0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Vëllezërit shqiptarë Barbarosa, kolosët e flotës islame

Më të lexuarat

E vërteta me të cilën jam ballafaquar është se, sa më shumë që kam avancuar në këtë libër dhe sa më shumë që i kam shfletuar faqet e harruara të historisë, aq më shumë më është shtuar bindja, që me kohë është mishëruar tek unë, se historinë tonë, të cilën ne nuk e njohim, ata e njohin më së miri. Këta njerëz na e kanë studiuar mirë historinë, ndërkohë që ne kemi rënë në grackën që ata na e kurdisën, rrjedhimisht e harruam historinë dhe heronjtë tanë, saqë ramë në kthetrat e injorancës dhe prapambetjes. Si pasojë, kujtimi i heronjve tanë u fshi nga ndërgjegjja jonë.

Nëse mendon se ky konkluzion është thjesht një iluzion i një personi të çmendur pas teorive konspirative, atëherë pyet këdo që ka parë ndonjë nga filmat me piratë, të cilët i prodhon Hollivudi, për emrin e piratit më të njohur që shfaqet nëpër filma apo tregime, madje edhe nëpër filmat serikë për fëmijë. Atij nuk do t’i duhet kohë e gjatë që të të përgjigjet se, fjala vjen, pirati mjekërkuq, me një sy, me një dorë të prerë e me një këmbë prej druri është pirati Barbarosa, që shfaqet gjithmonë te filmat me piratët e Karaibeve. E vërteta që ata nuk duan që ne ta dimë është se Barbarosa, të cilin na e shfaqin në formë të frikshme, është një hero musliman, shokët e të cilit kanë qenë të paktë në gjithë historinë njerëzore. Ai ishte një burrë krenar, fisnik, luftëtar në kauzën e Allahut. Nuk ishte pirat i etur për gjak, siç e shfaqin, por një hero që punonte për ta shpëtuar gjakun e mijëra muslimanëve të cilin e derdhnin të parët e tyre kriminelë (islamofobët) nëpër qendrat e torturimit në Andaluzi.
Historia që do të tregojmë fillon me takimin mes sulltanit osman, Selimit të Parë, dhe një komandanti të pakrahasueshëm të flotës detare që quhej Aruxh (Oruç). Ai ishte komandant i Perandorisë Osmane, nga një baba shqiptar dhe një nënë evropiane nga Andaluzia, e cila kishte ikur për ta ruajtur fenë nga gjyqi i inkuizicionit kryqtar që gjendej nëpër kishat e krishtera. Allahu deshi që kjo grua trime t’u shpëtojë torturave e burgjeve të inkuizicionit në Andaluzi, që t’ua rrëfejë bijve të saj torturat e tmerrshme çnjerëzore që ua kishin përjetuar dajallarët në Andaluzi, si dhe t’u rrëfejë për qëndresën popullore islame të muslimanëve sypatrembur në atë vend, që refuzuan ta adhuronin kryqin në vend të Allahut. Kjo nënë e guximshme që në fëmijëri në zemrat e bijve të saj mbolli shpirtin luftarak në rrugën e Allahut. Të këtilla janë nënat që bëjnë heronj.

Sulltani osman, trimi Selimi i Parë, që u bë kalifi i parë i kalifatit osman, e ftoi komandant Oruçin dhe e vuri në dijeni për letrat ku kërkohej ndihmë, të cilat i kishin dërguar muslimanët e Andaluzisë nga qilarët e errët të kishave. Sulltan Selimi i ngarkoi Oruçit një mision i cili te njerëzit konsiderohet mision i pamundur duke ia dhënë udhëzimet strategjike për këtë mision. Ky mision i pamundur, me pak fjalë, ishte që Oruçi ta udhëhiqte flotën detare islame nga skaji lindor i Detit Mesdhe në Turqi deri në skajin perëndimor në Andaluzi dhe gjatë rrugës të luftonte flotat e bashkuara të kryqëzatave që vinin nga Spanja, Portugalia dhe Italia, si dhe anijet e shenjtorit Gjon. Më pas duhej të mbërrinte i sigurt te ndonjë nga qytetet andaluziane të pushtuara nga kryqëzatat kastilite dhe më pas ta shkatërronte garnizonin detar spanjoll të atij qyteti dhe të paralizonte fuqinë e armikut duke u futur nëpër kisha në befasi, për të penguar arratisjen e priftërinjve katolikë, të cilët e dinin vendndodhjen e dhomave të torturimit. Kështu, pas gjetjes së dhomave të fshehta të torturimit do të arrihej lirimi i muslimanëve evropianë, duke pasur parasysh mostërheqjen e tyre nga qilarët e kishave derisa të perëndonte dielli, për të parandaluar verbimin e të burgosurve që vinte si rrjedhojë e mosshikimit të diellit prej vitesh. Dhe, në fund, të lundronte në errësirë duke pasur parasysh se kthimi mbrapsht kësaj here nuk do të ishte drejt Turqisë, por drejt Algjerisë, për t’u dhënë ndihmë të burgosurve sa më parë, nga njëra anë, dhe për t’i bërë dredhi flotës detare të armikut, nga ana tjetër. Këtu përfundonte misioni, firmosur nga sulltan Selimi i Parë.

