9 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

‘Vendosni Zotin të parin në çdo gjë që bëni …’ Fjalimi emocionues i Denzel Washingtonit

Më të lexuarat

“Së pari, vendosni Zotin të parin në çdo gjë që bëni. Çdo gjë që shihni tek unë, çdo gjë që unë kam arritur, çdo gjë që mendoni se unë kam, ka ardhur prej mirësisë së Zotit. Kuptojeni këtë gjë.

42 vjet më parë, në mars të 1975, unë isha në universitet me një mesatare shumë të ulët. Isha ulur në sallonin e bukurisë së mamasë sime dhe shoh veten në pasqyrë. Pas vetes shoh një grua dhe sa herë unë shikoja në pasqyrë, e dalloja që ajo po më shihte mua drejt e në sy, derisa në një moment më tha “Djalë, ti ke për të udhëtuar në mbarë botën dhe ke për të folur përpara miliona njerëzve”. Në atë kohë unë nuk e besoja, por tani e them me siguri se unë kam udhëtuar nëpër botë dhe kam folur përpara miliona njerëzve.

Nuk ka rëndësi suksesi që kam pasur, por ajo që më tha ajo grua atë ditë dhe që unë akoma nuk e kam harruar. Unë jam rrëzuar, jam udhëhequr, jam korrigjuar nga të tjerët. Kam mbajtur Zotin në jetën time dhe Ai më ka bërë të jem dashamirës me të tjerët. Ndoshta jo gjithmonë jam mbajtur tek Ai, por Ai gjithnjë më ka shoqëruar. Ndaj mbështetuni tek Zoti në çdo gjë që bëni. Nëse doni të bëni atë që unë kam bërë, atëherë bëjeni dhe mbështetuni në Zot.

Së dyti, mos u ndjeni keq nëse dështoni rëndë. Si fillim, bëni atë që e pëlqeni dhe e keni pasion. Ndërmerrni rreziqe dhe mos iu trembni dështimeve, edhe nëse dështoni rëndë. Ëndërroni shumë, por mbani mend se ëndrrat pa realizim janë thjesht ëndrra. Kështu që, ëndërroni dhe realizoni diçka çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit… Për t’i realizuar ato, kujtoni gjithmonë se ju duhet vendosmëri dhe disiplinë. Puna e fortë jep gjithmonë rezultate pozitive. Këtë gjë bëjnë edhe personat e suksesshëm. Ata punojnë fort. Mirëpo ju mos prisni që puna më e madhe të sjellë më shumë të mira në jetën tuaj. Jo gjithmonë mundimi dhe progresi ecin njëkohësisht…

Së treti, nuk do merrni gjë me vete nga kjo botë. Asgjë nuk ka të bëjë me çfarë keni, por me çfarë bëni me gjërat që keni. Të gjithë ne kemi talente të ndryshme dhe gjëja më egoiste që mund të bëjmë është të ndihmojmë dikë tjetër. Pse është egoiste? Sepse përfiton vetë ndjenjën e mirë. Ndjenja që unë marr kur ndihmoj të tjerët, nuk krahasohet me makinat, shtëpinë e madhe apo me çdo gjë tjetër që unë kam. Suksesi ka të bëjë pikërisht me ndihmën që ne i ofrojmë të tjerëve.

Së fundmi, dua të të kujtoj se duhet të jesh falenderues për çdo gjë që ke. Kështu e jetoj unë jetën time. Kjo është arsyeja se pse unë jam ky që jam sot. Falendero Zotin për çdo gjë që ke në jetën tënde. Dëshira e madhe në zemrën tënde, ajo gjë që ju doni të bëni me veten tuaj, është prova më e madhe që Zoti të jep paraprakisht për të të bërë të kuptosh se ajo është jotja. Dhe ti mund të kesh çdo gjë të mirë që dëshiron. Puno fort që ta arrish. Kur e arrin, ktheje kokën mbrapsht dhe ndihmo dikë tjetër të ngrihet bashkë me ty. Njëri të na mësojë të gjithëve, dhe të gjithë të mësojmë njërin. Frymëzojini të tjerët të bëjnë ndryshime pozitive!”. / Bota.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit