Kjo është familja Murtezani nga fshati Semenishtë i Komunës Sarajit. Nga pesë anëtarët, dy djemt Nehati dhe Behari, janë në gjendje të palëvizshme. Kryefamiljari Nexhati, si i papunë, shpjegon vështirësitë e përditshme.
“Djemt nuk janë në gjendje aspak për të lëvizur. Unë patjetër duhet të jem këtu për t’i shërbyer. Ata nuk mund as të zgjohen, as të ecin dhe as të hanë. Muskujt i kanë të dobët, duke u rritur (zhvilluar) ashtu i tkurren. I mblidhen këmbët dhe nuk lëvizin. I kemi pas në mjek, i kan bërë analizë, i kanë kontrolluar, i kanë lëshuar në shtëpi. Më kanë thënë që t’i ruajm në shtëpi dhe të mos i operojmë”, deklaroi për Tv Shenja, kryefamiljari Nexhat Murtezani.
Jetën e kësaj familje e bën edhe më të vështirë gjendja shëndetësore e kryefamiljares, të cilën ekipi i televizionit SHENJA nuk arriti ta filmojë për shkak të shëndetit të rënduar. Murtezani thotë se lotët i janë tharë dhe është pajtuar me fatin!
“Zoti i ndihmoftë, se kështu qenka rëndë. T’ia dalësh deri në fund, kështu qenka rëndë”, tha Murtezani.
Pavarësisht gjendjes, Murtezani falenderon dashamirët për ndihmën e pandërprerë që i ofrojnë.
“Faleminderit Zotit, deri më tani më kanë ndihmuar shumë. Të gjitha të mirat nga dashamirët e mij. Faleminder Zotit. E lëmë shtetin!”, shtoi Murtezani.
Por më të vështirë e kanë djemt Nehati dhe Behari, të cilët nuk lëvizin dot. “Dita është e gjatë për ne”, thotë Behari i cili shton se kohën e kalon në lexim dhe duke dëgjuar radio!
“Kur zgjohem në mëngjes, lexoj, shoh çfarë ka në internet, lëshoj radio! E lexoj Kur’anin. Nuk e kam mësuar të gjithin, por di ta lexoj. Shokët vijnë ndonjëherë”., deklaroi për Tv Shenja djali i Nexhatit, Behar Murtezani.
Behari thotë se shkollën është detyruar të ndërprejë pasi ka ndjerë simptomat e para të sëmundjes, e cila njihet si tkurrje dhe mos zhvillim i muskujve në akordim me moshën. Megjithatë ai ëndërron për ditë të mira.
“Kisha dashur ta vazhdoj shkollën sepse nuk kam mundur. Vetëm filloren dhe jam detyruar ta ndërpres”, tha më tej Behari.
Familja Murtezani ka pasur edhe një anëtarë, i cilin fatkeqësisht ka humbur betejën me sëmundjen e njëjtë si dy vëllezërit e tij. Babai i tyre Nexhati, motivon të gjitha ata që ndajnë dhimbje të njëjtë si familja e tij, që të bëhen të fortë dhe t’i faleminderohen Perëndisë për fatin e përcaktuar. Gjëja për të cilën është më falenderues, është ndërtimi i shtëpisë dhe kushtet e përshtatshme për djemt në gjendje të tillë, të cilën ia kanë akomoduar miqtë dhe dashamirët. Nga ana tjetër, ndihma e vetme që i ofrohet nga institucionet është shuma nga 4300 denarë për dy djemt dhe karroca sa për të lëvizur për nevojat personale.
Adrian Kerimi /SHENJA/