kondrashin.

Fëmijtë në rajonin Samara, gjatë urisë së vitit 1921-22.
Fëmijtë në rajonin Samara, gjatë urisë së vitit 1921-22.

Uria u shkaktua nga një sërë ngjarjesh, fillimisht nga thatësia e madhe që goditi shtetin e varfëruar nga Lufta e Parë Botërore dhe nga lufta civile. Përveç kësaj, bolshevikët – të privuar nga ushtritë e bardha që të kishin qasje në rajonet ku prodhohej ushqimi – kishin kërkesa çnjerëzore për këtë rajon.

Kondarshin tha se janë dokumentuar ngjarje të tmerrshme, përfshirë “kanibalizmin, varrezat masive dhe vetëvrasja e familjeve të tëra, për shkak të urisë”.

Më 1918, Lenini dërgoi Stalinin në qytetin Tsaritsyn – që më vonë u quajt Stalingrad dhe tani njihet me emrin Volgograd – për të kërkuar ushqim. Urdhri i tij ishte: “Ji i pamëshirshëm”.

“Ne nuk do të kemi mëshirë për askënd”, ishte përgjigjur Stalini.

Në korrik të vitit 1921, shkrimtari Makism Gorky lëshoi një apel “për të gjithë njerëzit e ndershëm” duke kërkuar ndihmë për urinë. Ky apel arriti në tavolinën e Sekretarit amerikan të Tregtisë, Herbert Hoover i cili ia ktheu letrën duke i thënë se ishte i gatshëm të krijonte programin e Administratës amerikane të Ndihmës (ARA) në Rusi, nëse Qeveria sovjetike zyrtarisht do të kërkonte një gjë të tillë dhe të kuptonte se kjo ndihmë nuk do të nënkuptonte se SHBA-ja po e njihte Qeverinë sovjetike.

Fëmijët duke u ushqyer në një sallë ngrënieje në Pokrovsk (tani njihet me emrin Engels) në rajonin Samara.
Fëmijët duke u ushqyer në një sallë ngrënieje në Pokrovsk (tani njihet me emrin Engels) në rajonin Samara.

Kjo ofertë ishte mjaft kundërthënëse në SHBA, ku shumë argumentuan se uria mund t’i jepte fund bolshevizmit në Rusi. Megjithatë, sekretari Hoover insistoi se “ne duhet të bëjmë ndarjen mes popullit rus dhe një grupi të njerëzve që kanë marrë udhëheqjen e Qeverisë”.

Shumë persona në Qeverinë sovjetike, veçanërisht Leon Trotsky, kundërshtuan planin, duke argumentuar se kjo do të bënte që bizneset dhe bankat amerikane të vinin në Rusi. Megjithatë, sovjetikët pranuan menjëherë kushtet e Hoover. Në gusht të vitit 1921 u nënshkrua një marrëveshje dhe Kongresi amerikan alokoi 20 milionë dollarë për programin. Duke përfshirë edhe 18 milionë dollarë nga Qeveria ruse dhe nga donacionet private, Hoover mblodhi 78 milionë dollarë për këtë kauzë.

Personat e prekur nga uria përkulen para një zyrtari amerikan që solli ndihmë më 1922 në Samara.
Personat e prekur nga uria përkulen para një zyrtari amerikan që solli ndihmë më 1922 në Samara.

Më 1922, përmes programit ARA çdo ditë ushqeheshin 10 milionë persona, duke sjell të paktën 768 milionë tonë ushqim. Po ashtu u punësuan 125,000 rusë. ARA po ashtu ofroi rroba e ilaçe. Ky program ndihmoi 16,000 spitale, që trajtonin gjysmë milioni njerëz në baza ditore. Programi parandaloi shpërthimin e kolerës në këtë rajon. Po ashtu kontribuoi në rritjen e eksporteve të ushqimit, që solli përfitim për Qeverinë sovjetike më 1922 dhe 1923.

“Qeveria e popullit rus nuk do ta harrojë kurrë këtë ndihmë bujare që u ofrua në këtë kohë të tmerrshme”, kishte thënë Lev Kamenev, zëvendësdrejtor i përpjekjeve për lehtësimin e urisë në Rusi. Këto komente ai i kishte bërë në një letër drejtuar përfaqësuesit të programit ARA, William Haskell.

Në shkurtin e vitit 1923, ARA vlerësoi se edhe tetë milionë rusë kishin nevojë për ndihmë për shkak të urisë dhe Qeveria sovjetike njoftoi se do të riniste eksportet e drithit. Por, mbështetja perëndimore për programin ARA nisi të zbehet në mars, kur Qeveria sovjetike gjykoi dhjetëra klerikë ortodoksë rusë, përfshirë edhe priftin Konstantin Budkevich, për organizimin e protestave paqësore kundër sekuestrimin e pronës së kishës nga shteti. Të gjithë të pandehurit u dënuan me burgime të gjata, përveç Budkevich, që u ekzekutua dhe u varros në një varrezë masive.

Një familje e prekur nga uria në fshatin Asekeyevo, në Tatarstanin e sotëm, më 1921.
Një familje e prekur nga uria në fshatin Asekeyevo, në Tatarstanin e sotëm, më 1921.

ARA vendosi që të përfundonte misionin në Rusi. “Hoover tha se kurrë nuk kishte qenë më i lumtur sesa të përfundonte këtë punë ruse”, kishte thënë një zyrtar amerikan. “Ai ishte i neveritur me bolshevikët dhe nuk besonte se nën udhëheqjen e tyre do të mund të krijohej ndonjë qeveri praktike”.

Nën udhëheqjen e Stalinit në vitet 1930 historia e ARA kishte filluar të shtrembërohej. Rusët që kishin marrë pjesë në këtë projekt u persekutuan në vitet ’50. ARA ishte “ishte një aparat spiunimi në Rusinë sovjetike dhe mbështeste elementet kundër-revolucionare”, thuhej në Enciklopedinë Sovjetike të vitit 1950. Ndërkaq, në një libër shkollor të vitit 1962 ishte shkruar se qëllimi i këtij projekti ishte “të organizonte në mënyrë të fshehur forcat kryengritëse”, duke shtuar se këto kërcënime u eliminuan nga GPU.

Por, Douglas Smith, autor i një libri që flet se si SHBA-ja e shpëtoi Bashkimin Sovjetik, tha se ndihma e ARA ishte e krahasueshme me ndihmën që Evropa dhe SHBA-ja dhanë për ish-shtetet sovjetike pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Ai tha se në periudhën 1992-2007, SHBA-ja ofroi 28 miliardë dollarë ndihmë për ish-shtetet e Bashkimit Sovjetik.

“Më 1999 vetëm Rusia kërkoi pesë milionë tonë ushqim ndihmë nga SHBA-ja, në vlerë prej dy miliardë dollarësh…. Nga 1999 deri në 2000, ndihma e SHBA-së dhe Evropës dhënë Rusisë kaloi ndihmën që i është dhënë të gjithë kontinentit afrikan”, tha ai.

Takimet sekrete

Më 16 prill 1992, Rusi sovjetike theu izolimin ndërkombëtar duke nënshkruar Traktatin e Rapallës me Gjermaninë e Vajmarit. Pas Luftës së Parë Botërore dhe Traktatit të Versajës, të dyja shtetet ishin të izoluara në aspektin diplomatik.

Traktati i Rapallës rivendosi marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve dhe hapi rrugën për rritjen e bashkëpunimit ekonomik. Edhe pse në marrëveshje nuk kishte pika për bashkëpunimin ushtarak, ajo i hapi rrugë rritjes së bashkëpunimit – në kundërshtim me Traktatin e Versajës – që nisi përmes disa takimeve sekrete të bëra në verën e vitit 1922. Gjatë viteve pasuese, Gjermania hapi në Bashkimin Sovjetik shkollë aviacioni, një uzinë për armë kimike dhe një bazë për testimin e tankeve.

“Këto baza ndihmuan në modernizimin e Ushtrisë së Kuqe dhe luajtën rol kyçë në zhvillimin e teknologjike ushtarake që do të ndihmonin në rilindjen e ushtrisë gjermane nën Hitlerin”, shkroi më 2016 analisti Ian Johnson.

Në Gjermani, ky traktat u pa nga disa si kërcënim në rritje “të bolshevizmit hebre” që çoi në rritjen e aktiviteteve nga ekstremi i djathtë. Në qershor, 1922 vetëm dy muaj pas nënshkrimit të traktatit, ministri i Jashtëm gjerman, Walther Rathenau u vra nga në grup terrorist i krahut të djathtë. Në një prej fjalimeve të tij të para në Mynih në gusht të vitit 1922, Adolf Hitler paralajmëroi se “bolshevizmi hebre po afrohej nën mbështetjen e republikës”. Në Itali, lideri fashist Benito Musolini u bë kryeministër në muajin tetor.

S’ka vend për “heretikët, ëndërrimtarët dhe rebelët”

Viti 1922 ishte vit fatal edhe në aspektin kulturor në Rusi. Krahasimi i kulturës ruse më 1920 me 15 vjet më vonë është një ndryshimeve më drastike që kanë ndodhur në një periudhë kaq të shkurtër kohore. Historiania e artit, Camilla Gray, në studimin e saj “Eksperimenti rus në art: 1863-1922”, konsideron se viti 1922 ishte viti i fundit i një prej shpërthimeve më të mëdha kulturore në histori.

Shkrimtari rus, Boris Pilnyak, që së bashku me Maksim Gorkyn, ishte një shkrimtar i famshëm rus në vitet 1920. Ai u ekzekutua pasi u cilësua si "spiun japonez" nga policia sekrete e Stalinit më 1938.
Shkrimtari rus, Boris Pilnyak, që së bashku me Maksim Gorkyn, ishte një shkrimtar i famshëm rus në vitet 1920. Ai u ekzekutua pasi u cilësua si “spiun japonez” nga policia sekrete e Stalinit më 1938.

Më 1922, Boris Pilnyak publikoi “Viti Lakuriq”, që ishte romani i parë i shkruar për puçin e tetorit të vitit 1917. Më 21 prill 1938, ai u dënua për komplot për vrasjen e Stalinit dhe të njëjtën ditë u vra dhe u varros në një varrezë masive në Moskë.

Po ashtu më 1922, Yevgeny Zamyatin mbante lexime private për romanin e tij “Ne” që e kishte shkruar një vit më parë, në të njëjtin vit që kishte shkruar esenë “Nuk jam i frikësuar” ku argumentonte se në shtetin bolshevik nuk kishte vend për “të çmendurit, vetmitarët, heretikët, ëndërrimtarët, rebelët dhe skeptikët”. Ai vdiq në ekzil në Paris më 1937. Romani “Ne” ishte publikuar në Nju Jork në versionin anglisht më 1924 dhe në rusisht u publikua më 1952, por në Bashkimin Sovjetik arriti më 1988, vetëm tri vjet para rënies së shtetit. Kritikja e artit, Mirra Ginsburg ka shkruar se “si [Mikhail] Bulgakov dhe [Isaak] Babel, Zamyatin na jep detaje lidhur me letërsinë post-revolucion në Rusi, se si mund të dukej ajo po të kishte pavarësi, guxim dhe individualitet dhe po mos të shtypej dhunshëm nga diktatura”.

Yevgeny Zamyatin së bashku me gruan e tij, Lyudmila. Ai shkroi në romanin e tij "Ne": "Si mund të ketë një revolucion përfundimtar? Nuk ka një të tillë, revolucionet janë të pafundme".
Yevgeny Zamyatin së bashku me gruan e tij, Lyudmila. Ai shkroi në romanin e tij “Ne”: “Si mund të ketë një revolucion përfundimtar? Nuk ka një të tillë, revolucionet janë të pafundme”.

Bolshevikët, pasi morën pushtetin, e kthyen vëmendjen te ribërja e shoqërisë. Më 1921, Qeveria ktheu sytë nga Kisha Ortodokse Ruse, duke propozuar konfiskimin e pronës së Kishës, por më 1922 Lenini kishte plane më ambicioze. Në një memorandum më 19 mars të atij viti, Lenini kërkoi një “takim sekret” ndërmjet liderëve politikë, krerëve të GPU-së dhe Komisariatit të Drejtësisë”, për të arritur një zgjidhje, që do të miratohej, dhe zhdukja e plotë e Kishës të bëhej “pa mëshirë” dhe sa më shpejt.

Udhëheqësi bolshevik, Vladimir Lenini kishte pësuar dy sulme më 1922 dhe pratikisht ishte lënë anash në jetën politike të vendit. Ai vdiq më 21 janar 1924.
Udhëheqësi bolshevik, Vladimir Lenini kishte pësuar dy sulme më 1922 dhe pratikisht ishte lënë anash në jetën politike të vendit. Ai vdiq më 21 janar 1924.

“Sa më i madh të jetë numri i klerikëve reaksionarë dhe i borgjezisë reaksionare që do të mund të pushkatojmë, aq më mirë, sepse kësaj ‘audience’ duhet t’i jepet një mësim që të mos guxojnë të mendojnë për çfarëdo rezistence për disa dekada”, kishte shkruar lideri bolshevik.

Historiani Aleksandr Margolis i kishte thënë REL-it më 2016 se fushata kundër Kishës ishte kryer “në mënyrën më barbare”.

“Sigurisht, kleri tentoi që ta ndalonte. Por, përgjigja ishte e qartë: sa më shumë klerikë të varur, aq më mirë”.

Në natën ndërmjet 12 dhe 13 gushtit, bolshevikët vranë klerikët e mitropolitit të Petrograd, Veniamin dhe klerikë të tjerë dhe i varrosën në një varrezë masive. Më 1992, një vit pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Veniamin dhe persona të tjerë që u ekzekutuan me të, u shenjtëruan. Sipas dekretit thuhej se nëse mbetjet e tyre mortore do të gjendeshin, ato do të konsideroheshin si “relikte të shenjta”.

Lenin kishte plane të ngjashme për elitën intelektuale ruse. Fushata kundër intelektualëve kulmoi në shtator-nëntor 1922, kur tri anije u nisën nga Petrograd për në Perëndim. Në bordin e anijeve, agjentët e GPU kishin grumbulluar shumicën prej mendimtarëve më të shquar të vendit, së bashku me familjet e tyre dhe i dërguan në ekzil. Në këto anije, që u quajtën “Anijet e filozofëve”, u dëbuan nga vendi filozofët Nikolai Lossky, Yuly Aikhenvald, Nikolai Berdyayev, Sergei Bulgakov dhe Semyon Frank.

Anija gjermane Oberburgermeister Haken, ishte një prej të ashtuquajturave "Anije të filozofëve". Kjo anije barti intelektualët rusë për në Perëndim më 1922.
Anija gjermane Oberburgermeister Haken, ishte një prej të ashtuquajturave “Anije të filozofëve”. Kjo anije barti intelektualët rusë për në Perëndim më 1922.

Po ashtu u largua edhe Ivan Ilyin, një mendimtar fashist që kishte shkruar artikullin e vitit 1933 të titulluar “Socializmi kombëtar: Shpirti i ri”. Ilyin më 2005 u lavdërua nga Vladimir Putini, i cili është angazhuar personalisht që mbetjet mortore të tij të kthehen në Moskë. Varri i Ilyin u shenjtërua më 2009.

Në maj të vitit 2009, atëherë kryeministri rus, Vladimir Putin vuri kurora lulesh në varin e filozofit fashist, Ivan Ilyin që ishte dëbuar nga Rusia më 1922. Ai u rivarros në Moskë më 2005.
Në maj të vitit 2009, atëherë kryeministri rus, Vladimir Putin vuri kurora lulesh në varin e filozofit fashist, Ivan Ilyin që ishte dëbuar nga Rusia më 1922. Ai u rivarros në Moskë më 2005.

Jo të gjithë 300 intelektualët që u dëbuan më 1922 ishin të famshëm. Në mesin e tyre kishte doktorë, avokatë, mësues, ekonomistë e të tjerë. Filmbërësi rus, Aleksei Denisov, që me dokumentarin e vitit 2002 “Eksodi rus” dokumentoi valën e parë të migrimit, deklaroi më 2012 se vlerësohet se nga viti 1922 deri më 1939, rusët e dëbuar nga vendi publikuan mbi 13,000 punime akademike.

“Fashizmi është një fenomen kompleks, i shumanshëm dhe historikisht larg nga rraskapitja”, shkruante filozofi Ivan Ilyin më 1948. “Ka tipare të shëndetshme dhe të sëmura, të vjetra dhe të reja, konservatore dhe shkatërruese. Kjo është arsyeja pse në vlerësimin e tij, ne duhet të jemi të qetë dhe të drejtë”.
“Fashizmi është një fenomen kompleks, i shumanshëm dhe historikisht larg nga rraskapitja”, shkruante filozofi Ivan Ilyin më 1948. “Ka tipare të shëndetshme dhe të sëmura, të vjetra dhe të reja, konservatore dhe shkatërruese. Kjo është arsyeja pse në vlerësimin e tij, ne duhet të jemi të qetë dhe të drejtë”.

Në maj të vitit 1922, grupi i artistëve nga Moska formuan Shoqatën e Artistëve Revolucionarë të Rusisë (AKhRR). Kjo shoqatë ishte pararendëse e Shoqatës së Artistëve të Bashkimit Sovjetik që u themelua më 1932. Ideologjia e grupit ishte se “përmbajtja didaktike” e veprave të artit ishte shumë më e rëndësishme sesa meritat estetike.

“Arti duhet të jetë i kuptueshëm për masat”, ishte mantra e grupit, siç ishte “realizmi heroik”. Artistët duhet të zgjedhin temat e tyre bazuar në nevojat “e shoqërisë dhe partisë”.

Enciklopedia Sovjetike e vitit 1950 thoshte se grupi “ishte organizata më e përparuar artistike” e kohës dhe se “shënoi fillimin e fitores vendimtare të realizimit në artin sovjetik”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit