1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Vetëm “jasht’ja” siguron konsumin në Kosovë

Më të lexuarat

Remitencat sigurojnë konsumin

Dërgesat e emigrantëve kosovarë vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit, duke nxit rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla.

Për shkak të gjendjes se rëndë sociale, shumica e remitencave shfrytëzohen për konsum, thonë ekspertë për çështje ekonomike por edhe vetë qytetarët.

Ramë Hajdari, qytetar nga Prishtina, tregon se me mjete financiare i ndihmon vajza e tij, që jeton dhe punon në Angli.

Paratë e pranuara, ai i shfrytëzon për konsum dhe pagesën e shërbimeve komunale.

“Na ndihmon, punon atje, profesoreshë e gjuhës angleze, kushtet i ka të mira, nuk e ka prekur kriza personalisht, kështu që po i mbetet diçka edhe për ne, që të na ndihmojë”.

“Na duhen për jetën e përditshme, sepse dihet këtu pagat janë të dobëta, mos me qenë ajo, nuk di se çfarë kishim bë. Ajo po na ndihmon me të gjitha, me ato para po paguajmë rrymën, ujin, mbeturinat. Familja ime po kalon mirë, duke iu falënderuar asaj”, thotë Hajdari për Radion Evropa e Lirë.

Demush Haziri, pensionist, dikur profesor i Artit Figurativ, thotë se pensioni që merr nuk mjafton për të gjitha shpenzimet nevojshme për jetë, kështu që në ndihmë më para i del vajza e tij, që jeton në Itali.

“Unë jetoj më ato para, sepse jam pensionist, ajo e di se pensioni është i vogël, ndërsa unë i shfrytëzoi për konsum, vetëm sa të mbijetoj. Sepse pensioni prej 112 eurosh nuk mjafton për pesë ditë”, shprehet Haziri.

Edhe hulumtues në institutin “RIINVES” që disa herë kanë bërë analiza për efektet e remitencave në Kosovë, dhe pohojnë se mbi 90 për qind e dërgesave të emigrantëve shfrytëzohen për konsum bazik nga pranuesit.

Diellza Gashi, hulumtuese në këtë institut, thekson se efekti kryesorë i këtyre remitencave është të ndihmojë në financimin e konsumit dhe zvogëlimin e varfërisë.

“Remitencat nuk po ndikojnë në hapjen e vendeve te reja të punës, por, kryesisht po ndihmojnë konsumin e familjeve, qoftë për shëndetësi, për renovim të shtëpive, apo edhe për konsum të përditshëm. Kjo do të thotë që e rritë konsumin dhe e zbutë varfërinë. Megjithatë, shfrytëzimi i remitencave për konsum tregon gjendjen e rendë ekonomike”, thotë Gashi.

Madje sipas disa hulumtimeve të organizatave ndërkombëtare, thuhet se Kosova është ndër vendet me më se shumti dërgesa të pranuara.

Remitencat, sipas këtyre organizatave, llogaritet se përbëjnë 18 për qind të GDP-së.

Një ndër faktorët që konsiderohet i rëndësishëm për nivelin aktual të dërgesave të diasporës në Kosovës, sipas Naim Gashi, ekspert për çështje ekonomike, është i natyrës sociale dhe tradicionale.

Ai e quan paradoksale faktin kur kriza financiare preku vendet e Bashkimit Evropian, ku është e koncentruar diaspora kosovare, dhe të mos ketë efekt në reduktimin e remitencave në Kosovë.

“Dërgesat nga diaspora janë jetike për GDP-në e Kosovës, për përmirësimin e bilancit në raport për vendet e tjera. Në fakt, remitencat në Kosovë llogariten edhe si neto eksport për arsye se ne, pavarësisht që nuk dërgojmë mallra jashtë vendit, ato janë të hyra shtesë për shtetin dhe ekonominë e Kosovës”, thekson Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, Naim Gashi konsideron se viteve të fundit ka ndryshuar struktura e remitencave, edhe pse sipas tij, varësia nga remitencat mbetet e lartë.

“Më parë remitencat kanë qenë dërgesa të drejtpërdrejta për familjet e tyre, ndërsa në vitet e fundit, ka pasur një ulje të dërgesave të drejtpërdrejta. Mirëpo, kosovarët që jetojnë në diasporë, gjatë qëndrimit të tyre, sidomos gjatë muajve të verës dhe dimrit, kanë shpenzime jashtëzakonisht të larta, krahasuar me pjesën tjetër të popullatës. Dhe ato shpenzime janë hyrje e parasë kesh në Kosovë”, shprehet ai.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, dërgesat e kosovarëve në nëntëmujorin e vitit të kaluar, arrin në 436.7 milionë euro, krahasuar më 428.2 milionë në të njëjtën periudhë të vitit 2011./rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit