1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Vendimi i martesës, sa i lehtë aq edhe i vështirë.

Më të lexuarat

Vendimi i martesës, sa i lehtë aq edhe i vështirë.

Pyetja: Jam një vajzë njëzetekatër vjeçare, me bagazh intelektual dhe e përkushtuar në fe. Para disa kohësh një djalë një vit më i madh se unë, me paraqitje pranueshëm (50 %), kërkoi dorën time. Ai është me arsim të lartë, ka një vend pune me të ardhme dhe ka një apartament të vetin në shtëpinë e familjes së tij.
Disa kohë pasi u fejuam, mora vesh se ai mbulon edhe shpenzimet e prindërve dhe motrave të tij, por kjo nuk përbën problem për mua.
Familja më bindi, se burri nuk merret për pamjen e tij por për moralet dhe vlerat që përfaqëson, kështu që ne të dy u fejuam dhe unë nuk kërkova shumë gjëra për veten, kjo edhe për shkak të situatës dhe rritjes së çmimeve.
Në fakt, gjatë kësaj fejese unë nuk kam ndjerë asnjëfarë lumturie apo gëzimi, por i kam dhënë vetes shans të njihem me të edhe më tepër dhe tanimë kemi përcaktuar edhe zyrtarizimin e fejesës.
Pavarësisht se është i përkushtuar fetarisht, në momentin kur u fejuam, ai insistoi që unë ta vendos dorën time mbi dorën e tij, qëndrim që më bëri të habitem. Po kështu gjatë festës së fejesës ai anonte vazhdimisht kokën kah karrigia, ku isha ulur unë dhe gjithashtu me këmbëngulje më kapi për dore që të kërcenim, gjë që nga ana ime u shoqërua me ndjesi pakënaqësie, tkurrje të zemrës dhe frikë prej tij.
Pastaj, gjatë bisedave telefonike, ai hap me mua biseda me qëllim që të mësojë se ku rrahin mendimet e mia, ku debaton me mua dhe tenton të më diktojë bindjet e tij, duke më thënë gjithmonë “kokë shkretë”, sidomos në bisedat fetare ku është i brumosur me mendimet e dijetarëve të ngurtësuar dhe ku tenton të imponohet pa lëshuar pe, kontrovers midis fjalëve që thotë dhe veprave që kryen; si për shembull për aktrimin dhe disa herë edhe për internetin, thotë se ato janë haram, por vetë i ndjek.
Një rast, me ndihmën e një të afërme të tij u përpoq të më bindte, se duhet të lidhemi, madje deshi edhe të dilte me mua me argumentimin se kështu do e kuptojmë më mirë njëri-tjetrin. Edhe pse është vetëm një vit më i madh se unë, unë ndjej se ai është vite të tëra më i madh, jo i pjekur por në mendësitë e vjetra që bart. Nëse ndodh diçka dhe unë nuk i telefonoj, ai zemërohet dhe nuk mbaron së debatuari me mua, gjë e cila është e vazhdueshme.
Ai më thotë: “Unë për ty do i siguroj sendet nga të mundem”, por kur erdhi puna të më blinte diçka, ndryshoi aty për aty dhe u tregua shumë i vrazhdë dhe i thatë, ngaqë ai do të bëjë vetëm atë që i thotë koka e vet.
Pavarësisht se unë kam filluar ta pranoj për shok jete, të them të vërtetën, këto sjellje debatuese dhe të zemëruara të tij, më bëjnë të kem frikë për martesën me të, teksa shpesh zemra dhe ndjenjat më rrudhen, kur e shoh atë dhe pikëllohem shumë nga kjo.
S’di ç’të bëj… A ta lë atë, e nëse e lë, si të përballem me kritikat e njerëzve?
 
Përgjigje:
Bija ime e dashur!
Në udhëtimin tonë në këtë jetë përballemi me një sërë përzgjedhjesh, mbetemi në udhëkryq të luhatur, s’dimë cilën rrugë të marrim dhe cili është shtegu që do na çojë tek suksesi dhe lumturia. Vlera e përzgjedhjeve dhe vendimmarrjes variojnë nga vendime të thjeshta, para të cilave ekspozohemi çdo ditë, deri në përzgjedhje dhe vendimmarrje përfundimtare… Në jetën e një vajze, nuk ka vendim më serioz se vendimi i martesës.
Por duke qenë se nuk kemi mësuar sesi të bëjmë zgjedhjen tonë në çështjet e thjeshta të përditshme, kjo na ka bërë që përgjithësisht të marrim vendime spontane e të pabazuara në studimin e situatës dhe tek informacionet e disponuara… Ndaj dhe qëndrojmë të luhatur para përzgjedhjeve përcaktuese të rëndësishme dhe vendimi ynë, falë forcës së zakonit, është shndërruar në një vendim spontan.
Periudha e parë: Përcaktimi i objektivave primare të martesës:  
Njeriu, sado i mençur që të jetë, nuk mund të marrë vendim për një njeri tjetër; pasi çfarë unë mund ta shoh si të përshtatshme, tjetri mund ta shikojë si të papërshtatshme, çfarë unë e shoh si një zgjedhje të drejtë, tjetri mund ta shohë si një zgjedhje jo të mençur; duke qenë se gjithsecili ka bindjet, idetë, eksperiencat dhe vlerësimet e tij personale sa i përket çështjeve.
Në këtë rast, unë nuk do të ta jap opinionin tim, me qëllim që të biesh apo jo dakord mbi vendimin për t’u martuar me personin në fjalë, pasi ky vendim të përket vetëm ty; por unë do të të ndihmojë duke të hapur disa korridore drite, që me lejen e Allahut, do të të ndihmojnë, që ta ndriçosh rrugën tënde.
Kështu, para vendimmarrjes, së pari duhet medoemos që objektivi apo synimi ynë të jetë i qartë; nëse synimi është i turbullt, i paqartë dhe i papërcaktuar, atëherë vendimmarrja bëhet e vështirë.
Në këtë situatë, më vjen ndërmend historia “Liza në botën e çudirave”, kur Liza në fillim të udhëtimit të saj gjendet në udhëkryq, e luhatur dhe duke mos ditur cilën rrugë të marrë; situatë në të cilën ajo e pyet lepurin: “Të lutem, a mund ta di se cilën rrugë më duhet të marrë nga këtu ku gjendem?” Ai i thotë: “Ku ke dëshirë të shkosh ti vetë?” Ajo i përgjigjet: “Nuk e di”. Atëherë lepuri ia kthen: “Po qe kështu, merr cilën rrugë të duash”!
Në fakt, është pikërisht kjo, ajo që po u ndodh shumë prej të rinjve tanë, të të dy gjinive, gjë e cila detyrimisht i bën ata të luhatur në çështjen e martesës.
Ka disa vajza, që martesën e kanë qëllim në vetvete, ashtu që qëllimi i tyre është thjesht që t’i ikin lëndimit të beqarisë dhe ta garantojnë plastikën dominuese shoqërore, sepse dhëndri na qenka bërë gjë e rrallë në këtë kohë (tek këto vajza dominon hija e burrit, jo e arsyes). Një vajzë e tillë pranon këdo që i troket në derë, edhe në qoftë i papërshtatshëm.
Ka disa vajza të tjera, që mendojnë në mënyrë më të thellë dhe më të pjekur, e mendojnë martesën se ajo është një mjet dhe jo qëllim, një mjet për ngopjen e nevojave emocionale dhe shpirtërore, apo nevojave materiale dhe të dukshme, apo nevojave shpirtërore dhe atyre të besimit; por ka edhe prej atyre vajzave, që synojnë të gjitha këto nevoja të marra së bashku, por që nuk disponojnë parametra standard për peshimin e këtyre nevojave, nuk janë të ndërgjegjësuara se cila prej tyre është më primare dhe cila është më pak e rëndësishme, duke pasur një qasje kontroverse për këtë çështje.
Në realitet, nevojat dhe prioritetet personale emocionale ndryshojnë nga nevojat dhe prioritetet personale logjike, të cilat gjithashtu mund të ndryshojnë nga nevojat dhe prioritetet shpirtërore, të cilat nga vetë kuadri ku vërtiten ndryshojnë nga nevojat dhe prioritetet materiale.
Logjika jonë në vetvete mund të na bëhet guri i barrierës, për të arritur tek njohja e përcaktimit të çështjeve të tilla; dhe kjo për vetë faktin se ne ende nuk dimë se çfarë duam? Por sa më tepër që të jesh i vetëdijshëm dhe i arsyeshëm përkundrejt nevojave të tua, aq më tepër do të jesh i aftë për vendimmarrje; konkretisht do të jesh e aftë të marrësh një vendim, nëse personi që njeh momentalisht, do të jetë i duhuri për ty. Kjo vërehet më së miri në periudhën e fejesës.
Periudha e dytë: Periudha e tubimit të informacionit: 
Pas kësaj vjen periudha e tubimit të informacionit mbi kandidatin për martesë, pra për të fejuarin, përmes tij drejtpërdrejt; kjo gjë realizohet ose duke komunikuar me të personalisht, ose duke pyetur për të në vendin ku punon, në vendin ku jeton, përmes njohjes të shokëve në përgjithësi dhe shoqërisë së tij të ngushtë; çështje të cilën për fat të keq prindërit e neglizhojnë shumë.
E një rëndësie të veçantë është sidomos njohja e gjendjes së besimit të tij. Lidhur me këtë, ju thoni se ende nuk keni arritur të shquani ndonjë identitet tek ai, sidomos për faktin se, gjithmonë sipas këndvështrimit tuaj, ai duket i rreptë në idetë e tij dhe neglizhues në sjelljet e tij. Sa më përket mua, gjithmonë sipas përshkrimit që ju bëni, gjendja e tij më nxjerr në pah, se ai është i luhatshëm midis njohjes dhe sjelljes, ende nuk ka ndërtuar një linjë fetarë të qartë për veten e tij, ose mundësia tjetër është që përkushtimi i tij të jetë fasadë dhe joreal; aparencë që e shfaqin shumë të rinj, kur duan të bëjnë për vete vajzën që duan.
Mësimi i situatës së besimit të tij mund të arrihet lehtësisht, duke pyetur xhematin e xhamisë së lagjes ku ai jeton, duke njohur se sa janë të përkushtuar fetarisht shoqëria e tij me të cilën ai qëndron, duke pyetur kolegët, përgjegjësit apo shefat e tij të punës; pasi kjo çështje është tepër e rëndësishme.
Periudha e tretë: Studimi i temperamentit dhe mundësisë së jetesës me të:
Ndërsa sa i përket inatit të tij, ngurtësisë së mendimit dhe përpjekjes së tij për ta imponuar mendimin e vet personal përmes debatit të vazhdueshëm, ka disa vajza që e pëlqejnë një natyrë të tillë dhe e konsiderojnë atë simbol të fuqisë së personalitetit, por nëse ti nuk e pranon këtë gjë, sërish ka nevojë të vihet në pyetje dhe personi më i mirë që mund t’i përgjigjet pyetjes mbi temperamentin e vërtetë të tij, të cilët janë familjarët dhe shokët e tij të ngushtë. Por ai që do t’i pyesë ata mbi këtë, duhet të gëzojë lidhje të mira dhe të ngushta me ta, si dhe duhet që temën ta hapë me mençuri dhe inteligjencë, duke mos bërë pyetje të drejtpërdrejta dhe të qarta, sepse kësisoj me siguri që ata nuk do përgjigjen çiltërsisht.
Inati i përket natyrave njerëzore, me të cilat është e vështirë të vendosësh raporte, sepse është vështirë ta bindësh personin inatçor kundrejt një mendimi të ndryshëm nga mendimi i tij dhe për pasojë është e vështirë të arrish të vendosësh me të pika të përbashkëta. Inati i një personi të tillë mund të arrijë deri aty, sa pavarësisht nga pasojat, ai t’i neglizhojë krejtësisht ndjenjat dhe botën emocionale të tjetrit, si dhe  mendimin që tjetri e shikon si të saktë. Sjellja më një personalitet të tillë ka nevojë për qetësi, durim dhe mençuri të madhe e je vetëm ti ajo, që përcakton kapacitetin tënd për tu përfshirë me këtë natyrë dhe për të vendosur raporte me të.
Në fakt unë nuk arrita ta kuptojë atë që ju synonit me thënien tuaj “mendësitë e vjetra” që ai bart. Nëse ato kanë të bëjnë me këndvështrimin e tij lidhur me gruan, martesën, rolin e bashkëshortit dhe babait për shembull, kjo gjë patjetër që ka një rëndësi të madhe; por nëse ti me “mendësi të vjetra”, nënkupton mendime të tij që kanë të bëjnë me çështje të tjera të jetës, të cilat qëndrojnë në një shkallë më të ulët rëndësie, atëherë çështja është më e thjeshtë.
Në përfundim, unë kam bindjen se nëse ti ia shpreh atij të gjitha mendimet dhe ndjenjat e tua, ky do të jetë shtegu më i mirë për ta ndarë mendjen. Fshehja e frikës tënde dhe konfuzioni yt nuk ka për t’ju sjellë gjë tjetër veçse luhatje, depresion dhe tkurrje të mëtejshme. Të folurit shkoqur me të, do ta bëjë atë ose që me fjalët e tij t’ju qetësojë, ose të polemizojë dhe të përpiqet të ta imponojë mendimin e tij, për të ta shtuar kësisoj edhe më tepër frikën dhe stresin.
Vendosi pikat mbi germa menjëherë dhe bini dakord bashkërisht mbi një mekanizëm, i cili do zgjidhë mosmarrëveshjen midis jush, duke mos iu imponuar njëri-tjetrit me forcë. 
Gjithashtu të këshilloj ta shtysh afatin e martesës dhe assesi mos të nxitosh ta ndërmarrësh këtë hap, përveçse kur je në një gradë të lartë qetësie dhe prehjeje.
Po kështu lypset prej teje që të falësh namazin e “Istikhares- Ta lusësh Allahun që të të japë më të mirën”, si dhe t’i lutesh Allahut të Lartësuar që të të udhëzojë në rrugën e drejtë.
Lus Allahun e Lartësuar, që të ta lehtësojë rrugën e mirësisë dhe të të udhëzojë në rrugën e balancuar.
Na qetëso duke na informuar mbi të rejat e tua!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit