1.3 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Vetëm një artikull nuk mjafton

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Vetëm një artikull nuk mjafton

Shoh që njerëzit janë të pasionuar, sigurisht pozitivisht, për leximin e artikujve të shkruar në gazeta dhe internet, duke i komentuar dhe replikuar me autorët dhe lexuesit e tjerë. 
Shkrimet e ndryshme por edhe komentet, e ngrenë nivelin e gatishmërisë për dialog, bashkëjetesë dhe mirëkuptim mes njerëzve, duke i afruar dhe jo larguar, bashkuar dhe jo përçarë.
Fjala e mirë ka madhështi dhe hijeshi, kur shoqërohet me ndjenja të sinqerta.
Me fjalë mjekohen plagët, vaditen emocionet, largohet depresioni, zgjidhen problemet, përmirësohen shijet, përhapet e mira dhe respekti, forcohen vlerat morale dhe lartësohet piedestali i vlerave.
“Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli? Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë.” (Ibrahim, 24-25)
S’ka asgjë për tu çuditur, kur lexojmë se Zoti i lartësuar e ka krahasuar fjalën e mirë, me pemën e mirë, e cila jep fryte në çdo kohë, me lejen e Zotit.
Kjo pemë e mirë, interpretohet si palma arabe, gjë e cila përmendet dhe në hadithin e transmetuar nga Ibnu Umer, ku Profeti a.s i pyet shokët e tij për një pemë të cilës nuk i bien dhe nuk i vyshken gjethet. Ai e përshkroi edhe si pemë me rrënjë të forta dhe fryte që shuajnë urinë.
Ky kontekst kuranor, i mbështetur nga interpretimi profetik, nxjerr në pah rëndësinë e kulturës së shkruar, thellësinë e saj dhe shtrirjen në kohë.
“jep fruta në çdo kohë” është një tregues i jetëgjatësisë historike të fjalës së mirë, të shkruar apo të thënë. Libri, vazhdon të zërë një status të privilegjuar dhe të jetë në betejë dhe rivalitet të ashpër me mjetet e komunikimit modern.
“e cila rrënjën e ka të fortë në tokë” tregon se fjala e mirë ka rrënjë të forta, ajo depërton thellë në zemrat dhe mendjen e njerëzve të çdo brezi. Ajo është si toka pjellore, e cila kur furnizohet me ujërat e shiut, mbin bimë nga më të dobishmet.
Megjithatë, them që vetëm një artikull, sado i mirë të jetë, nuk do të thotë se problemet tashmë u zgjidhën. Mund të shkruajmë një artikull për dhunën në familje dhe sërish dhuna vazhdon, sepse zgjidhja kërkon punë të vazhdueshme, shkrime dhe këshilla të pandërprera, përpjekje kolosale, hytbe dhe artikuj, kumtesa dhe studime, trajnime dhe programe. Kjo, derisa të vijë radha e trajtimit praktik nëpërmjet komisioneve, institucioneve dhe organeve civile dhe shtetërore, të cilat ia presin krahët problemit dhe e ngushtojnë nga të katër anët, sado problem i vështirë të jetë.
Kjo vlen për çdo fenomen negativ të përhapur në shoqëri, politikë apo ekonomi, ideologjik qoftë apo në sjellje. Të flasësh për të vetëm një herë është e pamjaftueshme. Nuk është e drejtë që një vajzë të më kërkojë të flas dhe shkruaj për dhunën dhe privimin me të cilin ballafaqohet, e unë ti them se kam folur e shkruar më parë për këtë temë. Po, kam folur shpesh, por një artikull nuk mjafton, një emision i vetëm në tv apo radio nuk mjafton. Çështja ka nevojë ti qasesh nga kënde të ndryshme, në mënyra të ndryshme, herë duke përdorur emocionet, herë besimet racionale, herë argumentet historike dhe ngjarjet nga realiteti i përditshëm, duke ndikuar pozitivisht tek bindjet e njerëzve dhe orientuar ata drejt pranimit të zgjidhjeve, besimit dhe shpresës.
Një person që nuk është mësuar me buzëqeshje, do të gjejë shumë artikuj, tekste dhe motive që e nxisin të buzëqeshë kur takohet me të tjerët.
Ai do të vazhdojë të hezitojë dhe ti vijë zor, do të ndjejë se nëse buzëqesh do të shndërrohet në shënjestër kritikash, se të tjerët do e vënë re se ai po ndryshon personalitet dhe mënyrë komunikimi, derisa të ushtrojë teknikat e buzëqeshjes, të cilat janë të ngjashme me mësimin e notit. Atij i lipset të zbresë në mejdan, i lipset guxim, pasi do të përballet me hezitim. Mund t’ia mbushë mendjen vetes që:”Kjo është natyra ime. S’ka përse të gjenden të gjitha virtytet e mira tek një njeri. Këto janë gjëra që tashmë më kanë humbur…” Kjo, edhe pse prej tij nuk kërkohet ndonjë mund i madh, kohë apo pasuri. Ai thjesht do të merret me problemet e veta, ato vetjake, të cilat ndikojnë në psikologjinë dhe marrëdhëniet e tij me bashkëshorten, fëmijët, fqinjët dhe vartësit.
Një  i profetit Muhamed a.s, flet për koprracin, i cili sa herë që i shkon ndërmend të japë diçka, i ngushtohet zemra bashkë me veshjet e trupit, ai orvatet ti zgjerojë por nuk zgjerohen. E njëjta gjë vlen dhe për moralet dhe virtytet.
Sado shumë të flasim për një problematikë, kjo nuk do të thotë se ajo mori zgjidhje dhe se roli ynë përfundoi. Jo më kot, Zoti ka sjellë një libër plot me tekste. Njerëzit duhet të nxjerrin mësime prej tyre dhe të ndikohen pozitivisht.
 
Përktheu: Elmaz Fida

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit