Udhëheqësit e grupit G7 të vendeve të pasura kanë thënë se do të mbështesin Ukrainën për “për aq kohë sa duhet” në vazhdën e sulmeve të mëdha ruse të së hënës.
Grupi, i cili u mblodh për bisedime virtuale emergjente, tha se do të vazhdojë të japë ndihma ushtarake dhe humanitare.
NATO tha gjithashtu se do të qëndrojë me Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme, raporton bbc.
Të paktën 19 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, pasi raketat ruse goditën rajone anembanë Ukrainës, përfshirë Kievin qendror.
Sulmet vazhduan edhe të martën, me civilët që u këshilluan të qëndronin në strehimoret e sulmeve ajrore.
Presidenti rus, Vladimir Putin tha se sulmet ishin në hakmarrje për një goditje në një urë kyçe që lidh Rusinë me Krimenë e pushtuar, për të cilën ai fajësoi Ukrainën.
Në deklaratën e saj, G7 tha se ishte “thellësisht i shqetësuar” nga këto sulme dhe mirëpriti hetimin e mëtejshëm për shkakun e tyre.
G7 përbëhet nga shtatë ekonomitë më të mëdha “të avancuara”.
Ai përfshin Kanadanë, Francën, Italinë, Gjermaninë, Japoninë, Britaninë e Madhe dhe SHBA-në.
Kina nuk përfshihet pasi nuk konsiderohet një ekonomi e përparuar në mënyrën se si janë vendet e tjera. Rusia ishte pjesë e grupit, por u përjashtua pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014. /Telegrafi