A ke parë, dëgjuar apo lexuar ndonjë operacion më të vështirë e më të pamundur në historinë njerëzore se ky?

Ajo që të habit është se komandanti luftarak Oruçi e përmbushi këtë mision me një sukses të paparë. Më e çuditshmja është se ai dhe vëllezërit e tij e kryen atë për disa herë radhazi. Këta vëllezër shqiptarë, Allahu i shpërbleftë me të mira!, arritën të shpëtonin jetët e dhjetëra mijëra muslimanëve të Andaluzisë. Si rrjedhojë, komandant Oruçi u bë i famshëm në mbarë detet e botës. Kështu, nëpër rrugët e Evropës së krishterë qarkullonin histori të ndryshme për heroizmin e një marinari osman që lundron në det si një fantazmë e frikshme e të cilit nuk i dilte askush përpara. Muslimanët e Andaluzisë e quanin ‘’Baba Oruçi’’ ose ‘’Baba Arusi’’ nga respekti dhe simpatia e madhe që kishin për heroin që i shpëtoi nga vuajtjet e inkuizicionit.

Italianët e transformuan emrin e tij nga ‘’Baba Arus’’ në ‘’Barbarose’’, që në italisht do të thotë mjekërkuq. Mbase ky është dhe sekreti që pirati i cili shfaqet në filmat e atyre njerëzve të pavlerë mban mjekër të kuqe.

E rëndësishme është se komandant Oruçi ose Barbarosa në luftë me vete i mori edhe vëllezërit e tij, Iljasin, Is’hakun dhe Husrufin, i cili u quajt Hajredin. Iljasi ra martir në luftë. Ndërkaq, ndërsa Oruçi u kap rob nga kalorësit e shenjtorit Gjon në ishullin Rodos, Hajredini u angazhua në luftimin e udhëheqësve të cilët bashkëpunonin me kryqtarët spanjollë në trojet algjeriane. Porse trim Oruçi arriti që nëpërmjet një operacioni imagjinar ta shpëtojë veten dhe të shkojë fshehurazi në Itali nëpërmjet detit ku zaptoi një anije të kryqtarëve pasi që i vrau të gjithë ushtarët që ishin në të. Më pas lundroi me të i vetëm nga Italia në Egjipt. Pastaj luftëtari i pashoq, Oruçi, lundroi edhe njëherë nga porti i Aleksandrisë për ta takuar vëllanë e tij, Hajredinin, që të dy vëllezërit Barbarosa të vazhdonin së bashku luftën në kauzën e Allahut, me anijet e tyre të pakta e të thjeshta. Mirëpo, njëri nga udhëheqësit e pabesë, i cili ishte aleat me Spanjën kryqtare të asaj kohe, u ofroi ndihmë pushtuesve për rrethimin e qytetit Tilimsan të Algjerisë. Komandanti trim Oruçi dhe ushtarët e tij turq e algjerianë nuk pranuan të iknin e as të dorëzoheshin. Ata parapëlqyen të takoheshin me Allahun duke luftuar e jo duke ia mbathur. Kur e morën vesh spanjollët që komandant Oruçi është duke luftuar personalisht në betejën në fjalë, menjëherë dërguan përforcime ushtarake për ta rrethuar këtë trim nga të gjitha anët. Pasi që kryqtarët e mbuluan atë nga çdo anë, u hodhën mbi trupin e tij me shpatat e tyre të pabesa duke e prerë dhe duke e shqyer. Si rrjedhojë, trimi i madh Oruç u vra. Kryqtarët nuk u mjaftuan me kaq, por ia prenë kokën dhe e morën me vete për ta çuar rreth e përqark qyteteve katolike të Evropës. Sa herë që kalonte koka e tij, binin kambanat e kishave nga gëzimi, i cili qe kthyer në një makth për sunduesit e tyre.

Por, a mori fund Islami me vdekjen e Oruçit? A iu dorëzuan muslimanët kryqëzatave?

Në fenë islame pak rëndësi ka se kush e bart flamurin. Ajo që ka rëndësi është që flamuri të qëndrojë i ngritur përherë. Sa herë që perëndon ndonjë hero i botës islame, lind një hero tjetër. Kësaj radhe do të shfaqej Hajredini, vëllai i Oruçit, i cili ishte një komandat trim, sypatrembur. Ai ishte i vendosur që ta vazhdonte betejën e nisur më parë nga vëllai i tij Oruçi. I bëri gati anijet dhe u nis menjëherë drejt Tunizisë. Atje i shkatërroi anijet spanjolle dhe e çliroi Tunizinë nga kryqtarët dhe servilët e tyre. Më pas, ai, me ushtarët e kalifatit osman, e çliruan Algjerinë, porse nuk u mjaftuan me kaq, por pushtuan edhe ishujt Baleare të Spanjës dhe e shkatërruan flotën spanjolle të asaj zone. Me të dëgjuar papa Pali i Tretë në Romë për fitoret e këtij komandanti musliman, shpalli nga Vatikani gjendjen e luftës së përgjithshme në çdo cep të Evropës katolike. Kështu, u formua një koalicion gjigant kryqtarësh i përbërë nga republika e Venecias, republika e Gjenevës, anijet luftarake të shtetit papnor dhe piratët e shenjtorit Gjon. Nga kjo u formua flota më e madhe që kishte njohur bota në atë kohë, e përbërë prej 600 anijesh që bartnin afro 60 mijë ushtarë. Atë e drejtonte një komandat detar legjendar i quajtur Andrea Doria, njëkohësisht komandanti më i madh detar që e ka njohur Evropa në shekujt mesjetarë, për t’i dhënë fund njëherë e mirë Islamit në Detin Mesdhe. Në anën tjetër, forcat osmane përbëheshin nga 122 anije, që bartnin vetëm 22 mijë ushtarë. Dy flotat u përballën në betejën e Prevezës, më 4 xhumadel ula, të vitit 945 (kalendari hënor), që përkon me datën 24. 7. 1538. Mbaje mend mirë këtë datë, ngase ajo është një nga ditët e shënuara, dita e betejës së paharruar të Prevezës, njëherazi beteja më e madhe detare në historinë e derisotme islame.

Edhe pse kryqtarët ishin superiorë për sa i përket përgatitjes dhe armatimeve, Hajredin Barbarosa korri një fitore madhështore, duke e shpartalluar flotën e koalicionit evropian si mos më keq, rrjedhimisht legjenda e tyre Andrea Doria ia mbathi nga beteja, që nuk zgjati më shumë se 5 orë.

Pas kësaj fitoreje madhështore të muslimanëve, trojet e mbretërisë së kryqtarëve i përfshiu një gjendje paniku. Kësisoj, pa diskutim, flota detare e muslimanëve për tre shekuj me radhë u bë mbretëresha e ujërave të Detit Mesdhe. Lajmet për fitoren e Hajredinit u përhapën në të gjitha trojet e botës islame, ndaj buçitën brohoritjet e tekbirit në Mekë, në Medinë, në Kuds, në Bombei, në Damask, në Kairo, në Semarkand dhe në të gjitha vendet islame. Pas fitores së Hajredinit, flota detare islame, nën udhëheqjen e kalifatit osman, u shndërrua në flotën më të fuqishme të të gjitha deteve dhe oqeaneve. Mjafton të dish se shtete si Anglia, Franca, Holanda, Danimarka, Sicilia dhe Sardeni zunë t’ia paguanin xhizjen dhe taksat kalifatit në këmbim të lejes për qarkullimin e anijeve në ujërat e Detit Mesdhe, nën mbrojtjen e flotës islame osmane, që qe vendosur në portet e Afrikës Veriore, veçanërisht në Algjeri.

A u mjaftua heroi i madh Hajredin Barbarosa me fitoren e madhe që korri? Sigurisht që jo. Ai nuk u mjaftua me lavdinë që ua dha muslimanëve, ndaj menjëherë drejtoi disa sulme intensive për të shpëtuar nga inkuizicioni muslimanët në Andaluzi. Ai lundroi përqark ujërave të Detit Mesdhe duke transportuar azilkërkuesit muslimanë të Andaluzisë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë, gra dhe të moshuar. Kjo i shtyri andaluzianët që, në shenjë mirënjohjeje, ta quanin Hajredin (mirësia e fesë), edhe pse emri i tij i vërtetë ishte Husruf.

Kalifi osman i asaj kohe Hajredinin e emëroi udhëheqës të përgjithshëm të të gjitha flotave detare luftarake islame, si shenjë mirënjohjeje për këtë komandant ushtarak madhështor.

Xhihad Turbani
Përktheu: Rexhep Milaqi
Burimi: Libri “Mieh min udhamai ummetil Islam gajjeru mexhra et-tarih”, Xhihad Turbani
(Njëqind kolosët muslimanë që e ndryshuan rrjedhën e historisë)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit