Presidenti Gjorgji Ivanov vazhdon të qëndrojë i shurdhër ndaj thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar që të respektojë Kushtetutën dhe t’i japë mandatin kreut të LSDM-së Zoran Zaev. Në vend të Ivanovit, lidhur me këtë temë sot janë prononcuar nga partia e tij amë, VMRO-DPMNE prej ku edhe një herë i kanë bërë thirje kreut të LSDM-së që të pranojë ofertën e tyre për të refuzuar platformën shqiptare. Nëse Zaev e bën këtë, VMRO-DPMNE i premton atij mbështetje për formimin e Qeverisë.
“Në zgjedhjet të cilat kaluan, qytetarët votuan për VMRO-DPMNE-në, e jo për Platformën e Tiranës. Është e palejueshme që kjo Platformë të bëhet kusht për formimin e Qeverisë në Republikën e Maqedonisë. Ajo Qeveri do të ishte Qeveri e Tiranës. Zoran Zaev dhe LSDM nuk e kanë problem ta shtrembërojnë kurrizin, ta shpallin gjuhën shqipe dhe alfabetin e saj gjuhë zyrtare shtetërore, së bashku me gjuhën maqedonase dhe alfabetin cirilik. Zoran Zaev dhe LSDM nuk e kanë problem t’i ndryshojnë emrin e shtetit, himnin, flamurin, bankënotat, uniformat, shkrimet”, kanë thënë nga VMRO-DPMNE.
Në vend të përgjigjes, nga LSDM kanë rikujtuar edhe një herë presidentin Ivanov se Kushtetuta siguron zgjidhje shumë të qarta për dalje nga kriza politike, duke cekur se duhet t’ia japë mandatin kryetarit të kësaj partie, Zoran Zaev për formimin e qeverisë së re në Maqedoni. Sipas LSDM-së, Nikolla Gruevski nuk është më i rëndësishëm se Kushtetuta dhe është e papranueshme dhe e palejueshme të nxitë ndarje në Maqedoni dhe të përdorë dhunë vetëm sepse qytetarët zgjodhën ndryshime, ndërkaq ai e humbi pushtetin”.
“Është e palejueshme edhe nga ana e Ivanovit, që vetëm për ta shpëtuar Gruevskin, ta shkelë Kushtetutën dhe ta vazhdojë krizën politike në dëm të qytetarëve. Nëse Ivanov dhe Gruevski me të vërtetë e duan Maqedoninë siç thonë, atëherë ata do ta respektonin Kushtetutën dhe do të tërhiqen”, kanë reaguar nga LSDM.
LSDM ka hedhur edhe kërkesën e VMRO-DPMNE-së për zgjedhje të reja. Në komunikatën e kësaj partie thuhet se në zgjedhjet e fundit qytetarët mbështetën konceptin për një shoqëri për të gjithë, dëshirojnë të jetojnë së bashku, pa ndarje, në shtet juridik i cili siguron jetë cilësore për të gjithë.
Arben Zeqiri /SHENJA/
Ivanov hesht, përplasen sërish VMRO dhe LSDM by tvshenjaofficial