18.4 C
Pristina
Wednesday, July 3, 2024

Vëmendja e vecantë që Zoti i kushton prindërve në Kuran tregon për madhështinë e Fesë Islame

Më të lexuarat

“Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë dhe silluni mirë me prindërit” [En-Nisa: 36] Prindërit zënë një vend të vecantë në jetën e njeriut, sepse pas Zotit ata janë arsyeja e ekzistencës së njeriut në këtë jetë. Prandaj për filozofinë islame obligimi për t’i respektuar prindërit vjen fill pas obligimit për të adhuruar Zotin. “Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!”. [El-Isra: 23-24]
Vëmendja e vecantë që Zoti i kushton prindërve në Kuran tregon për madhështinë e Fesë Islame. Paramendo rendin dhe paqen që do të sundonte botën në qoftë se njerëzit do të zbatonin këtë këshillë të artë kuranore. Sepse çdo individ ose është fëmijë ose është prind i dikujt, ose është hem fëmijë hem prind në të njëjtën kohë. Respektimi i prindërve është marrëdhënie shpirtërore sepse lidhet fort me besimin në Zot. Kush e beson vërtet Zotin sillet denjësisht me prindërit, sepse respekti ndaj tyre është fryt i besimit. Më gjeni një rast tjetër ku Zoti krahas adhurimit urdhëron respekt dhe përkujdesje si rasti i prindërve. “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit,…” [En-Nisa: 36]
“Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit….” [El-Isra: 23][16]
“…Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu!…” [Llukman: 14]
Ibn Abasi tek komenton këtë ajet thotë: “Kush falënderon Allahun dhe nuk falënderon prindërit, vepra e tij është e papranueshme, sepse këto të dyja janë të pandashme në Kuran. Respektimi i prindërve është urdhër i Allahut, dhe kush nuk respekton urdhrin e Tij nuk respekton vetë Allahun. Për një besimtar që beson Zotin dhe ditën e gjykimit, mjafton fakti që respektimi i prindërve është urdhër hyjnor për t’i respektuar ata. Dhe mbi të gjitha fakti që respektimi i prindërve konsiderohet vepër që e kënaq Zotin. Prandaj profeti a.s thotë: “Zoti kënaqet kur kënaqet prindi dhe zemërohet për zemërimin e tij.”
Respektimi i prindërve është virtyt profetik. Nuk ka pas profet që të mos ketë qenë mirënjohës dhe respektues i prindërve të tij, edhe në qoftë se ata kanë qenë kundërshtarë ideologjikë. Ibrahimi [alejhi selam] ishte i sjellshëm me babain e tij megjithëse ai nuk besonte por insistonte në të keqe dhe e mbronte atë.
“Trego në Libër për Ibrahimin! Ai ishte njeri i së vërtetës dhe profet. Ai i tha të atit: “O babushi im, përse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh e as që mund të të sjellë ndonjë dobi? O babushi im, mua më ka ardhur prej diturisë, çfarë s’të ka ardhur ty; andaj ndiqmë mua dhe unë do të të udhëzoj në rrugën e drejtë! O babushi im, mos adhuro djallin, sepse ai është gjithmonë i pabindur ndaj të Gjithëmëshirshmit.
Jahja [alejhi selam] ishte respektues me prindërit e tij: “Dhe i sjellshëm ndaj prindërve të vet, nuk ishte i ashpër dhe i padëgjueshëm.” [Merjem: 14]
Isai [alejhisselam] ishte i sjellshëm me nënën e tij, Merjemen. “Dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm.” [Merjem: 32]
Respektimi i prindërve është çështje e përjetshme, kjo marrëdhënie e njeriut me prindërit nuk pushon kurrë, madje edhe nëse prindërit na urdhërojnë për gjëra që Zoti na i ndalon, ne jemi të detyruar të mos e përfillim urdhrin e tyre, por jemi të urdhëruar të vazhdojmë t’i respektojmë ata . “Nëse ata orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ta në këtë jetë dhe ndiq rrugën e atij që drejtohet tek Unë me devotshmëri; pastaj, tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t’ju lajmëroj për atë që keni bërë.” [Llukman: 15]
Ibn Mesudi thotë: “E pyeta Profetin cila është vepra më e dashur tek Allahu? Tha: Namazi në kohën e vet. Po pastaj?- Tha: respektimi i prindërve. Pastaj tha: Xhihadi në Rrugën e All-llahut.”
Muavije Sulemiu kërkon leje nga i Dërguari i Allahut për të marrë pjesë në luftë. Ai e urdhëron të kthehet tek nëna dhe të sillet mirë me të, dhe i tha: “Mjerë për ty, mos iu ndaj këmbëve të saj sepse aty ndodhet Xheneti!”
Madje respektimi i tyre vazhdon edhe pas vdekjes:
– Lutja dhe kërkimi faljes për ta.
– Lëmosha për shpirtin e tyre
– Respektimi i miqve dhe dashamirëve të tyre: “Bamirësia më e madhe është që fëmija të respektojë miqt e babait të tij.”
Vërtet respektimi i prindërve është adhurim, vepër shumë e dashur për Allahun dhe arsye për të fituar xhenetin, në anën tjetër mosrespekti ndaj tyre është mëkat i madh. I Dërguari i Allahut ka thënë: “e mallkoftë Allahu atë që mallkon prindërit e tij!”
Pra ky do të jetë fati i atij që mallkon prindërit, dhe mallkimi është veprim verbal, pra shprehet me fjalë, po ai që i dhunon prindërit çfarë fati do të ketë?! Me siguri edhe më keq. Në kohën që jetojmë kjo sjellje po shndërrohet në normë, dhe mesa duket njeriu modern që përfaqëson njeriun e iluminuar, njeriun e udhëhequr nga arsyeja e ka humbur këtë betejë me të keqen. Përndryshe nuk ka si shpjegohet ndryshe se azilet e pleqve janë projekte të shoqërive moderne, gjë e cila as që nuk cohej ndërmend për shoqërinë tradicionale, vepër e cila konsiderohej një turp i madh. Sot hidhen hipoteza se shoqëria moderne është më e arsimuar dhe e përndritur se shoqëria tradicionale, por problemi është se tragjedi të tilla shoqërore nuk ishin të njohura për shoqërinë tradicionale, sepse ata qenë të lidhur me Zotin, ndryshe nga shoqëria moderne e cila logaritë i bën me arsyen, pra është ajo që përcakton të mirën dhe të keqen, duke harruar faktin se vetë arsyeja ka limite.
Me gjithë pretendimet e shoqërisë moderne për epërsi në rrafshin e dijeNIve ndaj shoqërisë tradicionale, problemaikat që ajo shfaq shtohen çdo ditë e më shumë dhe janë të tmerrshme, sepse nuk mjafton veç të arsimohesh por duhet edhe të edukohesh mbi të gjitha. Planet për spastrimet etnike nuk i përpiluan njerëzit e paarsimuar por ata të arsimuar, shumë madje, por të paedukuar. Armët e shkatërrimit në masë i prodhuan shkencëtarët shumë të arsimuar por të paedukuar. Pra njeriut nuk i mjafton veç arsyeja për të zgjedhur të mirën dhe refuzuar të keqen, por edhe shpirti, shpirti mbi të gjitha.
Njeriu modern është dhënë pas dukjes dhe ka humbur kontaktet me anën e brendshme, dhe i udhëhequr veç prej arsyes pasojat janë të tmerrshme. Pikërisht kjo gjë mund ta shpjegojë tragjedinë e ngjarjes së ndodhur këto ditë në qendrën e përkujdesjes për të moshuarit në Kosovë.
Nga njëra anë shoqëria moderne ka pranuar që prindërit t’i nxjerrë nga shtëpia dhe t’i strehojë në azilin e pleqve, nga ana tjetër befasohet kur përballet me lajme të tilla ngjarja e Kosovës, që në fakt është maja e ajsbergut në raport me çfarë ndodh në ato qendra në të vërtetë. Në qoftë se njeriu modern nuk ka mëshirë dhe respekt për prindërit e vet si mund të presë një gjë të tillë nga të tjerët. Ai veç sa e ka dhënë shembullin e keq dhe pret shembullin e mirë prej të tjerëve. Kjo është tragjedia e radhës në skenën e shoqërisë moderne.

Dorian Balliu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit