1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Vështrim kutubhaneve dhe zhvillimit të tyre në Kosovë* (Zanafilla, rrita dhe historiku)

Më të lexuarat

“Në të cilat ka vetëm dispozita të drejta e të qëndrueshme” (Kaptina “El-Bejjine”, 3)

“Një vend pa libra…është si qyteti pa pasuri, kështjella pa ushtarë, kuzhina pa enë, salla e bukës pa ushqime, kopshti pa barë, livadhi pa lule, druri pa gjethe.” (Umberto Eco, “Emri i trëndafilit”)

HYRJE

Kurani është libër fetar që urdhëron qysh në ajetin e parë të tij leximin. Edhe Pejgamberi a.s., të cilit iu shpall ky libër, e urdhëronte ymmetin e tij në këtë rrugë. Edhe ashabët e respektuar dhe dijetarët e tjerë të mëdhenj islamë, ashtu siç qenë bërë shembull i qartë, për sjelljet e bukura dhe zemërgjerësinë e tyre, po ashtu ata nuk qëndruan anash as në shërbimet për dituri, njohuri dhe qytetërim, dhe as në dëshirën e themelimit të qytetërimit.(1)

Kështu, duke pasur parasysh urdhëresat e Kur’anit dhe Synetit të Pejgamberit a. s. dhe porositë e dijetarëve islamë lidhur me leximin, mësimin e kërkimin e diturisë, myslimanët qysh në vitet e parë të Islamit u angazhuan me të gjitha mundësitë e tyre për të mësuar e përfituar diturinë. Fillimisht ky angazhim u përqendrua më tepër në fushën fetare, sepse

një pjesë e konsiderueshme e njohurive lidhej me detyrimet fetare (ibadetet) ditore, javore e vjetore. Ato detyrime nuk mund të kryheshin pa përfitimin e njohurive fetare. Një mysliman që duhej të agjëronte ose të falej i duhej të ngrinte kokën e të hulumtonte qiellin. Në këtë mënyrë ai ishte i detyruar të njihte qoftë edhe përciptas astronominë. Një tjetër që donte ta kryente haxhin duhej të kishte njohuri të thjeshta në gjeografi, një tjetër që do të ndjente detyrimin e dhënies së zekatit duhej të njihte qoftë edhe në një shkallë të ulët matematikën.(2)

Me vendosjen e sundimit osman në trojet shqiptare e rrjedhimisht edhe në Kosovë (shek. XIV- XV), dhe sidomos me përhapjen e Islamit, i cili pati ndikim të ndjeshëm edhe në mënyrën e jetesës, por edhe në kulturën materiale e shpirtërore, nisi kontakti i shqiptarëve me kulturën orientale islame, edhe pse shqiptarët historikisht kanë pasur lidhje kulturore si me Perëndimin ashtu edhe me Lindjen.(3)

Mirëpo, me përqafimin e Islamit nga ana e tyre, lidhjet me Lindjen u zgjeruan, u shtrinë në disa fusha dhe u bënë më të drejtpërdrejta për një shtresë më të madhe të popullsisë. Përhapja e Islamit në trojet shqiptare, s’ka dyshim se ka luajtur një rol të dorës së parë në këtë drejtim, por jo edhe përcaktues. Themi jo përcaktues sepse kanë qenë, në radhë të parë, vlerat e larta të qytetërimit islam dhe të kulturës islameorientale ato që kanë hapur rrugën vetes për të gjetur admirues në mesin e shumë popujve të tjerë, pra edhe te shqiptarët. Ndërsa përhapja e xhamive, mektebeve, medreseve, teqeve dhe kutubhaneve(4) kanë ndikuar në mënyrë të ndjeshme në zgjerimin e lidhjeve dhe të marrëdhënieve të ndërsjella kulturore shqiptaro-orientale. Këto institucione të shumta, e institucionalizuan depërtimin kulturor të osmanëve në vendin tonë. Porse këto institucione nuk shërbyen vetëm si mjete të përvetësimit ideologjik në duart e qeveritarëve osmanë, siç është bërë zakon të thuhet. Ato u shndërruan në qendra të popullarizimit të arritjeve të shkëlqyera të qytetërimit islam, sidomos në fushën e letërsisë, në radhë të parë të poezisë, dhe të filozofisë. Dhe jo vetëm kaq. Por ato u shndërruan edhe në qendra të studimit të kësaj trashëgimie, në qendra të lëvrimit e të vjershërimit në gjuhën arabe, turke dhe perse.(5)

Xhamitë, medresetë, teqetë, kutubhanet, etj., kanë ndikuar pa dyshim në vetë popullatën, në kulturën e saj, në zhvillimin moral, në zakonet, në arsimin fetar e artistik dhe në aspekte të tjera. Historia e edukimit dhe e arsimit islam në Kosovë ka një lidhje të ngushtë me kutubhanet – bibliotekat islame, sepse midis shkollave islame (mektebeve, medreseve etj.) dhe kutubhaneve ka ekzistuar një marrëdhënie e ngushtë dhe e veçantë.

Shkollat islame edhe në Kosovë, sipas rregullit, ishin të pajisura me biblioteka të pasura. Kutubhanet si institucione, kanë ndikuar shumë në zhvillimin kulturor dhe në ngritjen arsimore të popullatës myslimane të këtyre anëve.

Në përgjithësi në Botën Islame, krahas medreseve, edhe kutubhaneve u jepej një rëndësi e veçantë. Edhe pranë një xhamie pothuaj gjithnjë gjendej një bibliotekë, madje çdo xhami kishte bibliotekën e vet, në mos më shumë, gjithsesi me disa libra e dorëshkrime më të domosdoshme për nëpunësit e xhamisë, dhe sidomos “Mus’hafe” që shërbenin për lexim nga xhematlinjtë. Kutubhane me dorëshkrime e libra të çmuar kishin edhe njerëzit e pasur dhe të arsimuar, kurse numri i bibliotekave private në Kosovë, sikurse është dëshmuar, ka qenë shumë i madh, por fatkeqësisht nga stuhitë e kohës e sistemet e ndryshme, ato janë shkatërruar.(6)

Ndër bibliotekat islame – kutubhanet më të vjetra në Kosovë është ajo që e themeloi më 1513 poeti dhe alimi prizrenas, Suziu, pastaj ajo e “Mehmed Pashës” në Prizren, themeluar në vitin 1573, e cila ekziston edhe sot dhe ruan afro 200 dorëshkrime islame – orientale. Edhe në qytetet e tjera u themeluan biblioteka, si biblioteka e “Atik Medresesë” në Pejë, e cila ka pasur një koleksion të çmueshëm të librave dhe të dorëshkrimeve orientale, pastaj në Gjakovë më 1733 u hap biblioteka e “Medresesë së Madhe”(7) dhe biblioteka të tjera që dihen e që nuk dihen.

Për institucionin e kutubhaneve në Kosovë kanë shkruar studiuesit e njohur Dr. H. Kaleshi(8), Dr. M. Mujezinoviç(9), Dr. J.Rexhepagiç(10), M. Beqirbegoviç(11), M. Shukriu(12), R. Virmiça(13), R. Rexhepi(14), S. Mehmeti(15) e ndonjë tjetër që mund të ketë botuar ndonjë shkrim a të dhënë, megjithëse roli dhe kontributi i institucionit të kutubhaneve në Kosovë, po edhe më gjerë, me sa dimë, ende nuk është studiuar në mënyrë të mjaftueshme dhe nuk është arritur të bëhet një studim tërësor i përmbajtjes dhe i veprimtarisë së këtyre institucioneve.

Fillet dhe zhvillimim i kutubhaneve në Botën Islame, në Perandorinë Osmane dhe te ne

Të shtyrë nga aspekti shpirtëror dhe nga nevoja praktike, në Botën Islame shumë herët ka filluar mbledhja, ruajtja dhe shumimi i fjalës së shkruar.(16)

Vende koncentrimi të fjalës së shkruar kanë qenë, sikurse u tha, xhamia, mektebet, medresetë, kutubhanet, teqetë, spitalet dhe shtëpitë private. Dihet mirëfilli se ndikimin kryesor për zhvillimin e shkrim-leximit dhe për përhapjen e librave, e ka pasur burimi i parë i mësimeve të Islamit – Kurani Fisnik, i cili, para së gjithash, i nxit dhe i porosit njerëzit që ta shfrytëzojnë fjalën e shkruar dhe leximin e saj (kira’a) dhe ai i përmend: suhufet – fletushkat(17), Kuranin/kitabin – libër i cili lexohet(18), sixhil-lin – letër e shkruar(19), kalemin – midadin – penën dhe ngjyrën(20) etj.

Pastaj Kurani i porosit njerëzit në kërkimin e diturisë, që nënkupton edhe fjalën e shkruar(21). Ai kërkon shkrimin e porosive dhe vasijeteve.(22)

Pastaj, në Kuran tregohet se shfrytëzimi i Librit- el-kitab, i cili i është “shpallë botës mbarë”, është e drejtë e të gjithë njerëzve dhe jo privilegj e vetëm disave(23) etj.

Po ashtu, është i njohur fakti se i dërguari i Allahut, Muhammedi a.s., ka porositur që në të gjallë të tij shkrimin e shpalljes së Kuranit (i shpallur midis viteve 611-632). Fjalët, mësimet, këshillat e porositë e tij, sikurse edhe të disa ashabëve, kanë qenë lëndë shkrimi dhe të ruajtjes.

Nga ana tjetër, njohja e të rinjve me Islamin, sikurse edhe pranimi i Islamit nga njerëz të rinj, në një sipërfaqe të gjerë gjeografike, që nga Kina deri në Atlantik, ka shtruar nevojën për shkrimin e ilmihalëve, doracakëve të ndryshëm dhe të literaturës jo vetëm nga fusha të dijes e të shkencës islame, po edhe të tjerë. Kurse hyrja nën flamurin e në kufijtë e shtetit dhe të shoqërisë islame e shumë popujve me mësime religjioze, filozofike dhe etike të ndryshme, ka kërkuar nga ulemaja islamë që të ruhen nga këto mjedise dhe nga këto ide, e shpeshherë edhe të zhvillohen dialogë dhe biseda me ta, me qëllim që t’i përvetësojnë ata dhe t’i largojnë nga idetë dhe mësimet e tyre, ose të paktën, t’i mbrojnë mësimet islame nga sulmet dhe kritikat e tyre

Jetesa e myslimanëve në një mes etnik dhe fetar heterogjen, ka bërë që myslimanët të përballeshin nga ndikimet e ndryshme filozofike-etike. Kjo ka shtyrë që ata të ruajnë mësimet islame nga këto ndikime, që ka rezultuar me shkrimin dhe ruajtjen e librave të shumtë.

Lufta për pushtet dhe rivalitetet reciproke të disa popujve myslimanë (arabëve, persianëve, berberëve, turqve e shumë të tjerëve) gjithashtu ka ndikuar në studimin e prejardhjes së familjeve, fiseve dhe popujve, historisë së tyre, së bashku me përshkrimin e vendeve, mundësive fetare kulturore dhe ekonomike, si dhe të tipareve psiko-fizike të tyre.

Duke pasur parasysh se për këto studime duhej të ofroheshin disa argumente fetare, kjo shkaktoi sfidën për provokimin e hulumtuesve të drejtësisë (fikut), apologjitikës, etikës, filozofisë, linguistikës, letërsisë dhe disiplinave të tjera shkencore, që aktivisht të merrnin pjesë në zgjidhjen e shumë problemeve të paraqitura në rrethin në të cilin ata jetonin.(24)

Ringjallja e qendrave të lashta kulturore (Damaskut, Aleksandrisë, Semarkandit, Isfahanit) dhe ndërtimi i qendrave të reja (Medinës, Kufës, Basrës, Bagdadit, Kajros, Fesit), në të cilat po përqendrohej kapitali, ka bërë të arrihej deri te një gjendje e mirë materiale, andaj u mundësoi banorëve të atyre qendrave dhe rajoneve të merreshin me letërsi, filozofi, art dhe me shumë zeje, për të cilat po ashtu flitej e shkruhej.

Pikërisht një pjesë e këtyre punimeve, shqyrtimeve dhe shprehjeve arabe, turke e perse do të shtrihet edhe në viset e tona, të cilat do të përshkruhen dhe do të lexohen e studiohen në medresetë dhe do të shqyrtohen dhe arsyetohen nëpër xhami, teqe, shtëpi e kutubhane.(25)

Kështu, bibliotekat më të njohura në Botën Islame kanë qenë: në Bagdad (“Bejtu-l-Hikme” themeluar më 830 dhe “El-Mustensirijje”, themeluar më 1234), në Kajro (“Daru-l-Hikme-l-ilmijje”, themeluar më 1005 dhe “Al Azhar” themeluar më 975); në Kordovë (biblioteka e Hakemit II (961-976), etj., të cilat kanë qenë biblioteka publike. Biblioteka (gjysmëpublike) kanë pasur pallatet e dinastive të ndryshme, p.sh., Emevinjtë, (në Damask dhe në Kordovë), Abasidet (në Bagdad), Samanidët (në Samerkand dhe Buhara), Gaznevinjtë (në Gazna), Fatiminjtë (në Kajro), Ejubinjtë (në Damask), Idrisinjtë (në Fes), Osmanlinjtë (në Stamboll) etj.(26)

Biblioteka (private) kanë pasur disa vezirë të këtyre dinastive si dhe dijetarët dhe ulematë e njohur islamë, juristët, poetët, por edhe tregtarët, esnafët – zanatlinjtë etj.(27)

Edhe në shoqërinë osmane kutubhanet kanë pasur vlerë të madhe. “Osmanlinjtë, shkruan historiani i mirënjohur i Perandorisë Osmane Halil Inalxhik, kutubhanet i kanë themeluar nëpër xhami, nëpër spitale dhe nëpër teqe, por kanë themeluar edhe kutubhane private nëpër shtëpitë e tyre. Shumë përmbledhje librash private kanë arritur nëpër kutubhanet e vakëfeve, sepse është konsideruar gjë shumë e çmueshme që librat të dhuroheshin për ndonjë hajrat. Biblioteka ka përfaqësuar njësinë e veçantë në përbërje të vakëfit; zakonisht ka qenë e vendosur në ndonjë lokal prej guri ose në ndonjë godinë të ndarë. Me vakëfname është përcaktuar se si duhet të ruhen dhe të shfrytëzohen librat. Po ashtu është emëruar bibliotekari, i cili ka marrë rrogë nga fondet e vakëfit. Në këto biblioteka sot e kësaj dite ruhen mbi dyqind mijë dorëshkrime të epokave të ndryshme nga të gjitha vendet e Botës Islame që përbëjnë burimin më të pasur të konstruksionit historik dhe kulturor të islamit”.(28)

Nga koha kur trevat tona drejtpërdrejt janë njohur me fjalën e shkruar orientale – islame, shek. XIV e deri më sot, ajo ka pasur një përvojë, traditë dhe përmbajtje shumë të pasur. Kësisoj, edhe te ne janë themeluar kutubhanet e para, si në Prizren, Gjakovë, Pejë, Prishtinë etj., të cilat, sipas studiuesve, u kanë takuar disa llojeve të kutubhaneve.

Gjatë shekujve të kaluar, kutubhanet kryesisht kanë qenë pranë xhamive dhe medreseve, qoftë në brendi të tyre, qoftë në anekset e tyre. Edhe dijetarët – ulemaja natyrisht që kanë pasur kutubhanet e tyre, të cilat u kanë takuar kutubhaneve private-personale. Këto të fundit, kryesisht kanë qenë shumë të pasura me libra dhe dorëshkrime nga gjuha arabe, osmane dhe perse, qoftë vepra të autorëve tanë, qoftë të autorëve të huaj.

Ndarja e kutubhaneve

Për sa i takon ndarjes së kutubhaneve, ç‘është e drejta, në literaturën që disponohet, kemi hasur disa mendime. Kështu, p. sh., studiuesi boshnjak mr. Nijaz Shukriç(29), mendon se kutubhanet në Botën Islame, e rrjedhimisht edhe në Perandorinë Osmane, e përmes saj edhe te ne, janë ndarë në:

1. Biblioteka publike (bibliotekat e vakëfeve)

2. Biblioteka gjysmëpublike (pranë pallateve) dhe

3. Biblioteka private.(30)

Ky studiues, madje konstaton se te ne, (Kosovë, Bosnjë, Maqedoni), në përgjithësi, janë njohur vetëm këto dy të parat, d.t.th., bibliotekat publike (të pavarura ose pranë ndonjë institucioni) dhe bibliotekat private. Bibliotekat gjysmë publike, të shumtën, shkruan ky autor, kanë qenë nëpër metropole, pranë pallatit të ndonjë kalifi, sulltani ose pranë pallatit të ndonjë veziri. Edhe këto biblioteka kanë qenë në shfrytëzim, por vetëm me leje të veçantë.(31)

Nga ana tjetër, studiuesi dr. Hasan Kaleshi(32), mendon se kutubhanet, sidomos ato të periudhës së hershme të qeverisjes osmane në viset tona, mund të ndahen në tri lloje:

1. Bibliotekat private (personale)

2. Bibliotekat e xhamive, mesxhideve dhe teqeve

3. Bibliotekat e medreseve, që sipas tij, ky ishte lloji më i rëndësishëm i bibliotekave, sepse në një farë mënyre ato ishin biblioteka publike, se qytetarët kishin mundësi t’i huazonin librat, t’i lexonin apo t’i përshkruanin ato.

Një ndarje të ngjashme të kutubhaneve si të dr. H. Kaleshit, me pak ndryshime, e gjejmë edhe te studimi i prof. Resul Rexhepit.(33) Të njëjtin mendim kemi parapëlqyer edhe ne, sepse, kujtojmë se është më i detajuar dhe përkon me zhvillimin, rritën dhe historikun e kutubhaneve te ne.

Sido që të jetë, është më se e njohur se kutubhanet private i kanë themeluar disa dijetarë, personalitete të rëndësishme si dhe dashamirët e librit, të cilët kishin bërë punë të ndryshme gjithandej intelektuale e profesionale dhe të cilët kishin mundësi për blerjen e librave.

Është e njohur po ashtu se librat ishin shumë të shtrenjtë, sepse ata shkruheshin me dorë dhe ilustroheshin me ilustrime të ndryshme. Të shumtën e rasteve këta libra liheshin vakëf para vdekjes së pronarëve të tyre, apo ndodhte që ata t’i lënin vakëf trashëgimtarët e tyre pas vdekjes, për disa shkolla (medrese), bibliotekat e të cilave ishin rritur në këtë mënyrë dhe ishte rritur numri i librave në to.

Bibliotekat e xhamive ruanin kryesisht dorëshkrime të “mus-hafeve” dhe “xhuze” të veçantë të tij, si dhe libra fetarë të përgjithshëm. Këta libra u jepeshin në dispozicion njerëzve për lexim apo për përshkrimin e tyre. Teqetë, po ashtu kanë pasur bibliotekat e tyre, të cilat të shumtën e rasteve në fondin e tyre kishin përfshirë kryesisht vepra të karakterit mistik.(34)

Dokumentet e ndryshme flasin për disa personalitete të rëndësishme, që kanë lënë vakëf dhe i kanë dedikuar për këto biblioteka kopjet më të bukura të Kuranit si dhe një numër të madh të librave të tjerë.

Siç përmendëm më sipër, bibliotekat më të rëndësishme dhe më interesante, si për nga funksioni i tyre, ashtu edhe për sa i takon përbërjes së fondeve, kanë qenë ato kutubhane që gjendeshin pranë komplekseve shkollore (medreseve, mektebeve etj.), sepse ato ishin më të pajisura, kishin një numër të madh të librave dhe ishin më të dobishme në aspektin përmbajtësor. Dhe se secila bibliotekë ishte e pajisur me veprat më të njohura në lëmin e shkencave natyrore dhe fetare, të cilat mësoheshin në atë kohë. Si bibliotekat po ashtu dhe medresetë, në atë kohë ishin të themeluara vetëm sipas sistemit të vakëfit.

Meqenëse vakëfi ishte institucion i bamirësisë dhe librat ishin prej gjërave që mund të liheshin vakëf, shumë biblioteka, të cilat në kohën e themelimit të tyre ishin shumë modeste, me kalimin e kohës u pajisën me një numër të konsideruar të librave. Kështu ne nuk i shohim vetëm personalitetet e njohura dhe të pasurit, që lënë libra vakëf, por këtë e bënin edhe njerëzit, që kishin një pasuri modeste, madje edhe zanatçinjtë e ushtarët (gazitë), të cilët jo vetëm që kanë lënë vakëf libra, po ata i hasim të kenë qenë edhe përshkrues e kopjues të tyre.(35)

Prej dokumenteve të vakëfeve të ndryshme, shohim se mësuesit ishin ata që kujdeseshin për këta libra, atëherë kur bibliotekat ishin të vogla, ndërsa sekretari i bibliotekës, apo siç quhej ruajtësi i librave (hafiz-i kutub)(36), atëherë kur bibliotekat ishin të mëdha.

Dëshirën që libri të jetë sa më mirë dhe sa më shumë i shfrytëzueshëm e gjejmë të përmendur në çdo vakëfname ku përmenden librat e vakëfuar. Njëjtë është edhe me shënimet për vakëfnimin e vetë librave. Nëse vakëflënësi ka lënë edhe ndonjë shënim a porosi të veçantë, si p.sh., që akëcili libër të mos shitet, të mos dhurohet, të mos lihet peng, të mos nxirret jashtë vendit ku është vakëfuar, atëherë ky libër ka qenë në shërbim të gjerë. Përveç blerjes së dorëshkrimeve nga qendrat e vjetra islame (Mekë, Medinë, Damask, Jerusalem, Bagdad, Kajro, Brus, Stamboll etj.), kopjimi i librave ka qenë burim shumë domethënës. Në Kosovë kjo veprimtari ka qenë mjaft e zhvilluar (sidomos nëpër medrese).(37) Madje edhe pas osmanlinjve dhe përhapjes së librit të botuar, kjo traditë, kujtoj, nuk është ndërprerë.(38)

Prandaj, na thotë mendja, do të ishte me interes shkencor për kulturën dhe të kaluarën tonë islame dhe kombëtare sikur të studioheshin dhe të njiheshin në mënyrë meritore institucioni i kaligrafistëve (hat-tat), miniaturistëve (res-sam) dhe të libërlidhësve (muxhel-lid), të cilët sigurisht se nuk kanë qenë në numër të paktë.

_____________________

Fusnotat:

* Pjesë nga punimi i diplomës me titull “Kutubhanet dhe roli i tyre në zhvillimin e kulturës islame në Kosovë”, mbrojtur më 30 shtator 2005 në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë.

1. Sami Frashëri, Qytetërimi islam, Shkup, 2002, f. 35.

2. Prof. dr. Ziya Kazici, Historia e arsimit islam, Tiranë, 2001, f. 3.

3. Dr. Shefik Osmani, Klasikët e Lindjes në gjuhën shqipe, “Univers”, nr. 1, Tiranë, 2001, f. 45.

4. Fjala kutubhane rrjedh nga fjala arabe “kutub” – libra dhe nga fjala perse “hane”-shtëpi, ndërtesë, d.m.th. bibliotekë. Ne gjatë shtjellimit të punimit tonë, të shumtën, kemi parapëlqyer që fjalën bibliotekë ta përdorim në origjinal: d.m.th. kutubhane, megjithëse, edhe emërtimi bibliotekë islame, sipas mendimit tonë, do të ishte i pranueshëm. Kurse, nuk pajtohemi në asnjë mënyrë me qëndrimin e disave, siç kemi parë kohëve të fundit, që në vend të fjalës kutubhane ose bibliotekë islame të përdorin fjalën kuranotekë (madje: Kuranotekë), sepse, një gjë e tillë, për mendimin tonë, është tepër naive, e paqëndrueshme shkencërisht dhe e dëmshme. Sepse po t’i thuash bibliotekës islame kuranotekë, d.m.th. të ngushtosh veprimtarinë e bibliotekës islame në një vend vetëm për ruajtjen e Kuranave, sa kohë që, dihet fakti, që ka vetëm një Kuran të shtypur në shumë kopje.

5. Gazmend Shpuza, Jeta letrare në gjuhët orientale në Shqipëri, “Perla”, 14, Tiranë, 2001, f. 5.

6. Sadik Mehmeti, “Biblioteka Qendrore e Vakëfit” në Prishtinë 1951-1961, “Dituria Islame”, nr. 1960-1961, Prishtinë, 2003, f. 39.

7. Madzida Becirbegovic, Prosvjetni objekti islamske arhitekture, “Antikitete të Kosovës”, nr. VI-VII, Prishtinë, 1972-1973, f. 81-96.

8. Hasan Kaleshi, Prizren kao kulturni centar za vreme turskog perioda, “Albanoloshka istrazivanja”, 1, Prishtinë, 1962, fq. 91-117. Hasan Kaleši, Spomenici islamske arhitekture i orijentalni rukopisi, Kosova nekad i danas, Beograd, 1973, 478. Dr. Hasan Kaleshi, Dorëshkrimet arabe në Jugosllavi, “Edukata Islame“, nr. 70, Prishtinë, 2003, f. 58-72.

9. Mehmed Mujezinovic, Kolekcija Orijentalnih rukopisa biblioteke Mehmed-Pašine dzamije u Prizrenu, “Starine Kosova”, br. II-III, Priština, 1963, f. 198-205.

10. Dr. Jašar Redzepagic, Razvoj prosvete i školstva albanske narodnosti na teritoriji današnje Jugoslavije do 1918 godine, Priština, 1968; Po ai: Faltore, Institucione dhe qendrat islame në Kosovë (Xhami, teqe, Kutubhane, vakëfe), “Edukata Islame”, nr. 65, Prishtinë, 2003, f. 47-55.

11. Madzida Becirbegovic, Prosvjetni objekti islamske arhitekture, “Antikitete të Kosovës”, nr. VI-VII, Prishtinë, 1972-1973, f. 81-96.

12. Muhamet Shukriu, Prizreni i lashtë, morfologjia e ecurive për ruajtjen e kulturës materiale, Prizren, 2001.

13. Raif Virmiça, Kosova’da osmanli mimari eserleri, Ankara, 1999.

14. Resul Rexhepi, Vakëfi institucion shumë i rëndësishëm islam, “Edukata islame”, nr. 57, Prishtinë, 1995, f. 45-59.

15. Sadik Mehmeti, “Biblioteka Qendrore e Vakëfit” në Prishtinë 1951-1961, “Dituria Islame”, nr. 1960-61, Prishtinë, 2003, f. 40

16. Shih Kasim Dobraca, Uticaj Kurana na širenje pismenosti, kaligrafije i ornamentike medu islamskim narodima, Glasnik, VIS, Sarajevë, nr. 4-6, Sarajevë, 1962, 120-123.

17. Kaptina “El-A’la”, 18-19.

18. Kaptina “El-Bekare”, 1.

19. Kaptina “El-Enbija”, 104.

20. Kaptina “El-Kalem’, 1; Kaptina “el-Kehf”, 109.

21. Kaptina “El-Alak”, 1; Kaptina “Ta Ha”, 114.

22. Kaptina “En-Nisa”, 12.

23. Kaptina “El-Kalem”, 52.

24. Mr. Nijaz Sukric, Gazi Husrev-Begova biblioteka – doprinos uvakufljene knjige obrazovanom procesu kod nas, “ANALI”, Gazi Husrev-begove biblioteke, knjiga, IX-X, Sarajevë, 1983, f. 294.

25. Mr. Nijaz Sukric, Gazi Husrev-Begova biblioteka – doprinos uvakufljene knjige obrazovanom procesu kod nas, “ANALI”, Gazi Husrev-begove biblioteke, knjiga, IX-X, Sarajevë, 1983, f. 293.

26. Epërsinë e bibliotekave të myslimanëve karshi atyre të botës së krishterë, në mënyrë shumë objektive e përshkruan në romanin e tij “Emri i Trëndafilit”, Prishtinë, 2005, f. 43, shkrimtari i njohur Umberto Eco, ku thotë: “…Di se abacia juaj është e vetmja dritë që krishterimi mund t’u kundërvihet atyre tridhjetë e tri bibliotekave të Bagdadit, dhjetë mijë kodikëve të vezirit Ibn elAhkami, se numri i biblave tuaja është baras me dy mijë e katërqind Kuranët (në dorëshkrim – O.M.) që ka Kajroja dhe se përmbajtja e rafteve tuaja është një pamje e shkëlqyer kundër legjendës krenare të të pabesëve (lexo: myslimanëve – O. M.) që vite më parë e paraqitnin bibliotekën e Tripolit si të pajisur me gjashtë milionë vëllime dhe të banuar nga tetë mijë komentues e dyqind shkrues…”

27. Filip Hiti, Istorija Arapa, Sarajevë, 1967, f. 374-377, 480, 560; Ahmed Shelebi, Tarih et-Terbijjeh el-islamijjeh, Kajro, 1966, fq. 180-205, Cituar sipas, Mr. Nijaz Sukric, Gazi Husrev-Begova biblioteka – doprinos uvakufljene knjige obrazovanom procesu kod nas, “ANALI”, Gazi Husrev-begove biblioteke, knjiga, IX-X, Sarajevë, 1983, f. 294.

28. Halil Inalxhik, Perandoria Osmane (periudha klasike 1300-1600), Shkup, 1995, f. 252

29. Mr. Nijaz Šukric, op. cit. f. 291-304.

30. Mr. Nijaz Šukric, op. cit. f. 294.

31. Kështu, p.sh. Ibn Sinait i është lënë në shfrytëzim biblioteka shumë e pasur e udhëheqësit Samanid, Nuhut II (976-997) në Buhara.

32 Dr. Hasan Kaleshi, Dorëshkrimet arabe në Jugosllavi, “Edukata Islame“, nr. 70, Prishtinë, 2003, f. 60.

33. Resul Rexhepi, Vakëfi institucion shumë i rëndësishëm islam, “Edukata islame”, nr. 57, Prishtinë, 1995, f. 45-59.

34. Dr. Hasan Kaleshi, Dorëshkrimet arabe në Jugosllavi, op.cit. f. 63.

35. Zagorka Janc, Islamska minijatura, Zagreb, 1985, f. 26.

36. Me institucionin e hafiz-i kutubit (sekretarit të kutubhaneve) në Kosovë, deri më sot, në mënyrë të veçantë nuk kam takuar që të jetë marrë ndonjë studiues.

37. Dr. Hasan Kaleshi, Dorëshkrimet arabe në Jugosllavi, “Edukata Islame“, nr. 70, Prishtinë, 2003, f. 67.

38. P.sh. Myftiu i Prizrenit, H. Rrustem ef. Shporta, në vitin 1921, kishte shkruar dy vepra origjinale në gjuhën arabe, pastaj Mulla Mehmed ef. Salihu nga Bresana e Opojës, ka shkruar disa vepra më 1951, Abdullah Telaku nga Prizreni ka kopjuar në vitet e njëzeta të shek. të kaluar shumë vepra nga gjuha turke dhe arabe etj.

Osman Mehmeti

dituria islame 207

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit