5.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Viktima, heroi dhe tradhtia në mes

Më të lexuarat

Nga: ardhmeriaonline

Viktima, heroi dhe tradhtia në mes

Pyetje:”Thuhet se fjalët e ngrohta dhe gjuha e ëmbël janë gjërat që e tërheqin më shumë një femër. Është pikërisht kjo mënyrë komunikimi ajo që më prezantoi me një të tillë, të cilës i pëlqyen perceptimet e mia të gjërave, si dhe shkrimet që i publikoja në internet. Ajo vazhdoi të më shkruajë në email, pasi donte të njihej më shumë me mua. Pasi u prezantuam, filloi të më rrëfehet për problemet, hallet dhe jetën e saj personale. Zoti e di, që unë e lejova këtë lloj komunikimi kaq intim, ngaqë kuptova se ishte viktimë e një ujku me pamje njeriu. Kështu, e konsiderova motër që nuk ma kishte lindur nëna. Kaluan muaj dhe ne vazhdonim të komunikojmë herë nëpërmjet chatt-it dhe herë të tjera me celular. Marrëdhëniet filluan të shkojnë më tej, pasi fillova ta dua dhe të lidhem emocionalisht me të. Zemra ime gjeti një zemër të zbrazur, të cilës iu dorëzua me qëllimin që edhe ajo të ketë një jetë normale, prej të cilës ishte privuar.
Ajo është një zonjë e martuar, burri i të cilës nuk i kushton aspak vëmendje, e trajton keq dhe është gati ta shesë tek një tjetër me çfarëdo çmimi. Kjo, sepse ai nuk e do, ndjenjë kjo e ndërsjellë mes të dyve. Ai i ka dhënë liri të bëjë ç’të dojë me jetën e saj, të jetojë e lirë dhe të lidhet me kë të dojë, pasi ai do e ketë këtë të drejtë, por pa e prishur martesën. Ai ka pranuar se është detyruar nga familjarët e tij për tu martuar me këtë grua, jo se e donte.
Duke dashur të kujdeset për djalin e saj të vogël, kjo zonjë e ka pranuar kriterin e burrit të saj. Ajo tani gjendet mes zjarrit të injorimit të burrit dhe zjarrit të pasionit dhe emocioneve femërore. Këtij zjarri i ka hedhur benzinë lidhja jonë dhe ndjenjat e ndërsjella. Ajo që dua të di,është nëse duhet ta braktis dhe ta lë të jetojë jetën e saj, apo ti vazhdoj marrëdhëniet me të? Aq më tepër që i shoqi i saj nuk kujdeset aspak për të, sikur të mos ekzistonte fare. Nëse unë e braktis, frikësohem se mos bie pre e ndonjë njeriu të pashpirt i cili do e shfrytëzojë.”
Specialist: Fejruz Umer
Përgjigje:”A e di vëlla i nderuar se kur do të bëhet jeta jonë mbi planetin tokë më e mirë? Jeta do të bëhet më e mirë, kur secili prej nesh të shohë punën e tij, kur secili ti kërkojë llogari vetes për gabimet dhe shkeljet. Kur secili ta pyesë veten: Cilat janë përgjegjësitë e mia?
Problemi yt, duhet parë pikërisht nga ky këndvështrim dhe të njëjtën gjë duhet të bëjë dhe zonja që përmendni në mesazhin tuaj.
Më lejo të filloj me këtë zonjë fillimisht! Ajo duhet ti japë fund delegimit të fajit tek i shoqi i saj. Ajo gjithmonë luan rolin e viktimës, duke ia hedhur fajin vetëm të shoqit, por kurrë nuk e pyet veten: Çfarë duhet të bëj unë? Si duhet të sillem?”
Ajo është martuar me një burrë brinar, i cili nuk do t’ia dijë për nderin e gruas së tij. kështu, kjo zonjë gjendet mes dy alternativave: Të divorcohet prej tij dhe të fillojë një jetë të re dhe të dëlirë me një person tjetër nën hijen e martesës. Nëse nuk gjen dikë për tu martuar, atëherë të jetojë si e divorcuar, siç jetojnë me mijëra gra të tjera të divorcuara dhe të veja, të cilat e ruajnë nderin dhe moralin e tyre. Alternativa e dytë, është që të qëndrojë nën kurorën e këtij burri, të pranojë jetën e qejfit dhe të lidhjeve jashtëmartesore dhe të mos luajë rolin e viktimës e cila është në kërkim të simpatisë, mandej të dashurisë dhe në fund të marrëdhënieve jashtëmartesore me ty apo me dikë tjetër. Cilado qoftë zgjedhja e saj, ajo është e lirë të zgjedhë dhe nuk ka përse ta ngarkojë gjithmonë vetëm të shoqin me përgjegjësi.
Tani dua të merrem pak me ty… Vëlla i nderuar! Ti nuk je përgjegjës për ndjenjat e grave të braktisura. Ti nuk je përgjegjës për tradhtitë bashkëshortore dhe nuk ka përse të zësh vendin e burrave brinarë. Ti je përgjegjës vetëm për veten tënde dhe nderin tënd. Prandaj, mos luaj rolin e viktimës duke thënë se ajo të ka ndjekur dhe ka flirtuar me ty. Ashtu siç nuk ke përse të luash rolin e heroit i cili krijon lidhje jashtëmartesore me një grua të martuar, në emër të dashurisë, përkujdesit dhe aspektit emocional.
Ti ndoshta çuditesh nga mënyra si po të flas lidhur me marrëdhëniet mes jush, marrëdhënie të cilat janë ilegale dhe në një formë apo në një tjetër konsiderohen si tradhti bashkëshortore. Por në fakt, kjo është e vërteta. Marrëdhëniet mes një mashkulli dhe një femre të cilët nuk i lidh asnjë lidhje gjaku, evoluojnë dhe nuk mbeten në një stad, gjë të cilën e pranon dhe vetë. Lidhjet mes jush fillimisht startuan me keqardhje, e cila u shndërrua në dashuri dhe interes për njëri-tjetrin dhe padyshim shumë shpejt do të kapërcejnë në një stad më të rrezikshëm.
A e ke pyetur ndonjëherë veten: Cilat janë përgjegjësitë e mia?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, duhet të zgjedhësh dy alternativa: Ose ta konsiderosh këtë femër në besën tënde, të përpiqesh që ajo të divorcohet nga burri i saj i keq dhe mandej të martohesh ti me të, ose e dyta, ta braktisësh një herë e përgjithmonë. Nëse ajo bie në duart e një “ujku” tjetër, kjo është zgjedhja e saj. Kur ajo e pranon vetë të veprojë diçka të ligë, ti nuk ke asnjë përgjegjësi.
Prandaj, merru me hallet dhe problemet e tua. Nëse mundesh ta marrësh për grua, bëje, në të kundërt ndërpriti marrëdhëniet me të. Gjithashtu, kërkoji që të merret edhe ajo me problemet e saj, të ruajë nderin, të divorcohet ose të vazhdojë martesën sipas dëshirës. Ajo duhet të mos i justifikojë shkarjet e saj me perversitetin e të shoqit, i cili edhe ai është përgjegjës për mënyrën si sillet me të shoqen dhe padyshim do të japë llogari para Zotit.
“Lexoje librin tënd! Ti mjafton sot si llogaritar kundër vetvetes!” (Isra, 14)
 

Rating: 4.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit