8.1 C
Pristina
Friday, December 6, 2024

Nuhatja e një gjeniu: si e paratha hebreu Einstein atë që po bën Izraeli mbi palestinezët

Më të lexuarat

Pse fizikanti i famshëm do sulmohej si antisemit nëse do qe gjallë?

Fizikani hebre Albert Einstein ishte i qartë për planin për të krijuar një shtet hebre kur, në vitin 1946, gjatë dëshmisë para Komisionit Anglo-Amerikan të Hetimit mbi Palestinën, ai u pyet për shtetin e mundshëm të Izraelit në vend të komunitetit kulturor të hebrenjve. Në atë kohë, ai tha pa mëdyshje se nuk kishte qenë kurrë avokat i shtetit, sipas një portali kanadez të lajmeve.

Portali Counterpunch përmbledh një artikull të autorit Robin Philpot, në të cilin ai u përpoq të hidhte dritë mbi pikëpamjet e Einsten-it, i cili mbrojti krijimin e një komuniteti kulturor të hebrenjve, pa e kufizuar atë në territorin e Palestinës dhe pa e kuptuar atë si një ide ekskluzivisht fetare, sipas Leon Simon, një nga redaktorët dhe përkthyesit e parë të artikujve në këtë portal.

Disa javë përpara krijimit të shtetit të Izraelit, Shepard Rifkin, drejtor ekzekutiv i grupit Lehi (Luftëtarët izraelitë të Lirisë), u kërkoi përfaqësuesve të grupit të organizonin një takim me Einsten-in në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse ai konsiderohej “më i madhi personaliteti hebre” i kohës.

Por përgjigja e fizikantit ishte e qartë: “Kur në Palestinë të ndodhë një fatkeqësi e vërtetë dhe përfundimtare për ne, përgjegjësit e parë për të do të jenë britanikët dhe të dytit organizatat terroriste që kanë dalë nga radhët tona. Nuk jam gati të shoh dikë të lidhur me këta mashtrues dhe kriminelë”.

Autori i artikullit e komentoi këtë me fjalët: “Për të kuptuar pikëpamjet e Einsten-it, nuk duhet shumë; mjafton të zëvendësohen britanikët me amerikanët, dhe organizatat terroriste si grupi Lehi dhe Irgun me qeverinë e (kryeministrit izraelit Benjamin) Netanyahu dhe trashëgimtarëve politikë të liderëve të këtyre grupeve, Menachem Begin dhe Yitzhak Shamir”, të cilët ishin edhe kryeministra izraelitë.

Nën rrogoz

Einsten tha se jeta e tij ishte e ndarë midis formulave dhe politikës, por shkrimet e tij politike mbi Izraelin dhe Sionizmin në rastin më të mirë u lanë nën rrogoz dhe në rastin më të keq u shtrembëruan plotësisht duke u shfaqur në mbështetje të themelimit të shtetit të Izraelit, derisa Fred Jerome, përkthyer nga gjermanishtja, botoi në librin “Enstein-i mbi Izraelin dhe Sionizmin”.

Kurt Blumenfeld, një aktivist sionist i dërguar për të joshur Einstein-in, paralajmëroi presidentin e atëhershëm izraelit, Chaim Weizmann për qëndrimin e fizikantit.

“Einsten nuk është një sionist dhe ju lutemi mos u përpiqni ta fitoni atë në sionizëm ose ta lidhni atë me organizatën tonë. Ai anon drejt socializmit. Dëgjoj se prisni që ai të mbajë fjalime. Ju lutemi të jeni shumë të kujdesshëm me të. Einstein shpesh thotë atë që ne nuk na pëlqen”, tha ai.

Autori thekson se deri në vdekjen e tij në vitin 1955, Ensten ishte një pengesë për projektin sionist të kolonizimit të Palestinës dhe krijimit të shtetit të Izraelit. Një shembull i kësaj është letërkëmbimi i tij me Chaim Weizmann në vitin 1929, kur fizikanti shkroi: “Nëse nuk mund të gjejmë një mënyrë për bashkëpunim të sinqertë dhe marrëveshje të sinqerta me arabët, ne nuk kemi mësuar asgjë gjatë dy mijë viteve vuajtje dhe meritojmë fatin që na ndodhi dhe do të na ndodhë”.

Ideja e “fatit që do të na bjerë” u përsërit shpesh nga Einstein-i. Ai duket se ka parashikuar që në vitin 1929 se ëndrra sioniste për shtetin e Izraelit, pa “bashkëpunim të sinqertë dhe marrëveshje të drejta” me fqinjët e tij palestinezë, do të shndërrohej në atë që është sot – një nga vendet më të rrezikshme në botë për çifutët.

Në shoqërinë e Einstein-it

Në mars 1947, E. Z. David, një anëtar i grupit terrorist Irgun të udhëhequr nga Menachem Begin, i bëri një pyetje fizikantit me nam, së cilës ai iu përgjigj ashpër dhe qartë. Pyetja ishte: “Çfarë mendoni për krijimin e një Palestine të lirë, nacionaliste, çifute” dhe përgjigja ishte: “Një atdhe kombëtar hebre – po, por një Palestinë nacionaliste hebreje – jo. Unë mbështes një Palestinë të lirë, dykombëshe pas një marrëveshjeje për këtë me arabët.” Kur u pyet se çfarë mendonte për ndarjen, ai tha: “Unë jam kundër ndarjes”.

Kur bëhet fjalë për imperializmin britanik dhe amerikan, Einstein nuk kishte iluzione. Ai tha: “Më duket se amerikanët tanë të dashur tani po modelojnë politikën e tyre të jashtme sipas gjermanëve, sepse ata duket se kanë trashëguar arrogancën e tyre. Edhe ata duan të marrin përsipër rolin e luajtur nga Britania e Madhe deri më tani, sikur të kishin mësuar pak nga përvoja e dhimbshme e Britanisë”.

Paraardhësit politikë të qeverisë aktuale të Netanyahu-t dhe partia e tyre u kritikuan ashpër nga Einstain-i në The New York Times. Kur Menachem Begin erdhi në New York në fund të vitit 1948, Einstein-i dhe aktivistja Hannah Arendt dhe figura të tjera hebreje në Shtetet e Bashkuara botuan një letër ku dënonin vizitën e tij dhe organizatën që ai drejtonte, duke e përshkruar atë si “një parti politike që nga organizimi, metodat dhe filozofia politike ishte shumë e afërt me partitë naziste dhe fashiste”.

Një shembull që ata përmendën ishte masakra në të cilën u vranë 240 burra, gra dhe fëmijë në fshatin palestinez Deir Yassin.

Deri në vdekjen e tij në 1955, Einstein përsëriti se “ata njerëz janë nazistë në mendimet dhe veprimet e tyre”, dhe autori e komentoi këtë duke thënë se kushdo që shqipton fjalë të tilla në mediat kryesore sot etiketohet menjëherë si antisemitik dhe përjashtohet nga ajo media.

Philpot përmendi se kryeministri i atëhershëm i Izraelit i ofroi Einstein-it presidencën pas vdekjes së Chaim Weizmann në vitin 1952, por ai nuk pranoi dhe shpjegoi arsyen: “Më duhej t’i tregoja popullit izraelit atë që ata nuk duan të dëgjojnë”. Ben Gurion tha: “Më thuaj çfarë duhet të bëj nëse ai është dakord. Më është dashur t’i ofroj atij pozicionin sepse ishte e pamundur të mos e bëja, por do të kemi problem nëse ai pranon.”

Autori përfundoi me një mesazh për të gjithë të akuzuarit për antisemitizëm apo ata që u pushuan nga puna sepse guxuan të kritikonin shtetin e Izraelit duke e quajtur shtet aparteid dhe duke dënuar gjenocidin ndaj palestinezëve. Të tillëve u tha se ishin në shoqërinë e Einstein-it dhe po të ishte gjallë sot do të ishte në vijën e parë të protestës bashkë me ta. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit