4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Vendimi skandaloz: Si e ndryshoi qeveria hartën territoriale

Më të lexuarat

Qeveria ka ndryshuar hartën territoriale, të miratuar nga Parlamenti në vitin 2016, me një vendim të marrë 10 ditë më parë, të mbajtur në fshehtësi. Vendimi i përket datës 29 maj, një ditë para se Edi Rama të niste fushatën. Siç rezulton nga verifikimet në hartat e reja që janë përditësuar, ka shumë ndryshime në disa bashki.

Më e privilegjuara, besohet se është Tirana, që raportohet se ka marrë territore të reja nga bashkitë fqinje, nga Kamza e Peqini.

Por, më e diskriminuara, është Bashkia e Rrogozhinës. Specialistët llogarisin se kësaj bashkie, me vendim qeverie i janë hequr rreth 1200 hektarë, kryesisht në bregdet, dhe në zonën industriale. Nga ky akt, i firmosur nga Erjon Braçe, ka përfituar më së shumti Bashkia e Divjakës, aty ku zv.kryeministri është deputet. Pra, dukshëm kemi një konflikt interesi. Bëhet fjalë për rreth 4 kilometra bregdet, që Braçe ia heq me një vendim qeverie Rrogozhinës, dhe ia kalon Divjakës së tij.

Për më tepër, që kjo çështje ka qenë objekt i një debati dhe beteje 4-vjeçare mes kryetarit të Bashkisë së Rrogozhinës, dhe deputetit të Divjakës.

Siç duket në fotot më poshtë, kufiri i vjetër, i miratuar nga Kuvendi, ishte në grykëderdhjen e Shkumbinit, por qeveria e ka hequr pjesën si gadishull, ia ka dhënë Divjakës, duke i vendosur kufijtë e rinj të Rrogozhinës në grykëderdhjen e vjetër të lumit.

Këto ndryshime, kanë disa probleme shumë serioze.

E para, qeveria vendos një hartë të re territoriale, çka është një atribut i Parlamentit, madje dhe me votë të cilësuar.

E dyta, në kushtet aktuale, këtë vendim, nuk ke se ku ta apelosh, në mungesën e Gjykatës Kushtetuese.

E treta, dhe më seriozja, kjo do të shkaktojë kaos dhe dëme të mëdha te qytetarët. Kjo sepse në AKPT, në Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, territori i lëvizur, rezulton fjala vjen i Bashkisë Rrogozhinë. Ndërsa, nëse dikush duhet të aplikojë për një leje zhvillimi, tashmë duhet t’i drejtohet Bashkisë së Divjakës. Ose një rast tjetër. Me ndryshimet që kanë bërë, një banor i Rrogozhinës, tashmë do të duhet të shkojë të interesohet për pronën e tij, në Divjakë. Një kaos, që do sjellë jo pak kosto për njerëzit.

E gjitha kjo ka kaluar pa transparencë dhe askush nuk është pyetur, konsultuar apo vënë në dijeni. Kemi një ndryshim harte, ndryshim territoresh mbi bazën e interesave politike, partiake dhe personale, pa marrë parasysh aspak banorët, qytetarët, autoritetet lokale, dhe interesin publik.

Mësohet se ka jo pak raste kur dikujt i ndërpritet prona në mënyrë arbitrare, për shkak se është menduar të favorizohet dikush tjetër.

Është e kuptueshme nëse do kishte një korrigjim, një ndryshim të një territori të vogël për një interes publik, por është e papranueshme t’i hiqen një bashkie me një të rënë të lapsit, 1200 hektarë përnjëherë.

Menaxherët lokalë, kryetarët e bashkive marrin përsipër të qeverisin, mbi bazën e mundësive, potencialeve dhe resurseve që një zonë ofron. Dhe këto s’mund të bien për interesa elektoralë e personalë, një ditë para fillimit të fushatës.

Kjo tregon thjesht pasigurinë që mund të ketë një qytetar dhe një sipërmarrës, dhe kjo vjen pikërisht nga qeveria që duhet të ofrojë siguri.

Po ashtu, ky është një akt i pastër arrogance, që pa marrë parasysh njerëzit, qytetarët, ti u ndryshon atyre territorin, sikur të jesh kolonialist province, dhe jo qeveri e zgjedhur që jep llogari.

Ky është një vendim që me siguri do të sjellë kosto dhe probleme dhe aktorët publikë dhe politika duhet të reagojnë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit