-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Veshja tradicionale shqiptare – Islam Gjakova.net

Më të lexuarat

Ilir Sopjani

Pa dyshim se të flasësh për një temë të këtillë, kjo duhet elaboruar në dy rrafshe në atë diakronik dhe sinkronik, për të parë se ç’është në fakt veshja dhe ç’përfaqëson ajo.

Sigurisht që një temë e këtillë ka ngjallur gjithmonë debate, dhe edhe sot e kësaj dite vazhdon të diskutohet nga qarqe të ndryshme, po asnjëherë duke e analizuar atë nga këto dy këndvështrime, pra nga aspekti historik i saj dhe nga ana tradicionale e një veshjeje të caktuar e në bazë të argumenteve. Prandaj fillimisht do të ndalemi të elaborojmë veshjen tradicionale shqiptare, sepse edhe ne i takojmë këtij areali gjeografik.

Së pari duhet ditur se funksioni primar i veshjes është mbulimi i tërësishëm i trupit, qoftë i mashkullit apo i femrës, dhe me këtë pajtohen edhe studiuesit e kulturës materiale; pastaj duhet ditur se veshja në kontekstin hapësinor dhe kohor ka dalluar gjithmonë, kur më shumë e kur më pak, me hove të ndryshme; poashtu tek veshja tradicionale kemi edhe disa ndarje kryesore a të mëdha, si: veshja për meshkuj dhe veshja për femra, pra sipas gjinisë, pastaj dallimi tjetër sipas moshës, sipas trevave të caktuara, – trevat dallonin nga njëra-tjetra; pastaj një ndarje tjetër ishte ajo nga veshja për raste të caktuara, – kemi dallimin e veshjes së përditshme nga ajo për të dalë apo nga ajo mortore si dhe një ndarje që ishte mjaft e dukshme, ishte veshja edhe sipas besimeve apo religjioneve.

“Duhet pasur parasysh se për veshjen tradicionale shqiptare, argumente se si dukej veshja qoftë për femra, qoftë për meshkuj kemi vetëm nga shek XIV e këtej, por gjithashtu edhe këto dokumente shumica i referohen veshjes së shtresave të larta”1.

Gjithashtu këto informacione i gjejmë edhe tek autorët e huaj që kanë shkruar, por edhe nga udhëpërshkrues të ndryshëm që, me skicat e tyre që kanë bërë, qoftë në Kosovë apo në Shqipëri e gjithandej nga kishte shqiptarë, – ajo që duhet cekur dhe t’u bëhet me dije lexuesve, është se femra shqiptare e çfarëdo religjioni që ishte, kishte një rregull shoqëror për mbulimin e trupit të saj, ku përfshihej edhe mbulimi i kokës, krahas shumë të drejtave që u shkeleshin në bazë të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Prandaj këtu duhet të përmendim edhe një udhëpërshkrues francez nga Alzasi –Baronin Stacklberg, i cili vizitoi Shqipërinë e Jugut dhe Greqinë. Ai ishte një grafist, i cili i botoi punimet e tij në një album të veçantë me gravurat që shquhen në mes shumë punimeve bashkëkohore, gravura këto të bëra në vitin 1825, ku, ndër të tjera, ai paraqet veshjen komplete të një fshatareje nga rrethet e Athinës dhe bën përshkrimin e saj, ku, krahas gravurës me ngjyrë, shihet qartë se ajo është e mbuluar e tëra, përveç duarve dhe fytyrës.

Veshja tradicionale dallonte nga një trevë në tjetrën.

Këtu nuk do të kemi mundësi të përshkruajmë secilën, po vetëm sipërfaqësisht pjesët e një veshjeje duke mos përfshirë elementet dalluese me trevat apo vendet e tjera shqiptare:

Veshjen për femra. Ajo si pjesë bazë të saj kishte këmishën e gjatë deri në fund të këmbëve dhe me mëngë të gjata, pastaj përparësen me një a me dy futa, ose pshellakun, sikur quhet në disa treva, jelekun a xhamadanin, dollamen e gjatë si dhe çorapet e shaminë e kokës, e cila dallonte për mënyrën e lidhjes a të bartjes së saj, por që ishte si pjesë e pandashme e veshjes tradicionale shqiptare.

Prandaj populli shqiptar, sipas shumë dokumenteve jo nga autorë vendorë po të huaj, që përshkruanin gjendjen materiale dhe shpirtërore, shohim se dukuria e mbulimit të femrës nuk është një risi sikur quhet tani, por një pjesë e kulturës së këtij vendi dhe të vendeve të tjera.

Krahas kësaj duhet cekur edhe pajtimi i studiuesve të trashëgimisë kulturore: “Një veshje e caktuar çfarëdo qoftë, nëse gjen aplikim në popullatën e një vendi të caktuar për një kohë të gjatë, ajo tashmë llogaritet si tradicionale dhe jo me ndikime të huaja, e përjashtim në këtë rast përbëjnë vetëm materiali dhe mjetet e përdorura për punimin e saj”2.

Ndikimet e kulturave të ndryshme, duke filluar nga ajo romake e pastaj bizantine, është normale se kanë pasur dhe kanë lënë gjurmët e tyre duke përfshirë edhe atë materiale, ku përfshihet edhe veshja në këtë rast, prandaj edhe me ardhjen e Islamit në këto troje, përveçqë këtë vend e shpëtuan nga asimilimi kombëtar, ata sollën edhe dritën e Islamit dhe e me këtë edhe mënyrën më të mirë të veshjes, pra atë islame.

Fillimisht kjo veshje quhej me terma të ndryshëm, si “allaturka’’ që për trojet dhe popullatën shqiptare nuk ishte një gjë e pakapshme për t’u bartur, ngase kryesisht nuk ndryshonte në aspektin e përgjithshëm po vetëm me disa dallime të vogla, dhe për këtë kishin ndikuar edhe marrëdhëniet tregtare, për të cilat iu hapën dyert shqiptarëve me anë të ndryshme të botës, që rezultoi me sjelljen e materialeve të ndryshme, si për meshkuj ashtu edhe për femra, si dhe me sjelljen e mallrave të ndryshme.

Veshja islame në fillim pati një shtrirje të gjerë në qytete, ku me dëshirën më të madhe e përqafuan fenë islame e kështu edhe mënyrën më të mirë të veshjes, një veshje kjo jo e përcaktuar nga njerëzit po me Ligjin Hyjnor të Allahut xh.sh.

Këtë gjë e theksojmë për t’ua bërë më dije disave që ende jetojnë me errësirën e ideve komuniste dhe atyre që edhe në këtë kohë të përparimeve të mëdha në sfera të ndryshme, arsyetohen se tani ndjekin modën, sepse ajo sikur qenkësh e së kaluarës.

Po ja çfarë thonë ata që ju i quani të përparuar dhe që ndjekin modën.

Autori gjerman Bausinger shqyrton pikërisht raportet e këtij fenomeni, përkatësisht “veshjen’’ dhe “modën’’, për se thotë: “Këto shqyrtime tregojnë për bindjen se veshja përfaqëson mënyrën e të veshurit që pëlqejnë për njerëzit vetë pa ndonjë presion të çfarëdo natyre qoftë, ndërsa për modën shprehet se kjo bën një lloj presioni ndaj bartësit dhe e detyron atë që ta ndjekë modën”. Gjithashtu Bausinger funksionet e modës i shpjegon pak më ndryshe dhe thotë: “Moda bën edhe dallimin e përkatësisë së një grupi nga shtresat e tjera”.3

Asnjë gjë që është shpirtërore, nuk ka mundësi të merret me dhunë

Ndërsa Mark Tirta, një profesor i kulturës materiale dhe shpirtërore nga Shqipëria, shprehet për Islamin dhe pranimin e kësaj feje dhe për veshjen islame: “Nuk ka asnjë dyshim se Islamin dhe çdo obligim të kësaj feje shqiptarët e morën me vetëdëshirë pa asnjë lloj presioni, siç thuhet nga disa autorë të cilët e urrejnë Islamin”, për të shtuar: “Ngase asnjë gjë që është shpirtërore, nuk ka mundësi të merret me dhunë”.4

Shqiptarët s’ka dyshim se kaluan nëpër periudha dhe sundime të ndryshme, por, ç’është e vërteta, shpeshherë për interesa të ndryshëm, shumë gjëra të vërteta u munduan t’i fshihnin autorë të ndryshëm, mirëpo, falë Allahut, tani në këtë kohë shumë gjëra që u fshehën për vite, përditë po e shohin dritën dhe po u bëhen njerëzve të qarta e në këtë rast, krahas shumë të vërtetave, edhe çështja e veshjes tradicionale. Është e qartë se dihet si ishte veshja, pra se si ishin të veshura femrat shqiptare, por s’ka dyshim se mënyra më e mirë dhe më e saktë është mënyra e veshjes si e ka bërë obligim Allahu për femrën, një mënyrë kjo e transmetuar edhe nga i Dërguari Tij, Muhamedi a.s.

Allahu, nëpërmjet një ajeti, obligoi gratë e të Dërguarit të Tij, që të mbuloheshin, por njësoj edhe të gjitha gratë e mbarë botës, deri në Ditën e Kiametit: “O ti Pejgamber, thuaju grave të tua, bijave të tua dhe grave të besimtarëve, le të vënë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, sepse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen, Allahu fal gabimet e kaluara Ai është i Mëshirshëm”. (El-Ahzab, 59)

Dhe ajeti tjetër kur’anor: “Dhe mos të lejojnë që nga stolitë e tyre të shihet tjetër përveç asaj që është edhe ashtu e dukshme, (Pra, vetëm fytyra dhe duart)”. (En- Nur, 31)

Vetëm nga këto dy ajete të cituara, mund të bëhet dallimi dhe të përshkruhet gjendja e femrës në kohën që po jetojmë dhe krahas përmirësimit dhe një numri të konsiderueshëm të femrave tona shqiptare që po praktikojnë Islamin dhe kryejnë një prej shumë Urdhrave të Allahut të Madhëruar, dhe të një pjese të madhe të femrave tona, që mendojnë se ndjekin modën dhe Perëndimin, – këto ajete shprehin qartë devotshmërinë e atyre që ndjekin dhe kryejnë Urdhrat e Allahut, me ato që janë larguar nga rruga e Zotit, e ne kemi si e kemi këtë gjendje me një numër të madh shkurorëzimesh, me fëmijë të braktisur, me të sëmurë nga HIV Aids e shumë gjëra të tjera negative, që nuk është temë jona, por po i shohim në shoqërinë tonë këto dukuri të papara në kulturën dhe traditën tonë shqiptare në shekuj më parë.

1. Andromaqi Gjergji;Veshjet shqiptare në shekuj.

2. Ukë Xhemaj

3. Bausinger:Veshja dhe moda

4. Mark Tirta: Në një ligjëratë mbajtur në Universitetin e Prishtinës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit