1.3 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Vetëmirënjohje!

Më të lexuarat

Justinian Topulli

Një nga sjelljet e çuditshme dhe aspak normale, e një pjese të njerëzve që mbajnë poste të caktuara, është edhe vetëmirënjohja, pra, t’ia dish për faleminderit vetes për detyrën që kryen dhe favoret që bën karshi të tjerëve, duke kërkuar natyrisht, ndonjëherë edhe me fjalë, që të tjerët të të jenë mirënjohës për këtë gjë.
Çdo institucion shtetëror apo komunitar qoftë, ngrihet së pari mbi normat dhe ligjet që rregullojnë mbarëvajtjen e tij dhe çdo funksionar i tij është së pari një shërbyes i institucionit dhe i bashkësisë së njerëzve, që ai institucion përfaqëson. Zbatimi i rregullave të institucionit është detyrim moral dhe ligjor, madje edhe fetar, dhe një fjalë e urtë thotë: nuk ka falënderim për detyrën. Kjo, sepse detyra është obligim dhe duhet kryer në mënyrë të domosdoshme, nga cilido qoftë ai, të cilit i ngarkohet kjo detyrë, ndaj dhe zbatimi i rregullave, sinqeriteti dhe korrektësia në kryerjen e një detyre, nuk duhen parë kurrë si një favor, apo një akt vetëmirënjohjeje nga ai që e kryen, sepse e kundërta është e keqe dhe e dënueshme.

Por e keqja jonë është se ne jetojmë në një anormalitet, ku ligjet nuk zbatohen, normat e rregullat nuk respektohen dhe ku në mënyrë absurde këto kundërvajtje morale dhe ligjore, që duhen dënuar, janë kthyer në normalitet. Kështu që ky anormalitet prodhon një tjetër anormalitet, që është vetëmirënjohja. Pra, kur dikush bën atë që ka për detyrë të bëjë, ndërkohë që të tjerët nuk e bëjnë, ai për këtë e ndjen veten superior dhe madje kërkon edhe të lavdërohet nga të tjerët! Kjo situatë aspak e këndshme etike është edhe një nga shkaqet që shpie drejt korrupsionit moral, ku përfshihen favorizimet e padrejta me bazë nepotike, sektare, klanore, si dhe mitmarrja. Kjo gjendje krijon një rreth vicioz, që ushqehet si nga funksionari që kërkon mirënjohje, ashtu edhe nga të tjerët, jashtë ose brenda institucionit, të cilët i kënaqin atij egon e sëmurë, duke i plotësuar kështu dëshirën për t’u mbivlerësuar.

Kjo sjellje ka dy burime, jo shumë të ndryshme origjine, njëra prej tyre buron nga anormaliteti social i një shoqërie, që postin e funksionarit nuk e sheh si të një shërbyesi të shoqërisë dhe institucionit ku shërben, por vetëm si nderim dhe prestigj që i jepet dikujt, për meritat dhe aftësitë që supozohet se ka dhe ku ai mund të bëjë çfarë të dojë. Dhe e dyta, kur institucioni shihet si çiflig i babait, pronë private e dikujt, apo trofe lufte e partisë politike, apo klanit që e sundon. Afërsia në të dyja rastet është e qartë.
Mos dënimi moral dhe ligjor i këtij fenomeni të turpshëm nxit korrupsionin dhe amoralitetin në shoqëri, ushqen servilizmin, padrejtësinë dhe mitmarrjen.
Vetëmirënjohja është një ndjenjë që buron nga mbivlerësimi i vetes, nga një lloj krenarie për atë që ke arritur. Kur arritja është fryt i përpjekjes së sinqertë individuale, brenda kritereve morale dhe përtej detyrimeve minimale që ka çdo njeri, krenaria është e drejtë. Por, kur ajo është fryt i të tjerëve, i prapaskenave, apo e mosrespektimit të normave dhe rregullave, atëherë ajo është mburrje e shëmtuar amorale dhe e padrejtë.
Ndërkohë, në sjelljen e një besimtari duhet të ketë pak, ose aspak vend edhe për krenarinë e llojit të drejtë, kjo, sepse ai duhet t’ia atribuojë çdo mirësi dhe arritje të tij Zotit, para se t’ia atribuojë vetes. Ndërkaq, nuk ka gjë më të shëmtuar dhe të padrejtë sesa vetëmirënjohja, vetëlavdërimi dhe krenaria boshe.

Allahu na tregon në Kuran, se si një grup beduinësh erdhën te Profeti i Tij dhe pranuan Islamin si fe të tyre. Pas kësaj, ata filluan t’i krenoheshin Profetit për këtë akt dhe kërkonin mirënjohjen dhe vlerësimin e tij për ta, për shkak se ata u bën vetë myslimanë, pa u detyruar dhe se nuk iu kundërvunë Profetit me luftë, siç bënë të tjerët. Por, vetë Allahu i përgjigjet pretendimit të tyre duke thënë:
“Ata të lavdërohen ty që u bënë myslimanë. Thuaju: “Mos u krenoni para meje për pranimin e Islamit nga ana juaj. Përkundrazi, Allahu e meriton falënderimin për udhëzimin tuaj në besim, nëse jeni të vërtetë.” (49: 17)
Nga ky ajet kuptohet qartë se askush nuk mund të lavdërojë veten, të kërkojë mirënjohje apo vlerësim nga të tjerët, për diçka që është obligim moral i njerëzve ndaj Zotit, e jo më të lëvdohet për zbatimin e asaj që është edhe detyrim ligjor, krahas atij moral dhe fetar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit