3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Vendoset data, zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut mbahen më 17 tetor

Më të lexuarat

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka dekretuar 17 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

“Bazuar në dispozitat ligjore, zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor 2021. Meqë fushata zgjedhore fillon 20 ditë para ditës së zgjedhjeve, gjatë asaj periudhe, kuvendi nuk do të ketë seanca plenare dhe komisionesh. Në këtë mënyrë, partitë politike dhe kandidatët lejohen të angazhohen plotësisht për fushatën zgjedhore, dhe në të njëjtën kohë, të shmangin mundësia e kalimit të fushatës në sallën e parlamentit”, ka deklaruar kryeparlamentari Xhaferi.

Vendimi për shpalljen e zgjedhjeve i është dorëzuar Komisionit Shtetëror Zgjedhor, si dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Drejtësisë, që do të merren me organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka bërë të ditur se është i përgatitur për organizimin e zgjedhjeve. Sipas KSHZ-së, ka nisur procedura për prokurimin e pajisjeve të votimit elektronik, apo përdorimin e gishtërinjve gjatë votimit.

Megjithatë, mbetet ende e pasigurt nëse zgjedhjet do të zhvillohen sipas Kodit aktual Zgjedhor apo do të miratohen ndryshimet që parashikojnë prag zgjedhor për kandidatët e pavarur dhe lista të hapura për zgjedhjen e këshilltarëve komunalë.

Nëse një listë e pavarur dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje, detyrohet që të mbledhë 2 për qind të firmave të votuesve, gjë që ka nxitur reagime të shumta, përfshirë edhe nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski i cili nuk ka dekretuar ligjin, duke kërkuar uljen e numrit të nënshkrimeve.

Partia opozitare maqedonase “E Majta” ka dorëzuar 770 amendamente për të kundërshtuar ligjin e qeverisë, të cilin e vlerëson si përjashtues për listat e pavarur.

Zgjedhjet lokale duhej të mbaheshin në shtator, por u shtyn për një muaj për shkak se në shtator duhet të mbahet regjistrimi i popullsisë, i cili po ashtu është shtyrë për në vjeshtë për shkak të përkeqësimit të gjendjes epidemiologjike me COVID-19 në prill, kur ishte paraparë të realizohej regjistrimi i popullsisë./Rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit