Feja, normat dhe dispozitat e saj nuk janë ideologji njerëzore, të tilla që gjykojnë vetëm bardh e zi, sipas modeleve utopike, ku njeriu është vetëm i mirë ose vetëm i keq, vetëm i udhëzuar ose vetëm i devijuar, ka besim ose nuk ka fare, është sunij i pastër 100% ose është bidatçi i thekur 100%!
Islami i përgjigjet jetës njerëzore dhe shumica e njerëzve nuk janë dhe nuk mund të jenë të kulluar, do të kenë patjetër pak ose shumë nga të gjitha. I tillë është njeriu. Ashtu siç njeriu e ka besimin me lëkundje dhe herë bën vepra të mirë e herë të këqija, ashtu edhe doktrina (akidja) e tij dhe praktika mund të kenë gjëra të sakta dhe të gabuara. Ideja se gabimet në praktikën fetare falen dhe ato në akide jo, është e gabuar, sepse feja e Zotit është një, pavarësisht ndarjeve akademike mes fikhut dhe akides. P.sh. Ibn Tejmije ka folur gjatë për këtë temë, duke e sqaruar me detaje këtë ide të gabuar.
Është e habitshme sesi njerëzit nuk pranojnë kurrë të gjykohen vetëm bardh e zi, ata dhe soji i tyre, ama nuk e kanë fare problem t’i gjykojnë të tjerët kështu! Ku është drejtësia këtu?! Përse me dy standarde?!
Ibn Tejmije ka thënë:
“Nëse e mira, e keqja, imoraliteti, bindja dhe mosbindja, suneti dhe bidati bashkohen në një njeri – ai meriton uela (mbështetje, solidarizim, dashuri) dhe shpërblim, sipas sasisë të së mirës që ka në të, dhe meriton armiqësi dhe ndëshkim në masën e së keqes që ka në të. Pra, në një person të vetëm bëhen bashkë gjërat që imponojnë edhe nderimin edhe poshtërimin, tek ai bëhen bashkë edhe kjo edhe ajo, njëlloj si një hajdut i varfër, të cilit i pritet dora për vjedhje, por edhe i jepet ndihmë nga thesari i shtetit, aq sa i mjafton për nevojën e tij. Ky është parimi, mbi të cilin janë pajtuar ehli suneti uel xhemah (sunitë), ndërsa havarixhët dhe mu’tezilitët dhe ata që pajtojnë me ta, nuk kanë rënë dakord me këtë gjë.” (Mexhmuah el-Fetaua 28/209)
Të dënosh gabimet, devijimet e një grupi mes muslimanëve dhe të mos pajtohesh me të, në shumë ose pak gjëra, nuk do të thotë se duhet të mohosh tek ai edhe atë që është e drejtë dhe e saktë. Profeti (alejhi salatu ue selam) u distancua një herë nga një veprim i gabuar i Halid ibn Uelidit në mënyrë publike, por nuk e hodhi atë poshtë si njeri. Po kështu, e ndëshkoi dikë që konsumonte pije dehëse, por nuk lejoi që ta mallkonin, sepse vlerësoi tek ai dashurinë që ai kishte për Allahun dhe të dërguarin e Tij.
Shembuj të tillë dhe argumente se njerëzit nuk mund të gjykohen vetëm bardh e zi, sidomos kur janë pjesë e ymetit islam, janë të shumta, ndaj nëse ne jemi urdhëruar në Kuran të jemi të drejtë edhe me jomyslimanë dhe armiqtë më të egër, çfarë mund të themi për atë që thotë shehadetin dhe vë kokën në sexhde si ne?!