0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Vendosja e flamurit të Rusisë në Zveçan, Musliu: Një pjesë e serbëve në Kosovë janë të lidhur me strukturat e Kremlinit

Më të lexuarat

Politikani serb nga Mitrovica e Veriut, Marko Jakshiq, njofton se në Kalanë e Zveçanit është vendosur flamuri i Rusisë.

Jakshiq në një shkrim në Facebook thotë se, kjo është një përgjigje ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq, lidhur me iniciativën për ta emëruar Liqenin e Ujmanit në Liqeni Trump.

“Flamuri i Federatës Ruse në Kalanë e Zveçanit. Më duket se kjo është një përgjigje ndaj Vuçiqit, i cili tha se iniciativa për Liqenin Trump erdhi nga popullata e veriut të Kosovës”, ka shkruar Jakshiq, përcjell Telegrafi.

Lidhur me këtë incident, analisti i sigurisë, Agim Musliu thotë se, një pjesë e serbëve në Kosovë janë të lidhur me strukturat e Kremlinit.

“Vendosja e flamurit rus në Zveçan, është më shumë një ‘garë’ në mes të serbëve. Tash në këtë luftën hibride ruse, nuk ndeshen më popujt e ndryshëm në Ballkan, por pikërisht serbët mes vete. Vetëm një pjesë e serbëve ka mbetur relikt i ndikimit rus në këto anë. Elementi rusofil serb në komunat veriore, megjithëse është në numër më i vogël, ai është më provokator. Ata i përkasin krahut shovinist serb, që janë të lidhur direkt me struktura shtetërore ruse në Kremlin”, tha Musliu.

Ai shton se, për shkak të disa serbëve, ende nuk është plotësuar blloku euro-atlantik.

“Në këtë mes, njeri nga më të famshmit është Sllavisha Ristiq (ish-kryetar komune), pastaj edhe Marko Jakshiq. Këta dhe disa të tjerë, të rreshtuar në subjektin ‘Otadzbina’ tashmë janë në konflikt serioz me Listën Serbe, e cila jo që është më dashamirëse ndaj Republikës së Kosovës, por është më e dëgjueshme ndaj Vuçiqit. Kurse, Vuçiqi ka ndryshuar pak pozicion, sepse gradualisht është bindur se Serbia nuk mund të mbetet enklavë rusofile në Ballkanin Perëndimor. Nga gjithë rajoni, vetëm e vetëm për shkak të disa serbëve, nuk u plotësua ende blloku euro-atlantik”, shtoi ai.

Ndryshe, i dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, kishte thënë se Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord që Liqeni i Ujmanit, të quhet Liqeni Trump.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka mirëpritur propozimin e Grenelli për riemërtimin e Ujmanit, duke shtuar se kjo do të ndodhë në shenjë nderimi për kontributin e presidentit Trump, për arritjen e marrëveshjes ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë.

Kujtojmë se, Kosova dhe Serbia më 4 shtator në Washington kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizim ekonomik.

Marrëveshja u arrit pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, për herë të parë në një nivel të lartë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit