0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Vetëvrasja mes patologjisë dhe zgjedhjes

Më të lexuarat

Nga: ardhmeriaonline

Vetëvrasja mes patologjisë dhe zgjedhjes

Dr. Muhamed El-mehdij 
Përveç forcës dhe dashurisë së vrullshme për të jetuar, të cilat e shtyjnë njeriun të ngërthehet pas jetës, pronës, suksesit, martesës, lindjes së fëmijëve, prodhimit etj… ekziston dhe një instinkt tjetër i fshehur nën hije dhe që kur aktivizohet, e shtyn njeriun drejt shkatërrimit të gjithçkaje që cekëm më lart. Ky instinkt është ai i vdekjes, të cilin e kemi të strukur në thellësitë tona, është ai që aktivizon sjelljen e vetëvrasjes dhe që na trondit parimet tona. Ky instinkt na vë përballë një konfrontimi të thellë me realitetin e jetës dhe atë të vdekjes, me të gjithë motivet e secilit.
Vetëvrasja është një sjellje me shumë motive, e cila aktivizohet kur prishet ekuilibri mes instinktit të jetës dhe atij të vdekjes. Ajo nuk lind në çastin e ekzekutimit, ose orvatjes, por ka qenë e strukur si një zgjidhje e mundshme në shtresat e vetëdijes. Ajo thjesht del mbi sipërfaqe dhe aktivizohet në kushte dhe rrethana të caktuara, për të mbetur si zgjedhje e vetme në ato çaste, madje mund të shihet si zgjidhja më e volitshme. Sipas këtij kuptimi, vetëvrasja nuk është një ngjarje e rastësishme, por një sistem ideologjik, shpirtëror dhe pjellor, pjesët e të cilit marrin formë me kalimin e viteve dhe ngjarjeve, për tu shfaqur si një mjet shpëtimi nga qorrsokaku apo kriza e një personi i cili ka humbur shpresën dhe mbështetjen. Ai gjendet në një presion të papërballueshëm dhe i janë venitur të gjithë opsionet.
Herë pas here ai dërgon sinjale ndihme, por ato nuk mbërrijnë tek personat e interesuar. Por edhe nëse mbërrijnë, nuk i dëgjon kush. Por edhe nëse i ka dëgjuar kush, nuk ka arritur ti deshifrojë dhe kuptojë. Ose janë kuptuar, por askush nuk i ka vajtur në ndihmë. Atëherë ndodh gjëma e madhe.
Para një ndodhie të tillë, ne kemi mendime kontradiktore brenda vetes: E shkreta, nuk pati zgjidhje tjetër pas gjithë atyre halleve… aq më tepër që e braktisën të gjithë. Po a nuk është e gjerë toka e Zotit… dhe mëshira e Tij akoma më e gjerë? Eh, sëmundje të tilla e bëjnë njeriun ta humbasë ekuilibrin dhe të sillet krejt ndryshe nga ç’jemi mësuar. Ka vuajtur kushedi sa gjatë nga depresioni e shkreta… po… dhe depresioni nuk është çmenduri… një depresiv arrin të dallojë dhe të bëjë zgjedhje, prandaj ai është i përgjegjshëm. Depresioni është një shtrëngim i rastit dhe ata që janë në këtë gjendje, nuk janë të përgjegjshëm.
Një reagim i tillë u hap derën të gjithë depresivëve, të mërziturve dhe personave në krizë, që të vetëvriten dhe ta justifikojnë këtë akt si gjendje halli dhe shtrëngimi. Kjo është e vërtetë dhe në këtë rast, gjykimi varet nga shkalla e shtrëngimit dhe hallit. Po cila është shkalla e hallit e cila mund të çojë në vetëvrasje? Kjo ndryshon nga një person tek një tjetër, nga një rrethanë tek një tjetër.
Zoti është falës dhe i mëshirshëm. Zoti nuk na ka ndaluar të vetëvritemi, veçse në rastet kur kjo është e mundur. Ai nuk na obligon me diçka që nuk e përballojmë dot. Kjo është e përgjithshme.. disa raste mbeten enigmë dhe nuk i di tjetër kush veç Zotit.
Mesatarja e vetëvrasjeve (shifra dhe fakte): Shumica e të vetëvrarëve (98 % e tyre) kanë vuajtur nga sëmundje psikologjike ose organike, sakaq vetëm 2 % e tyre kanë qenë të shëndetshëm, d.m.th jo të sëmurë. Një shifër e tillë statistikore na bën të japim konkluzione të nxituara se: Këta të sëmurë që u vetëvranë e kishin humbur aftësinë për të kontrolluar veten dhe motivet që i shtynë drejt vetëvrasjes. Pra, kanë qenë të detyruar. Dhe se 2 %-shi i të vetëvrarëve e zgjodhën këtë opsion me dëshirën e tyre. Përgjigja me “po” do të ngushëllonte shumë familjarë të cilët kanë humbur njerëzit e tyre më të dashur gjatë një akti të tillë.
Ata as që duan ta mendojnë idenë se vetëvrasja e të afërmve të tyre ka ardhur si një zgjedhje, gjë e cila i ngarkon me përgjegjësi morale dhe fetare. Në sytë e tyre, bazuar dhe në dëshminë statistikore, ata nuk e ndërmorën një hap të tillë, veçse nga sëmundja mendore. Prandaj, viktimat janë të papërgjegjshëm dhe meritojnë keqardhje, solidaritet dhe mëshirë. Por, nëse këtë “përgjithësim” do e shohim me syrin objektiv, do e gjejmë të pabazuar. Askush nuk mund të thotë se çdo person i vetëvrarë e kishte humbur aftësinë për të zgjedhur ose për të logjikuar drejt, me gjithë presionet që sëmundja ushtronte mbi të. Edhe në dimensionin ligjor, i sëmuri nuk justifikohet për çdo shkelje. Ai mund të justifikohet vetëm atëherë kur nuk logjikon drejt për veprat dhe pasojat e tyre, e shoqëruar me paaftësi për të bërë dallime dhe zgjedhje, si dhe me çrregullime të vetëdijes. Prandaj, rastet kur personat që vuajnë nga sëmundje mendore japin llogari para institucioneve ligjore nuk janë të pakta. Por kjo bëhet në bazë të nivelit të sëmundjes nga e cila vuajnë. Në nivel botëror, mbi 1.000 veta vetëvriten çdo ditë, ose 42 veta çdo orë.
Vetëvrasja është shkaku i dytë i vdekjeve në Amerikë dhe shkaku i tretë i vdekjeve në mesin e adoleshentëve, sakaq është shkaku i dytë i vdekjeve mes adoleshentëve të bardhë. Vetëm në Amerikë, vetëvriten 75 veta çdo ditë, ose një person çdo 20 minuta. Çdo vit, atje ndodhin 25.000 vetëvrasje.
Nga statistikat, është zbuluar se vendi më i preferuar për vetëvrasje në botë, është Golden Gate Bridge në San Françisko. Që nga viti 1937 kur është ndërtuar kjo urë, janë vetëvrarë 900 persona. Mesatarja e vetëvrasjeve në rang botëror, është 12.5 persona për çdo 100.000 banorë. Rripi i vetëvrasjeve, përfshin shtetet Skandinave, Zvicrën, Austrinë, shtetet e Evropës Lindore dhe Japoninë, ku mesatarja e vetëvrasjeve në këto shtete është 25 për 100.000 banorë. Mesatarja më e madhe e regjistruar ndonjëherë ka ndodhur në Hungari, ku arriti 35 persona të vetëvrarë për 100.000 banorë. Nga ana tjetër, mesatarja më e ulët e vetëvrasjeve është konstatuar në Egjipt, Irlandë, Spanjë dhe Itali. Mesatarja e vetëvrasjeve mund të ndryshojë edhe brenda një shteti për arsye sociale, ekonomike dhe fetare. Kështu, shteti i Nju Xhersit në Amerikë, është shteti me përqindjen më të ulët në krahasim me Nevadën, e cila ka regjistruar mesataren më të lartë.
Edhe pse gratë janë më të pritura për tu vetëvrarë dhe kanë shënuar numrin më të lartë të tentativave për vetëvrasje, burrat mbajnë përqindjen më të lartë, pasi i shkojnë gjer në fund. Të rinjtë në moshë, zakonisht kërcënojnë se do të vetëvriten, kurse të rriturit e çojnë gjer në fund. Sipas statistikave, përqindja më e lartë e vetëvrasjeve ndodh tek grupmosha pas të 45-ve tek burrat dhe pas të 55-ve tek gratë. Të vetëvrarët e moshuar që i kanë kaluar të 65-tat përbëjnë vetëm 25 % nga rastet e vetëvrasjeve. Kjo, edhe pse kjo grupmoshë përbën vetëm 10 % të popullsisë. Vetëvrasja tek njerëzit normalë Me njerëz normalë, kemi si qëllim ata persona të cilët nuk vuajnë nga sëmundje nervore ose fizike, por kjo nuk do të thotë se janë normalë edhe në të menduar dhe sjellje. Kjo, sepse motivi i vetëvrasje tek kjo kategori e cila përbën vetëm 2 % nga të gjithë të vetëvrarët, ka të bëjë me mendimet, besimet dhe traditat. Për këtë, akti vetëvrasës konsiderohet si një sjellje e zgjedhur.
Më poshtë, do të sjellim disa shembuj vetëvrasjes që i përkasin kësaj kategorie:-
1 – Vetëvrasja ekzistencialiste. Personat që i përkasin kësaj kategorie, zakonisht janë ata që i besojnë idesë ekzistencialiste, e cila shenjtëron vullnetin, dëshirën, zgjedhjen dhe përgjegjësinë e njeriut, aq sa e bën përgjegjës absolut për çdo gjë të jetës së tij. Kështu, ai është i lirë të aktualizojë veten dhe ti demonstrojë aftësitë dhe energjitë e tij si të dojë. Nëse dështon në këtë drejtim, ai ka të drejtë të zgjedhë kohën kur ti japë fund jetës së vet dhe sipas mënyrës që dëshiron.
Disa nga shkollat ekzistencialiste, e konsiderojnë vendimin për vetëvrasje si trimëri, sjellje të ndershme dhe fisnike. Sipas tyre, sepse ai zgjodhi të tërhiqej në momentin kur ndjeu se nuk ka ç’të japë më. Nuk është e thënë që vetëvrasësi të identifikohet me ideologjinë ekzistencialiste në nivel akademik dhe filozofik. Ka njerëz të cilët kontaktojnë me idetë ekzistencialiste në mënyrë sipërfaqësore, pa lexuar dhe pa u thelluar në këtë ideologji. Shumë mirë, ata mund të prezantohet me ekzistencializmin nëpërmjet telenovelave, filmave dhe programeve mediatike të ndryshme.
2 – Imitimi i Suti-t në Indi. Shoqëria i kërkon gruas të cilës i ka vdekur burri, që të djegë veten bashkë me kufomën e burrit të vdekur.
3 – Nusja e Nilit tek egjiptianët e lashtë. Ishte bërë traditë tek egjiptianët e lashtë që të flijonin një vajzë të re çdo vit për hir të Nilit. Ata e hidhnin vashën në Nil, ku dhe mbytej. Kjo bëhej me qëllim që Nili t’ju sillte fat. Kjo traditë përfundoi një herë e mirë vetëm me ardhjen e Islamit në Egjipt.
4 – Vetëvrasja altruiste. Të moshuarit eskimezë vetëvriten pasi e ndjejnë se janë shndërruar në barrë të rëndë për familjarët e tjerë. Kështu, ata mbulohen me borë derisa të vdesin. Ata vetëvriten që të mos u bëhen fëmijëve barrë.
5 – Vetëvrasja për humbjen e një të afërmi. E kësaj kategorie ka qenë vetëvrasja e Kleopatrës pas vdekjes së Antonit, si dhe vetëvrasja e çdo dashnori për vdekjen e të dashurës dhe anasjelltas. Në këtë rast, kemi një unitet mes dy të dashuruarve, ku vdekja e njërit do të thotë vdekja figurative edhe e tjetrit. Këtë vdekje figurative, ai/ajo e shndërron në vdekje të vërtetë. Mundësia e vetëvrasjes në këtë rast, rritet nëse njëri nga të dashurit është vetëvrarë. Nuk është e thënë që marrëdhëniet mes tyre të jenë emocionale. Ata mund të jenë edhe marrëdhënie gjaku, vëllezër, profesor-nxënës etj…Një këngëtare qe vetëvrarë pasi u vetëvra kompozitori i saj. Ashtu siç ishte modeli i jetës së saj, ai u shndërrua dhe në modelin e mënyrës së vdekjes. 
6 – Problemet emocionale. Është zbuluar se 30 % e vetëvrasjeve tek të rriturit kanë ndodhur për shkak të problemeve emocionale.
7 – Përkujtimi vjetor. Mund të vetëvriten persona për ditëlindje, në përvjetorin e martesës apo të divorcit.
8 – Vetëvrasja kolektive. Rastet e vetëvrasjeve kolektive i hasim tek disa fise, ku rriti i vetëvrasjes ka filluar me kryetarin e fisin e mandej me banorët e tjerë. Këtu hyn dhe vetëvrasja e kalorësve, ku pas një humbje në betejë, mblidhen kalorësit dhe vrasin veten, si shlyerje e gabimeve të bëra gjatë betejës. Nëse këto vetëvrasje kanë ndodhur në shoqëri primitive ku mungonte logjika e pastër dhe kultura e duhur, ne shprehim habi të madhe kur dëgjojmë vetëvrasje kolektive në kohët moderne. Kështu, me 26 Mars 1997, në San Diego të Amerikës, Marshall Herf, udhëheqësi i sektit Heaven’s Gate, vrau veten duke gëlltitur tableta Phenoparpital. Ai u ndoq nga 38 pasues të këtij sekti, të cilët ishin grumbulluar në një vend, me qëllim që të vdesin të gjithë bashkë, menjëherë pas udhëheqësit dhe liderit të tyre shpirtëror. Për liderin e tyre thuhej se ishte i sëmurë me kancer në mëlçi dhe duhej patjetër të vdesë atë ditë. Vdekja e tij do të hapte portat e parajsës dhe shpirti i tij do të ngjitej në qiell nëpërmjet një anijeje kozmike, e cila do të çante perdet e qiellit drejt parajsës. Pasuesit e tij e panë të nevojshme që shpirtrat e tyre të ndjekin shpirtin e liderit në ngjitjen drejt qiellit. Aq më tepër – siç u shpreh njëri prej tyre – që jeta në këtë botë nuk do të kishte asnjë vlerë pas largimit të liderit të tyre. Ky sekt fetar u krijua nëpërmjet rrjetit të internetit, ku anëtarët u prezantuan me liderin e tyre shpirtëror duke shfrytëzuar këtë rrjet informacioni gjigand. Udhëzimet e sektit u kalonin të gjithë anëtarëve nëpërmjet emaileve. Psikologët u gjendën të befasuar dhe nuk dinin si ta shpjegojnë këtë fenomen. Disa prej tyre mendonin se kjo vetëvrasje kishte lidhje me besime që lidheshin me vdekjen e cila konsiderohet si fund i vuajtjeve të njeriut dhe filli i shpëtimit të shpirtit të tij nga kjo botë. Pas vdekjes, shpirti ngjitet në qiell ku mbretëron paqja dhe përjetësia. Këto ide janë kultivuar tek pasuesit nga lideri i tyre i cili ishte shumë karizmatik. Ai kishte arritur ti demoralizojë nga jeta bashkëkohore. Nën presionin e liderit të tyre dhe të anëtarëve të tjerë, individët i ishin përgjigjur thirrjes për shpëtim. Është shumë e mundur që anëtarët dhe e këtij sekti të kenë qenë të nënshtruar dhe të bindur verbërisht ndaj liderit të tyre. Duke qenë të paaftë të përballen me presionet e jashtme, ata e kanë orientuar zemërimin e tyre në brendësi të vetes, gjë e cila ka çuar në vetëvrasje kolektive, aq më tepër që lloji i këtyre njerëzve janë të nënshtruar dhe mund tu binden eprorëve verbërisht.
9 – Vetëvrasje imituese. Kur vetëvritet një fëmijë ose një adoleshent në shkollë apo në klub, pasohet nga vetëvrasje të ngjashme nga e njëjta grupmoshë, si shenjë solidariteti me të. Kjo mund të ndodhë edhe pas shikimit të filmave apo telenovelave të cilat përmbajnë fragmente vetëvrasjeje të kësaj grupmoshe. Që prej 200 vitesh, në Evropë njihet romani me titull “Brengat e të riut Verther”. Pas botimit të këtij romani, disa vende u përfshinë nga një valë vetëvrasjesh tek fëmijët e vegjël. Në çastin e vetëvrasjes, fëmijët ishin veshur si Verther, heroi i romanit. Ata vetëvriteshin me romanin përbri.
10 – Vetëvrasja e të famshmëve. Shpesh herë, dëgjojmë që njerëz të famshëm e mbyllin jetën me vetëvrasje. Kjo, edhe pse ata kishin korrur sukses në karrierën e tyre artistike, letrare, sportive apo shkencore. Të befasuar nga ngjarje të tilla, ne shpesh herë pyesim:”Përse?! Çfarë donin më shumë nga kjo botë?!”
Kështu, herë pas here dëgjojmë mbi vetëvrasjen e një ylli të famshëm. Ernest Heminguei, ylli i të cilit u ngjit aq lart saqë fitoi dhe çmimin Nobel. Por kjo nuk ia kurseu dot jetën, e cila, sipas tij, ishte bërë e padurueshme. Marlin Monro, aktorja joshëse e cila ka frymëzuar kushedi sa të rinj me bukurinë dhe hijeshinë e saj. Nuk kishte burrë që nuk e dëshironte, megjithatë, në një çast, ajo qëndron, ndjen neveri për gjithçka dhe vetëvritet. Diku tjetër një këngëtare franceze, e cila fillon të ndjejë se jeta është shumë e rëndë, prandaj vendos ti japë fund. Parisienët i kanë ndërtuar një bust të madh dhe e kanë vendosur në një shesh kryesor. Një poet i madh, i cili mbushi botën me poezi dhe vepra letrare të rralla, vuajti për një kohë të gjatë me sëmundjet e tij nervore. Në kulmin e vuajtjeve të tij, ai shkroi veprat më të mira letrare. Por në një moment, ai vendos të dorëzohet dhe vetëvritet. Ai u ndoq nga shkencëtari i madh antropolog, i cili i dha vendit të tij gjithçka, pa marrë gjë nga askush. Ai jetoi i varfër me gjithë pasurinë e tij mendore. Ai ishte i kënaqur me asketizmin e tij gjatë gjithë jetës. Por në një çast, kur ata që e rrethonin ia mohuan të mirat, u dobësua dhe dogji veten. Të famshmit, ndajnë me njerëzit e tjerë të njëjtat cilësi njerëzore, por ata dallojnë sepse zotërojnë burimet e fuqisë dhe bukurisë, ato burime drejt të cilave shohin sytë dhe orientohen zemrat. Fakti që kudo rrethohen nga admirues dhe simpatizantë, i bën të mendojnë se janë të veçantë, kështu e shohin veten të madh. Në çastin kur e humbasin burimin e fuqisë dhe të bukurisë, njerëzit u largohen. Kjo bën që këta të famshëm ta shohin jetën të padobishme. Ata e kanë të pamundur të jenë të kënaqur me suksesin që kanë korrur gjer atëherë dhe nuk mund të ambientohen me aktualitetin e ri. Atëherë shpërthen egoja e fryrë aq shumë, shpërthim i cili dëgjohet anembanë, duke i mbledhur të gjithë ish dashamirësit rreth tij, por këtë herë me sytë e përlotur dhe me zemrat zeher. Vetëvrasja tek të sëmurët: Në një studim të kryer në vitin 1957, u studiuan rastet e vetëvrasjeve duke takuar të afërmit, u hapën dosjet mjekësore dhe u zhvilluan takime me doktorët personalë të vetëvrarëve, ku u zbulua se 98 % e të vetëvrarëve kishin vuajtur nga sëmundje nervore ose trupore.
Ndër çrregullimet më të pikasura që shoqëronin të vetëvrarët ishin depresioni dhe vartësia nga pijet alkoolike. Gjatë një studimi investigativ u studiuan dy grupe:
Grupi i parë i njerëzve vuante nga sëmundje nervore të ndryshme. Sakaq grupi i dytë vuante nga sëmundje trupore të ndryshme. Studimi zbuloi se përqindja e të vetëvrarëve nga grupi i parë ishte 5.5 %, ndërkohë që tek grupi i dytë ishte vetëm 0.6 %. Gjithashtu, u zbulua se përqindja e vetëvrasjeve mes të afërmve të grupit të parë, ishte tetë herë më shumë sesa tek njerëzit e tjerë.
Faktorët shoqërues dhe ndikues në rastet e vetëvrasjeve:
1 – Mosha. Më të vegjlit në moshë, janë më të rrezikuar ndaj fenomenit të vetëvrasjes. Por më të rriturit, janë ata që më së shumti i shkojnë gjer në fund. 2 – Seksi. Gratë janë më të rrezikuara nga vetëvrasja, sakaq burrat janë ata që i shkojnë gjer në fund. Të vetëvrarit nga burrat, janë dyfishi i të vetëvrarëve nga gratë.
3 – Gjendja civile. Numri i të vetëvrarëve nga të pamartuarit, është më i madh se tek të martuarit.
4 – Feja. Njerëzit me bindje fetare, janë më pak të prirur sesa jofetarët. Mesatarja është më e ulët tek myslimanët, hebrenjtë dhe katolikët, në krahasim me protestantët. Kjo është ajo që pikasim teksa trajtojmë të sëmurët tanë, të cilët kanë tendenca vetëvrasëse. Kur i pyesim nëse kanë tendenca për tu vetëvrarë, ata përgjigjen pozitivisht. Mandej, kur i pyesim:”Çfarë u pengoi për tu vetëvrarë?” Ata përgjigjen:”Frika nga Zoti.”
Tekstet fetare përmbajnë paralajmërime për ata që duan ti japin fund jetës. Thotë Zoti në Kuran:”dhe mos e vritni veten (dhe njëri-tjetrin)! Vërtet, Allahu është i Mëshirshëm me ju. Këdo prej jush që e bën këtë përdhunisht dhe padrejtësisht, Ne, pa dyshim, do ta hedhim në zjarr. Kjo është shumë e lehtë për Allahun.” (Nisa, 29-30)
Thotë profeti Muhamed a.s:”Kushdo që vret veten me diçka, do të ndëshkohet Ditën e Kiametit.” (Buhari dhe Muslim)
Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Kushdo që vret veten me një hekur, me atë hekur do e vrasë veten edhe në zjarrin e përhershëm të xhehenemit. Kush hidhet nga një greminë dhe vret veten, ai do të hidhet në të njëjtën formë edhe në zjarrin e xhehenemit i cili është i përjetshëm.” (Buhari dhe Muslim.”
Ky qëndrim i prerë i fesë ndaj vetëvrasjes, ka pasur ndikim jashtëzakonisht të madh në reduktimin e rasteve të vetëvrasjeve në vendet islame. Mesatarja e vetëvrasjeve ndryshon edhe mes sekteve të një feje, sipas doktrinës dhe nivelit të lidhjeve shoqërore. Mesa duket, feja e pajis njeriun me ndihmë shpirtërore dhe sociale, e cila e ruan nga depresioni dhe humbja e shpresës. Ajo e ndihmon të ndihet i kënaqur, ta pranojë gjendjen në të cilën gjendet dhe të luftojë për ta përmirësuar. Ajo e pajis me shpresë se fatkeqësitë e kanë një fund, sado të të zgjasin.
5 – Raca. Kështu, mes të bardhëve hasen më shumë raste vetëvrasjesh sesa mes të zinjve. Vetëvrasja është më e rrallë mes pakicave dhe etnive të konsoliduara. Sakaq, vetëvrasja është në përqindje më të madhe mes emigrantëve.
6 – Profesioni. Përqindja më e lartë e vetëvrasjeve haset tek profesionet të tilla si; dentistët, muzikantët, oficerët ekzekutivë, avokatët, punonjësit e kompanive të figuracionit. Mesatarja më e madhe e vetëvrasjeve është nga mesi i mjekeve, 41 raste për 100.000 syresh, kryesisht të pamartuara. Ato ndiqen nga mjekët meshkuj, me mesatare 36 për 100.000 syresh. Përqindja më e lartë e vetëvrasjeve është konstatuar mes psikologëve, të cilët ndiqen nga mjekët e syve, mandej anestezistët. Në anën tjetër, një mesatare e lartë vetëvrasjesh haset edhe tek të papunët. 
7 – Shtresa sociale. Mesatarja e vetëvrasjeve vjen në rritje tek shtresat e larta sociale. Vetëvrasje në qytete janë më të shumta se ato në fshatra.
8 – Gjendja shëndetësore dhe trupore. Të sëmurët kronikë dhe ata që vuajnë nga sëmundje vdekjeprurëse si sida, kanceri etj… janë më të prirur për tu vetëvrarë se të tjerët.
9 – Shëndeti psikologjik. Sëmundjet psikologjike konsiderohen si motivet më të përhapura për vetëvrasje. Sipas sondazheve, rreziku për vetëvrasje tek të sëmurët psikikë rritet me tre deri dymbëdhjetë herë më shumë në krahasim me njerëzit e tjerë. Përqindja e vetëvrasjeve tek të sëmurët me depresion është nga 15 – 18.9 %.
Krizat e rënda të depresionit, përbëjnë rastin më të rrezikshëm për vetëvrasjen e personit që vuan. Depresivët janë më të prirur për tu vetëvrarë në fillimin e periudhës së shërimit, pasi fillon e përmirësohen aftësitë e tyre për të lëvizur për shkak të ilaçeve, por para se të përmirësohet humori në mënyrë të mjaftueshme. Bazuar në këtë, depresivi ka gatishmëri më të madhe për ta çuar gjer në fund vetëvrasjen, sesa më parë. Ndër simptomat më tipike që e shtyjnë depresivin drejt vetëvrasjes, është humbja e shpresës. Simptoma shfaqen me pagjumësi, neglizhim të pastërtisë personale, dobësim kujtese. Përqindja e vetëvrasjeve mes të sëmurëve me skizofreni është 10 %.
Sipas studimeve, tek 2/3 e të sëmurëve me skizofreni të vetëvrarë, ekzistonin simptoma depresioni. Përqindja e të vetëvrarëve tek narkomanët është 10 %. Përqindja e vetëvrasjeve tek personat me çrregullime personaliteti ndryshon sipas llojit të çrregullimit. Megjithatë, ato mbeten më të larta se tek njerëzit normalë.
Ekzistojnë dy grupe kryesore të rrezikshme: Grupi ku bëjnë pjesë personat me çrregullime psikike si depresioni, skizofrenia dhe vartësia. Kurse në grupin e dytë, bëjnë pjesë personat që shihen shpesh tek urgjenca, për shkak të tentativave të shpeshta për vetëvrasje. Mesatarja e vetëvrasjeve lidhur me grupin e fundit është regjistruar në Amerikë, pasi për botën arabe nuk ekzistojnë statistika për tu krahasuar, të paktën gjer tani. Megjithatë, punonjësit e psikiatrisë vërejnë se mesatarja e vetëvrasjeve mes të sëmurëve psikikë në shoqëritë arabe është shumë herë më e ulët në krahasim me vendet perëndimore. Kjo, për shkak të faktorit fe dhe lidhjeve të forta familjare dhe sociale. Dallimet mes mesatareve të vetëvrasjeve tek të sëmurët psikikë në shoqëri të ndryshme, e hedh poshtë idenë se çrregullimet janë shkaktare të vetëvrasjeve. Ideja është se vendimi përfundimtar për vetëvrasje, i referohet faktorëve të shumtë, një ndër të cilët është dhe sëmundja.
10 – Tentativat e mëparshme për vetëvrasje. Ato janë indikatori më i mirë për tu prezantuar me rrezikun. Kur studiojmë tentativat e mëparshme për vetëvrasje, ne fokusohemi tek dy gjëra tepër të rëndësishme: E para: Nijeti i të sëmurit për të vdekur, gjë e cila shfaqet nëpërmjet shprehive dhe sjelljeve të tij, ku demonstrohet dëshira, vendosmëria dhe insistimi i tij për të vdekur. E dyta: Serioziteti i tentativës. Kështu, nëse është orvatur të hidhet nga kati i dhjetë, ndërkohë që ishte krejt i vetëm në shtëpi dhe në momentet e fundit ka ndërhyrë dikush rastësisht për ta shpëtuar; nëse është orvatur të vrasë veten me pistoletë; nëse ka tentuar të djegë veten etj… të gjitha këto janë indikatorë që tregojnë shkallën e seriozitetit të personit për tu vrarë. Është zbuluar se 40 % e depresivëve të vetëvrarë, kishte bërë tentativa të mëparshme për tu vetëvrarë. Gjithashtu, është zbuluar se 10 % e atyre që kanë tentuar të vetëvriten, janë vetëvrarë gjatë dhjetë viteve të ardhshme.
11 – Klima dhe moti. Është vërejtur një rritjet e vogël e përqindjes së vetëvrasjeve gjatë stinës së pranverës dhe vjeshtës.
Shkaqet e vetëvrasjes:
1 – Faktorët socialë: Sociologu i njohur Emile Durkheim studioi rastet e vetëvrasjeve në shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe i ndau vetëvrasjet në:
a) Vetëvrasja egoiste. Në këtë rast, vetëvrasësi përjeton momente vetëmbylljeje dhe izolimi. Ai nuk është i lidhur me asnjë grup social, gjë e cila shpjegon dhe rritjen e përqindjes së vetëvrarëve tek të pamartuarit, në qytete më shumë se në fshtra, si dhe tek protestantët që nuk kanë lidhje të forta sociale në krahasim me myslimanët dhe katolikët.
b) Vetëvrasja altruiste. Kjo, është e kundërta me të parën, ku personi është shumë i integruar me grupin, prandaj dhe vendos të sakrifikojë jetën për të. Shembull për këtë, mund të sjellim ushtarin i cili pranon të vetëvritet në betejë për të mbrojtur atdheun.
c) Vetëvrasja anomike. Në këtë rast, kemi përkeqësim të marrëdhënieve mes personit dhe shoqërisë. Për këtë, ai ndjek një sjellje krejt të kundërt dhe të huaj për traditën dhe zakonet e vendit. Një sjellje e tillë, mund të ndodhë tek njeriu kur përjeton probleme ekonomike të rënda, të cilat e detyrojnë të dalë nga konteksti shoqëror i përditshëm. Ajo mund të ndodhë edhe nga shoqëria kur kemi të bëjmë me transformime të befasishme.
d) Vetëvrasja fatale. Kjo ndodh për shkak të rregullit të tepërt.
2 – Faktorët psikologjikë:
a) Teoria e Frojdit. Ai mendon se vetëvrasja është një sjellje agresive drej vetes, ku janë mishëruar dashuria me urrejtjen. Për shembull, një person që ka fiksuar imazhin e nënës, ndaj të cilës ka edhe ndjenja dashuri për shkak të kujdesit të saj, si dhe ndjenja urrejtje dhe armiqësie për shkak se është privuar prej këtyre ndjenjave në një periudhë kohe, ose për shka se e ka dekurajuar në raste të tjera. Prandaj, kur ai vret veten, në fakt, ai e shënjestron këtë sjellje agresive ndaj nënës që ka brenda, për shkak se është i zemëruar me të dhe se e ka demoralizuar. Prandaj, vetëvrasja në këtë rast, kryhet për të vrarë dikë tjetër që ekziston brenda vetes.
b) Teoria e Minenger. Karl Minenger e ka ndërtuar teorinë e tij në bazë të perceptimeve të Frojdit, i cili shkroi librin “Njeriu kundër vetes” ku thotë se vrasja e …është vrasje e përmbysur. Kjo, pasi i vetëvrari është zemëruar me një person tjetër dhe këtë zemërim e orienton drejt vetes. Ai mund të vetëvritet si ndëshkim për veten për shkak të ekzistencës së kësaj armiqësie që ndjen karshi atij personi. Mininger e ka ndarë agresionin me pasojë vetëvrasje në tre shkallë: Dëshira për të vrarë, dëshira për tu vrarë dhe dëshira për të vdekur.
c) Teoria moderne Teoricienët modernë të kësaj nuk pranojnë se vetëvrasja ka dinamikë psikologjike të veçantë, ose se disa personalitete mund të jenë më shumë të prirur për vetëvrasje. Ata besojnë se ne mund të mësojmë shumë gjëra nga dinamika e vetëvrasjes në mënyrë të drejtpërdrejtë, me anë të imagjinimit të personave të vetëvrarë, gjatë kohës që mendonin për tu vetëvrarë.
Me anën e studimeve mbi historinë e personave të vetëvrarë, është zbuluar se ata kanë pasur imagjinata dhe fantazitë e mëposhtme:
Dëshira për tu hakmarrë, për fuqi, dominim ose edhe ndëshkim. Dëshira për të shlyer, kompensuar, sakrifikuar, për tu kthyer, arratisur, gjumë, shpëtim, një lindje të re, unifikim me një të vdekur të shtrenjtë, ose një jetë të re. Mesa duket, këto imagjinata janë shumë joshëse për personin që dëshiron të vetëvritet.
Faktor ndihmues për ta çuar gjer në fund këtë ide, ose për të hequr dorë prej saj, është nëse vuan si pasojë e humbjes së nje personi të shtrenjtë, apo të një goditje narciziste të dhimbshme (si në rastin e artistes e cila u vetëvra pasi humbi vëmendjen e njerëzve për shkak të plakjes). Ai mund të jetë i ngarkuar edhe me ndjenjat e një diktatori, zemërim dhe ndjenja faji. Ashtu siç mund të jetë unifikuar me një person tjetër të vetëvrarë, si në rastin e të riut i cili u vetëvra pas vetëvrasjes së vëllait më të madh, me të cilin ishte shumë i lidhur. Sakaq, vetëvrasjet kolektive mund të arrihen bazuar në dinamikën kolektive, inspirimi, besimi i verbër, presioni i kolektivit, unifikimi, imitimi etj…
3 – Faktorë biologjikë.
a) Trashëgimia. Është vërejtur klinikisht se familje të caktuara, kanë pasur disa raste vetëvrasjesh. Këtu mund të përmendim familjen e romancierit të famshëm Ernest Heminguej. Përveç Ernest, nga familja e tij është vetëvrarë e motra dhe i ati para saj, si dhe persona të tjerë të familjes. Sipas një studimi tek binjakët monozigotë, është zbuluar se në nëntë raste kemi vetëvrasje të dy binjakëve, nga pesëdhjetë e një raste. Pra, kemi një përqindje prej 20 %. Sakaq, tek binjakët bizigotë është parë se binjakëzimi nuk ndikon në vetëvrasje. Kjo tregon mbi mundësinë e ndikimit gjenetik në mënyrë të pjesshme, por jo përfundimtare dhe që ka nevojë për faktorë të tjerë shoqërues.
Studimet kanë zbuluar se mesatarja e vetëvrasjeve tek rrethi i parë i të afërmve të sëmurëve psikikë, rritet me tetë herë më shumë nga vetëvrasjet tek njerëzit e tjerë. Gjenet specifike për vetëvrasje, mund të jenë të ndara dhe shkaktojnë sjellje impulsive për shkak të çrregullimit në nivelin e serotoninës në tru. Ato mund të gjenden edhe tek gjenet e çrregullimeve psikike, si depresioni, narkomania, skizofrenia dhe çrregullime të tjera.
b) Alkimia nervore. Gjatë studimeve është vërejtur se niveli i serotoninës ulet tek depresivët që tentojnë të vetëvriten. Sipas studimeve, janë gjetur lidhje mes rënies së serotoninës dhe sjelljeve impulsive dhe agresive.
c) Problemet fizike. Mesatarja e vetëvrasjeve rritet në rastet e sëmundjeve fizike dhe organike të mëposhtme: – Kanceri, sidomos kanceri i gjirit dhe i organeve gjenitale. – Sëmundjet e aparatit nervor, si skizofrenia, fibrozat e përhapura, goditjet në kokë, çrregullimet e qarkullimit cerebral, sëmundja Huntington, marrëzia dhe sida. Është parë se të gjitha këto sëmundje, shkaktojnë çrregullime të humorit. – çrregullimet e gjendrave endokrine, si anoreksia nervore, çrregullime të humorit etj… – Çrregullime të aparatit tretës, si ulçera dhe fibrozat e mëlçisë. Këto dy çrregullime mund të gjenden edhe tek alkoolistët. – Çrregullime të aparatit urinar dhe gjenital, si në rastin e fryrjes së prostatës, mosfunksionimi i veshkave dhe rasteve të dializës.
d) Ilaçet. Shumë ilaçe që përdoren sot për sëmundje të ndryshme, mund të shkaktojnë depresion, të shoqëruar me dëshirë për vetëvrasje, për personat që kanë një jetë normale dhe nuk janë në kushte që mund ta justifikojnë depresionin. Për fat të keq, këto ilaçe janë shumë të përdorshme dhe askush nuk e di efektin e tyre të dëmshëm. Disa prej këtyre ilaçeve janë ato të tensionit, ilaçet e zemrës, antibiotikët e reumatizmit, kortezoni, ilaçet e kancerit etj…
Parashikimi i vetëvrasjes:
Në nuk mund të bëjmë asgjë për ata që tashmë kanë vdekur nga vetëvrasja, por mund të bëjmë shumë për personat që e çojnë nëpërmend vetëvrasjen dhe kanë bërë përpjekje të tilla. Në 70 % të vetëvrasjeve, personat kanë dhënë shenja dhe sinjale paralajmëruese, por askush nuk u ka kushtuar vëmendje ose nuk i ka vlerësuar siç duhet. Ekziston një periudhë inkubacioni e idesë për vetëvrasje, e cila mund të zgjasë gjer në tre muaj. Sipas studimeve të zhvilluara, janë përcaktuar disa sinjale rreziku të renditura sipas rëndësisë:
1 – Mosha. Sa më shumë vite të kalojnë pas moshës 45 vjeçare, aq më shumë rritet rreziku.
2 – Përdorimi i pijeve alkoolike. Mes alkoolistëve përqindja e vetëvrasjeve rritet pesëdhjetë herë më shumë, sesa tek njerëzit e tjerë.
3 – Irritimi, xhindosja dhe dhuna. 4 – Tentativat e kaluara për vetëvrasje. Aq më tepër nëse janë përdorur mjete të rrezikshme si armët e zjarrit, hedhja nga lartësitë apo vetëvarrja.
5 – Gjinia mashkullore. Është vënë re se burrat janë më të prirur për vetëvrasje, siç e kemi cekur dhe më lart.
6 – Refuzimi i ndihmës.
7 – Zgjatja e krizës së depresionit më shumë se e zakonshmja.
8 – Një e kaluar me hospitalizim psikik.
9 – Humbja e diçkaje të shtrenjtë, ose ndarja nga një person i afërm kohët e fundit.
10 – Depresioni, sidomos krizat e rënda të tij.
11 – Probleme me shëndetin fizik.
12 – Papunësia ose dalja në pension.
13 – Beqarët, vejushët dhe të divorcuarit. Për persona të tillë, lipset kujdes dhe vëmendje. Psikiatri që merret me ta duhet ti pyesë në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhur me mendimin e tyre mbi vdekjen, të kërkojë çfarëdo lidhjeje me idenë e vetëvrasjes dhe ti pyesë nëse kanë tentuar të vetëvriten në të kaluarën. Ai duhet të hetojë burime mbështetëse vetjake të personave në fjalë, si arritjet e tyre në jetë, mençurinë, botën e pasur të ndjenjave, familjen, shokët, institucionet bamirëse etj… Bazuar në rezultatet që do të mbledhë, ai vendos hapat e mëtejshëm për tu ardhur në ndihmë. Rastet më të rrezikshme janë humbja e shpresës dhe ndjenja se është papërkrahje. Nëse këto dy simptoma shfaqen të dyja ose të ndara, i duhet kushtuar vëmendje. Ndonjëherë shohim që personi i cili ankohej shumë dhe kërcënonte se do të vetëvritej, befasish është bërë i qetë dhe i kënaqur, përkundrazi natyrës së tij. Ai nuk flet shumë dhe nuk demonstron asnjë shenjë çrregullimi të mëparshme. Ky rast duhet ta na tërheqë vëmendjen, pasi shumë persona që janë vetëvrarë, kanë kaluar të njëjtën gjendje qetësie dhe kënaqësie, pasi kishin marrë vendimin e vetëvrasjes. Ata kishin ndejtur në këtë gjendje për disa ditë, para se të vetëvriteshin. Raste të tilla i çorodisin njerëzit që i rrethojnë, të cilët thonë: “Ai/ajo ishte përmirësuar ndjeshëm ditët e fundit dhe nuk shfaqte asnjë shenjë çrregullimi.” Një simptomë tjetër e atyre që kanë vendosur të vetëvriten, është se u telefonojnë miqve dhe kur pala tjetër e ngre telefonin, ai nuk përgjigjet. Ose pasi të ketë rënë disa herë zilja, ai e mbyll para se tjetri ta ngrejë receptorin, pa i dhënë mundësi të përgjigjet. Këto sikur janë thirrje për ndihmë.
Trajtimi i rasteve me prirje vetëvrasje:
Pas studimit të rastit, faktorëve mbështetës dhe ndihmues të personit që vuan, si dhe ekzaminimeve të domosdoshme, psikiatri vendos nëse i sëmuri ka nevojë të hospitalizohet, apo çrregullimet e tij psikike do të trajtohen në mjedisin e tij familjar. Nëse mbështetja familjare nuk është e mjaftueshme, sjelljet e të sëmurit janë të rrëmbyera dhe të befasishme dhe nuk ka mundësi të ushqehet mjaftueshëm, atëherë ky i sëmurë duhet të hospitalizohet dhe të mbahet nën mbikëqyrje gjatë gjithë kohës, pa u lënë vetëm as gjatë gjumit dhe as kur shkon në banjo. Kjo, sepse një i sëmurë i tillë, pret momentin e përshtatshëm për ta çuar në vend idenë e vetëvrasjes. Disa të sëmurë, shfrytëzonin kohën e ndërrimit të turnit të stafit mjekësor, momentin kur hynte në banjo apo çfarëdo shkujdesjeje nga stafi mjekësor, që ti japë fund jetës. Gjatë qëndrimit të tij në spital apo sanatorium, i sëmuri trajtohet me dozën e mjaftueshme të ilaçeve. Kjo, përkrah trajtimit intensiv psikologjik, si dhe trajtimit të përshtatshëm social dhe atij fetar, i cili ngjall shpresën tek i sëmuri duke e larguar nga alternativa e vetëvrasjes.
Me të sëmurin bisedohet disa herë në ditë, nëpërmjet stafit mjekësor dhe nuk lejohet të dalë jashtë, veçse pasi të sigurohemi se idetë dhe planet për vetëvrasje i janë larguar dhe gjendja e tij psikike është e stabilizuar. Nëse doktori vendos që i sëmuri të trajtohet në shtëpi, ai duhet të sigurohet se atje nuk i mungon mbështetja dhe ndihma e mjaftueshme gjatë gjithë kohës. Gjithashtu, ai duhet të kërkojë që ambienti të mos përmbajë armë zjarri, litarë dhe gjithçka tjetër me të cilat ai mund të vrasë veten. Doktori duhet të jetë në dispozicion të sëmurit gjatë njëzet e katër orëve, duke i dhënë numrin e tij të telefonit me qëllim që ti telefonojë në çdo kohë. Po ashtu, doktori duhet të marrë të gjithë numrat e telefonit të sëmurit dhe adresën e tij të saktë, me qëllim që të ndërhyjë në raste emergjente. Kështu, plani i trajtimit, në spital apo në shtëpi, përmblidhet në tre pika: Lehtësimi i dhimbjes psikike me çdo formë, mbështetja dhe ndihma, ofrimi i një alternative tjetër përveç vetëvrasjes.
Për shoqëritë me motive të forta fetare, vlen shumë ndihma që i ofrohet të sëmurit për të ndryshuar perceptimet e tij dhe imazhin për vetëvrasjen. Urdhrat fetare përmbajnë frikësim dhe kanosje për aktin e vetëvrasjes dhe asesi nuk shihet si formë shpëtimi dhe prehje. Në imagjinatën e të sëmurit gjejmë se perceptimi fetar e dënon ashpër aktin e vetëvrasjes, duke e përjetësuar të vetëvrarin në zjarrin e xhehemit, ku dënohet me të njëjtën formë që i dha fund jetës në këtë botë. Një perceptim i tillë, e përmbys idenë vetëvrasëse dhe e kyç portën e alternativës së vetëvrasjes. Në të njëjtën kohë, çel portën e shpresës tek mëshira e Zotit dhe shpresës për zgjidhjen e halleve sado të mëdha qofshin. Zoti gëzon pushtet të pakufi edhe për gjërat që njerëzit ndihen të pafuqishëm. Kjo jetë është jetë sprovash dhe durimi dhe të kënaqurit janë vlera të cilat shpërblehen me xhenet. Askush nuk vjen rastësisht në këtë botë dhe gjithçka që zhvillohet në univers, ndodh sipas vullnetit dhe urtësisë hyjnore. Vetëm Zoti që e ka dhënë jetën, vetëm Ai ka të drejtën të vendosë kur duhet të përfundojë ajo.
 
Perktheu: Elmaz Fida 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit