3.4 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Vërtetohet se Korab Sejdiu mashtroi për tri vjet UP-në me gradë akademike

Më të lexuarat

Korab Sejdiu, deputet i Kuvendit të Kosovës, po del se ka mashtruar për tri vjet Universitetin e Prishtinës për gradën akademike. Sejdiu ka ligjëruar në UP si Doktor i Jurispodencës edhe pse nuk e kishte atë gradë. Pasi i është bërë barazvlerësimi është vërtetuar se ai është Jurist i Diplomuar dhe jo Doktor i Jurispodencës. Pasi ishte vërtetuar kjo, ai është përjashtuar nga Universiteti i Prishtinës, po ashtu ishte përjashtuar edhe nga Oda e Avokatëve. Disa vite më parë ai erdhi nga ShBA dhe filloi të punojë si këshilltar i Presidentit të Kosovës, si profesor në fakultetin juridik dhe si avokat. Por, tani atij i pamundësohet mësimdhënia në universitetin publik.

Ai kishte ikur në SHBA si gjashtëmbëdhjetë vjeçar për t’iu shmangur shërbimit ushtarak të ish-Jugosllavisë. Atje ka përfunduar studimet bachelor në drejtimin biznes ndërkombëtar, bëri studime shtesë që i dhanë titullin Juris Doctor dhe qëndroi rreth trembëdhjetë vjet. Sejdiu u kthye në Kosovë më 2007 që kur ka mbajtur pozita të rëndësishme – si këshilltar i Presidentit, profesor asistent në fakultetin juridik të Universitetit të Prishtinës, avokat dhe anëtar i këshillit të përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në fakultetin juridik për katër vjet, shkurt 2010 deri në qershor të vitit 2014, ligjëroi në studimet bachelor dhe master lëndë nga e drejta tregtare.

Fakulteti juridik pranon rreth njëmijë studentë çdo vit.

Si avokat ka përfaqësuar ndër të tjera ish-presidentin Fatmir Sejdiu në Gjykatën Kushtetuese kur u akuzua se po bënte shkelje të Kushtetutës duke mbajtur pozitën e shefit të shtetit dhe të kryetarit të partisë, ish kryetarin e Ferizajt Bajrush Xhemajli që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës në rastin e aksidentit në komunikacion ku mbeti i vdekur një i ri, dhe ka mbrojtur kryetarin e Skenderajt Sami Lushtaku. Në qershor të vitit 2014 Ministria e Arsimit ia llogariti gradën që ka fituar gjatë studimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si “jurist i diplomuar” dhe jo si “doktor i jurispundencës”.

Grada doktor shkence ishte kriter ligjor për të ushtruar profesionin e profesorit dhe të avokatit në rastin e Sejdiut. Korab Sejdiu kishte deklaruar se e tërë fushata kundër tij ka prapavijë politike. Ai kishte nostrifikuar diplomën amerikane më 6 qershor 2013 ani pse kishte aplikuar nëntë muaj më parë, më 19 tetor 2012. Vlerësimi dhe njohja e diplomave të fituara jashtë vendit bëhet nga Këshilli Kombëtar për Njohje që vepron në kuadër të Ministrisë së Arsimit. “Z.Korab Sejdiu i njihet grada profesionale ‘Juris Doctor’, studime trevjeçare fituar në Widener University”, thuhet në vendimin e këtij këshilli.

Mirëpo, sipas arsyetimit në këtë vendim, Këshilli Kombëtar për Njohje ka vendosur që kjo gradë në ShBA nuk vlerësohet si studime të doktoraturës. “Programi i studimeve është trevjeçar dhe shkalla e doktorit të jurispundencës në Shtetet e Bashkuara nuk është konsideruar si një shkallë e doktoraturës profesionale por më tepër si një shkallë e parë profesionale”. “Shkalla e doktorit të jurispundencës në ShBA nuk është konsideruar si një shkallë e doktoraturës profesional”, ka vlerësuar MASHT.

Vendimi i nënshkruar nga kryetari i Këshillit Kombëtar për Njohje Bekim Samadraxha dhe sekretari i MASHT-it Xhavit Dakaj është nxjerrë pasi Sejdiu i kishte drejtuar një letër Dakajt më 5 qershor duke i kërkuar që lënda e tij të procedohej urgjentisht meqenëse kishte kaluar afati ligjor. Përpara se të marrë vendim, Këshilli për Njohje bazohet në mendimin që ofron komisioni i ekspertëve që përbëhet nga tre anëtarë të cilët janë përfaqësues akademikë dhe një përfaqësues i Naric-ut.

Qendra Kombëtare për Njohje dhe Informim Akademik e Njohur si Naric formon komisionin e ekspertëve dhe sigurohet që aplikantët të dorëzojnë dokumentacionin e duhur. Zyrtarë të kësaj qendre kanë përgjegjësinë që të verifikojnë diplomat duke kontaktuar me universitetet jashtë vendit dhe gjithashtu konsultohen me anëtarë të rrjetit të Naric jashtë Kosovës lidhur me vlerësimin e diplomave.

Gjithashtu komisioni i ekspertëve i përbërë nga profesorët e fakultetit juridik Abdulla Aliu dhe Mejdi Bektashi dhe përfaqësueses së ministrisë së arsimit Gjylbehari Llapi, një ditë para këtij vendimi, i kishte rekomanduar Këshillit për Njohje që Sejdiut t’i njihej grada “Jurist i Diplomuar”. “I propozohet Këshillit Kombëtar për Njohje që kandidatit t’i njihet grada si e barasvlershme me gradën ‘jurist i diplomuar’ e cila fitohet në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’”, shkruan në vendimin e komisionit të ekspertëve që mban datën 5 qershor.

I pakënaqur me vendimin, Sejdiu ka ushtruar ankesë në komisionin e ankesave të MASHT-it kundër vendimit që gradën Doctor Jurist e llogarit si Jurist i Diplomuar. “Shihet qartë që Këshilli nuk është bazuar në të dhënat e dërguara nga unë dhe organi kompetent në SHBA”.

Ministria e Arsimit qëndron prapa vendim të saj.

“Sipas informatave të marra nga ShBA-të, vlerësimit të Komisionit të Ekspertëve dhe vendimit të Këshillit Shtetëror për Njohje, grada Juris Doctor është gradë e parë profesionale në drejtësi, pra nuk është gradë shkencore ose doktoratë shkencore”, kishte vlerësuar kabineti i ministrit asokohe. Asnjë nga institucionet nuk shprehet se Juris Doctor është doktoraturë shkencore.

Në Finlandë, bazuar në të dhënat e ofruara nga Bordi Kombëtar për Edukim i Finlandës, Juris Doctor konsiderohet si bachelor ose gradë e parë e studimeve. Në Kroaci, grada Juris Doctor konsiderohet si studime magjistrature ose “niveli i dytë” në arsimin e lartë. Sipas standardeve të Georgetown Law University, universitet në SHBA, Juris Doctor është doktoraturë profesionale.  Ndërsa për Yale University dikush që mban gradën Juris Doctor mund të ligjërojë në universitetet e SHBA-së.

Mirëpo në letrën drejtuar sekretarit të MASHT-it Xhevat Dakaj, më 5 qershor të vitit 2014, shihet se Sejdiu planifikonte të aplikonte përsëri për pozitën e profesor asistentit. Sejdiu, përmes letrës, kërkonte urgjentisht nga MASHT-i që të bëhej nostrifkimi i diplomës pasi që mungesa e saj i rrezikonte “humbjen e vendit të punës” në kohën kur sapo ishte shpallur konkurs për rizgjedhjen e tij në fakultet. Konkursi ishte i hapur deri më 11 qershor 2013, bazuar në këtë letër.  “Ky mosveprim… ka potencial që brenda shumë pak ditëve të më shkaktojë dëm jashtëzakonisht të madh”, shkruante në letër Sejdiu.

Por si u emërua Korab Sejdiu profesor asistent?

Sejdiu thoshte se në vitin 2008, një vit pasi ishte kthyer nga SHBA, ka pranuar një ftesë nga Enver Hasani për të ligjëruar në UP. “Në këtë kohë fillova të njoftohem me njerëz dhe në një rast u afrua Enver Hasani e më ftoi që të jap mësim në UP. Ai më pyeti nëse jam i interesuar që të ligjëroj të drejtën ekonomike”. “Më tha vetëm ma sjell diplomën dhe disa dokumente, si certifikata e lindjes dhe unë ia kam dhënë” tregonte Sejdiu për kërkesën e Enver Hasanit. Rreth një vit më pas, më 21 maj 2009, vetë Hasani kishte nënshkruar vendimin që punësonte Korab Sejdiun si profesor asistent. Sejdiu mbajti këtë pozitë për rreth katër vjet. Në pjesën e arsyetimit thuhet se UP-ja ka shpallur konkurs për zgjedhjen e një mësimdhënësi për lëndët e drejta ekonomike dhe e drejta ndërkombëtare ekonomike në Fakultetin Juridik. Sejdiu nuk ka qenë i informuar për këtë konkurs. “Unë nuk e di a ka pasur konkurs dhe ndoshta edhe ka pasur konkurs, por nuk e di”.

“Thjesht unë kam marrë ftesë dhe nuk kam aplikuar në ndonjë konkurs që e kam parë personalisht. Personalisht ia kam dorëzuar dokumentet e mija në dorë Enver Hasanit në 2008”, kishte treguar ai. Statuti i Universitetit të Prishtinës, që gjendet në faqen zyrtare të tij, në paragrafin e parë të nenit 177, thotë se profesor asistent kualifikohet personi që ka gradën e doktorit të shkencës.

Në vendimin për zgjedhjen e Sejdiut si profesor asistent të nënshkruar nga Hasani shkruan: “Dr. Korab Sejdiu zgjedhet profesor asistent…”.  Dr. është parashtesë që përdoret për personat që kanë përfunduar doktoraturë shkencore – PhD. “Vendimin që jam emëruar profesor asistent e kam marr tash në qershor, pasi që u bë e madhe kjo puna ime. As që e kam ditur që ata [Universiteti] në 2009-ën e paskan pas marr këtë vendim”, kishte deklaruar Sejdiu. Neni 173 i Statutit të Universitetit të Prishtinës parasheh se emërimet e stafit akademik bëhen në “mënyrë transparente me shpalljen e konkursit publik”.  Vendimi i Hasanit për të punësuar Sejdiun si profesor asistent në fakt ishte vendosur një vit më parë nga senati, përkatësisht më 22 korrik 2008.

Aty nuk jepet ndonjë sqarim pse vendimi është nënshkruar nga Hasani rreth një vit pas vendimit të Senatit. Korab Sejdiu nuk e ka të kryer provimin e jurispundencës, por megjithatë që nga maji i viti 2010 ka licencë avokati. Një vit pasi kishte filluar të jepte mësim, Sejdiu kishte aplikuar për licencën e avokatit e cila merret në Odën e Avokatëve të Kosovës. Oda e Avokatëve thoshte se Korab Sejdiu është avokat i regjistruar në OAK me vendimin e Bordit Drejtues të datës 4 maj 2010. Ligji për avokatinë kërkon që kandidatët për t’u regjistruar si avokat duhet të ketë të kryer provimin e jurispundencës. Ndërsa ligji për jurispundencën që ishte në fuqi në kohën e emërimit të Sejdiut licenconte kandidatët që me sukses kishin kryer provimin që përfshin rreth 15 lëndë. Provimi i jurispundencës iu pranohej të gjithë atyre juristëve që kanë arritur gradën “magjistër apo doktor shkence nga lëmi i drejtësisë” pa pasur nevojë t’i studiojnë rreth 15 lëndë juridike. Oda e Avokatëve nuk e kishte parë të arsyeshme të verifikonte doktoraturën e Sejdiut pasi që ishte bazuar në faktin që ai tashmë punonte si profesor asistent për të cilën pozitë nevojitej titulli doktor shkence.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit