Italia, Franca, Gjermania dhe Spanja planifikojnë të rifillojnë me procesin e vaksinimit me AstraZeneca pasi Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) arriti në përfundimin se kjo vaksinë kundër COVID-19 është “e sigurt dhe efektive”.
Siç edhe dihet, një numër vendesh evropiane kishin pezulluar përdorimin e kësaj vaksine për shkak të raporteve të pakonfirmuara për një normë të rritur të mpiksjes së gjakut midis marrësve.
Kjo e shtyu EMA të fillojë një rishikim të sigurisë për të parë nëse kishte një lidhje midis vaksinës dhe mpiksjes së gjakut.
“Përfitimet nga ajo në mbrojtjen e njerëzve nga COVID-19 janë më të mëdha sesa rreziqet e mundshme”, ka thënë drejtorja ekzekutive e EMA, Emer Cooke në një konferencë shtypi.
Ajo shtoi, megjithatë, se rregullatori “nuk mund të përjashtojë përfundimisht një lidhje midis këtyre rasteve [të mpiksjes së gjakut] dhe vaksinës”.
Dhe pas njoftimit të EMA, Italia tha se do të riniste të premten vaksinimin e njerëzve të saj me AstraZeneca.
Zyrtarët e qeverisë franceze thanë se do të bënin të njëjtën gjë, me kryeministrin Jean Castex duke marrë vaksinën të Premten pasdite për të treguar besimin e qeverisë në vaksinën.
Spanja dhe Gjermania gjithashtu njoftuan se do të rinisnin procesin e vaksinimit me AstraZeneca.
Sidoqoftë, Norvegjia, Suedia dhe Danimarka thanë se do të vazhdonin pezullimin e përdorimit të kësaj vaksine, ndërsa po shqyrtojnë vendimin e EMA.