1.4 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Veçoritë e familjes muslimane

Më të lexuarat

Meqë njeriu është krijesa më fisnike te Ligjvënësi, s’ka mëdyshje se përkujdesjes ndaj qenies njerëzore i dha një konotacion të veçantë. Për ta formuar njeriun dhe për ta integruar në të gjitha etapat e jetës, si dhe për ta përgatitur që të jetë mëkëmbës në Tokë, Allahu ia plotësoi të gjitha resurset në aspektin shpirtëror, duke i çuar të dërguar për ta administruar jetën sa më mirë dhe duke i shpallur libra hyjnorë që ta mbajë lidhjen me Krijuesin, praktikisht të jetojë me udhëzimet hyjnore, e t’u shmanget devijimeve djallëzore. Njëkohësisht, Allahu i Lartësuar ia përmbushi edhe resurset njerëzore të të gjitha llojeve për t’i plotësuar standardet jetësore në të gjitha poret e jetës, ia plotësoi edhe nevojat fiziologjike e biologjike, me qëllim që njeriu të jetojë i lumtur dhe sa më komod.

Kështu, Allahu krijesën e parë nuk e la të vetmuar, por ia krijoi edhe familjen të jetojnë, të sfidohen, të obligohen e të banojnë së bashku dhe bëri që armiku i tyre të jetë i përbashkët. Lidhur më këtë, Allahu në Kuran thotë: “E Ne i thamë: “O Adem, ti dhe bashkëshortja jote banoni në Xhenet dha hani lirisht nga frutat e tij kah të doni, po mos iu afroni asaj bime (peme) e të bëheni zullumqarë (të vërtetës suaj).” (El Bekare, 35)

Familjen, të cilën e krijoi Allahu dhe i vendosi sistem të përkryer, që konsiderohet njësia elementare për ndërtimin e shoqërisë, konsiderohet inkupatori i shëndetit fizik, i cili ngërthen të gjithë anëtarët e saj, ku i zhvillon dhe integron ata.

Po ashtu familja është bashkësia primare njerëzore, ku fillimisht individi takohet me kushte të jetës shoqërore, që njëherazi këto kritere ia përcaktojnë kornizën, brenda së cilës mund të zhvillohet si individ. Mu për këtë arrijmë në përfundimin se personaliteti njerëzor formohet në procesin e ndërveprimit shoqëror, duke mos harruar se vetë formimi i personalitetit të njeriut është një proces kompleks, që në vete përfshin edhe segmente të tjera, fjala vjen, kultivimin dhe zhvillimin e aftësive të mjaftueshme, që arrihet me mbartjen e elementeve thelbësore të kulturës nga familja, ku përmes studimeve arrihen edhe përvoja të shumta të një kulture të dhënë për t’u bërë pjesë e zhvillimeve kulturore e shoqërisë. Njëherazi, nuk duhet injoruar socializimin, si proces në të cilin fëmija përfshihet brenda rregullave shoqërore, ku përmes roleve dhe normave, me të cilat bëhet socializimi, në të njëjtën kohë krijon masa e kritere personale të virtyteve dhe sjelljes së tij. Gjithashtu, me peshë të rëndësishme është edhe vetë individualizmi, do të thosha si proces, me ndihmën e të cilit zhvillohet sistemi i brendshëm i motivimit dhe kuadri orientues në përputhje me atributet personale të individit. Nga ky këndvështrim, sociologët thonë se, fëmija nuk lind si njeri i formuar, por lind me predispozita që të bëhet njeri i formuar në kontekstin e ndërveprimit. Domethënë, fillimisht fëmija njoftohet me familjen e tij, andaj, në formë të përshkallëzuar, arrin të bëhet një personalitet gjatë ndërveprimit të ndërlikuar kulturor të jetës shoqërore.

Prandaj, them se familja i ngjan një anijeje të projektuar mirë, sofistikuar me pajisjet më moderne. Për të lundruar qetë dhe për t’u mbrojtur nga përmbytja duhet kujdesur vazhdimisht për të. Vepruesit kryesorë të formimit të një familjeje të shëndoshë janë pikërisht burri dhe gruaja, përkatësisht çifti bashkëshortor, me kusht që ta njohin anijen-jetën sociale dhe të dinë të lundrojnë mirë mbi oqeanin e jetës martesore, duke investuar që në mes tyre të mbretërojë harmonia, qetësia, dashuria, respekti i ndërsjellë, si dhe të mundohen t’i evitojnë dallgët e valëve që u paraqiten gjatë lundrimit të anijes. Në këtë mënyrë lundrimi i tyre do të jetë i sigurt, i qetë e i frytshëm.

Parë nga ky aspekt, familja muslimane dallon nga të tjerat në sfera të shumta e në segmente të ndryshme, andaj në vijim po potencoj disa veçori të familjes muslimane:

Një: Veçoritë e raporteve në familjen muslimane

1- Familja në Islam synon socializim, respektivisht të jetojë në bashkësi. Kjo specifikë është pjesë e maksimës në të cilën thërret Islami (domethënë afërsia dhe bashkësia), vlera këto që i promovon edhe Kurani:

“O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” (El Huxhurat, 13)

2- Familja në Islam synon formimin e raporteve pozitive, për faktin se Islami thërret në bashkëpunim, vëllazërim, komunikim, harmoni, dashuri të ndërsjellë, martesë, ashtu siç thërret në njoftim me njëri-tjetrin. Lidhur me këtë, Allahu në Kuran thotë: “Dhe nga faktet e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri e mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.” (Er Rum, 21)

3- Familja synon raporte të vazhdueshme afatgjate. Ky fakt ndërlidhet me realitetin se vetë kontrata martesore në Islam kërkohet të jetë afatgjate. Pra, nuk lejohet të jetë e përkohshme. Një kërkesë të tillë në kohën bashkëkohore e kërkojnë edhe vetë sociologët, me qëllim që familjes së hershme t’ia kthejnë dinjitetin. Në realitet, për hir të vazhdimësisë së raporteve familjare, Ligjvënësi lidhjen martesore e konsideron besë të fortë, me qëllim që të mos u lëkundet manipulimeve të mundshme që mund të shpjerë në shkatërrim të strukturës familjare, siç thotë Allahu në Kuran: “Dhe si mund të merrni atë kur njëri-tjetrit iu keni bashkuar (në një shtrat) dhe kur ato kanë marrë prej jush një besë të fortë.” (En Nisa, 21)

4- Përmes familjes Islami synon raporte ndërtimi e jo rrënimi. Praktikisht tërë investimi edukues promovuar nga Islami përmes normave ligjore dhe mesazheve hyjnore synon ruajtjen dhe kultivimin e raporteve sociale.

Dy: Veçoritë e sistemit të familjes në Islam

Është e ditur se sistemi i familjes në Islam përfaqëson një pjesë të madhe të sistemit të përgjithshëm të Islamit, që vjen si rezultat i përmirësimit të të gjitha sferave jetësore. Dallimi në mes sistemit islam dhe sistemeve të tjera qëndron në atë se ai është sistem hyjnor i krijuar ekskluzivisht në shërbim të krijesave. Ndër këto veçori përmend:

I- Sistemi familjar në Islam është veçori hyjnore

Kjo për faktin se vetë martesa në Islam specifikohet si hyjnore në dy aspekte:

a) Ka synim hyjnor. Themi se ndër objektivat madhorë të martesës në Islam janë: arritja e kënaqjes së Allahut të Lartësuar, shtimi i njerëzimit, përmbushja e nevojave biologjike e fiziologjike, plotësimi i besimit etj., siç thotë Muhamedi, alejhis salatu ues selam: “Ai që është martuar, e ka plotësuar gjysmën e besimit (imanit), ndaj le t’i ketë frikë Allahut për gjysmën tjetër.”

b) Ka prejardhje hyjnore: Akti martesor është burim nga Ligjvënësi që i është shpallur profetit Muhamed, sal-lallahu alejhi ue sel-lem. Kështu që, sipas mësimeve islame, ky akt nuk bën të ndërtohet sipas dëshirave apo egos së njerëzve, mirëpo në përputhje me mësimet hyjnore, ngase devijimi i tij rrënon në tërësi sistemin familjar.

II- Sistemi familjar në Islam është edhe veçori njerëzore

Kur themi se martesa ka objektiva hyjnorë, nuk do të thotë se përjashtohet përkujdesja apo interesat njerëzore. Përkundrazi, programi hyjnor mbi martesën përkujdesjen ndaj qenies njerëzore e ka vënë në prioritet, që përmes këtij sistemi t’u përgjigjet të gjitha kërkesave të njeriut që e favorizojnë dhe avancojnë atë në jetë në aspektin e fisnikërimit moral, në aspektin e përmbushjes romantike, biologjike e fiziologjike, me qëllim që të arrihet harmonizimi i njerëzores me shpirtëroren. Nga ky këndvështrim themi se humanizmi njerëzor përmes sistemit familjar shfaqet në disa aspekte:

a) Fillimisht kontrata apo akti martesor lidhet me krijesën më fisnike, që është njeriu. Nga ky kontekst themi se jurisprudenca islame ka specifikuar rregulla dhe norma mbi martesën, që nuk gjenden te të tjerët.

b) Islami “vullnetin e çiftit” e ka bërë kusht të vlefshmërisë së kurorëzimit, në të kundërtën, në rast mospajtimi në mes çiftit, e ka lejuar prishjen e kontratës, përkatësisht shkurorëzimin.

c) Islami për raportet bashkëshortore ka renditur obligime të përbashkëta, kryevepra e të cilave është që të kalojnë jetë të mirë e të lumtur në mes vete.

d) Aspektit pozitiv në jetën bashkëshortore në të gjitha sferat Islami i ka dhënë përparësi kundrejt atij material. Pikërisht, dashurinë, mëshirën ndaj njëri-tjetrit, prehjen i ka bërë synime parësore në martesë. Nga këtu mund të specifikoj se sipas parimeve islame kemi fakte të shumta që flasin se interesi material nuk është prioritet martesor, siç janë:

-Dhurata martesore (mehri) është vetëm respekt ndaj femrës e jo vlerë e saj…

-Sipas mësimeve islame burri e ka për detyrë të kujdeset për furnizimin e gruas, mirëpo asnjëherë kjo përkujdesje nuk mund të llogaritet si kompensim i shërbimit të gruas që ia bën burrit apo fëmijëve.

-Po ashtu kur kemi të bëjmë me pëlqimin në mes palëve për fejesë, Islami ka lejuar që bashkëshortët e ardhshëm ta shohin njeri-tjetrin para fejesës, sigurisht femra duke iu përmbajtur parimeve islame.

III- Veçori e këtij sistemi është dhe realizmi

Islami cilësohet si fe e realizmit, ngase është përkujdesur për gjendjen e njeriut në të gjitha aspektet, etapat e zhvillimit, natyrshmërinë e vet njerëzore, në të gjitha normat që gërshetojnë proceset jetësore, si dhe harmonizimin e proceseve familjare të tij. Nëse u qasemi studimeve më të detajuara të realizmit islam në legjislacionin e familjes muslimane, del në pah se:

a) Feja nuk i ka ndaluar njeriut asgjë që është në interes të tij, ashtu siç nuk i ka lejuar kurrgjë që është në dëm të tij. Kështu, Kurani kundërshton ndalimin e zbukurimeve dhe gjërave të mira, duke i lejuar ato për të gjithë njerëzit, natyrisht duke sugjeruar që të mbahet drejtësia në to dhe të mos teprohen, siç e promovon këtë Allahu në Kuran: “O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje), hani dhe pini e mos e teproni, ngase Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë. Thuaj: “Kush i ndaloi bukuritë dhe ushqimet e mira që Allahu i krijoi.” (El Araf, 31-32)

b) Realizmi i jurisprudencës islame qëndron edhe në atë se, duke njohur dobësitë e njeriut karshi shumë ndalesave, ka parandaluar çdo mekanizëm që shpie në to, në këtë mënyrë ua ka mbyllur shtigjet. Allahu thotë: “Dhe mos iu afroni kurvërisë!” (El Isra, 32) Andaj, feja ka ndaluar të vetmuarit me femrën e huaj, shikimin e saj me kënaqësi, si dhe ka obliguar mbulimin e saj.

c) Jurisprudenca islame i ka përkushtuar vëmendje të veçantë prirjeve seksuale të njeriut. Kështu, për ta përmbushur nevojën biologjike dhe fiziologjike të njeriut ka licencuar martesën e ligjshme, për ta ruajtur qenien njerëzore, nderin e njeriut, si dhe për ta diferencuar nga kafshët. Lidhur me këtë, Allahu në Kuran deklaron: “Allahu dëshiron t’ju pranojë pendimin, e ata që ndjekin dëshirën e epsheve, dëshirojnë që ju të shmangeni në tërësi (nga rruga e drejtë). Allahu dëshiron t’ju lehtësojë (dispozitat) e megjithatë njeriu është i paaftë (për t’iu përballuar epsheve).” (En Nisa, 27-28) Dobësia e njeriut, cekur në citat, nënkupton dobësinë kundrejt ngacmimeve seksuale.

d) Duke pasur parasysh nevojën fiziologjike dhe biologjike të njeriut, Islami legalizoi poligaminë në interes të tij, si dhe për t’iu shmangur rrugëve jolegjitime martesore. Meqë jo të gjitha qeniet njerëzore kanë nevoja të njëjta personale, biologjike e fiziologjike, si dhe duke pasur parasysh sëmundjet e mundshme të individëve, Islami e ka legjitimuar poligaminë në interes të çiftit.

e) Ndër dëshmitë që e vërtetojnë realizmin islam është edhe lejimi i shkurorëzimit në pamundësi të vazhdimit të jetës normale martesore. Ani pse Islami ka investuar në rregullimin e raporteve bashkëshortore, si dhe lidhjen martesore në Kuran e ka quajtur besë të fortë, ku të njëjtin nocion Allahu e ka përdorur për të dërguarit se prej tyre ka marrë “besë të fortë”, në pamundësi të vazhdimit të jetës martesore ka legalizuar divorcin, me qëllim që secili ta gjejë fatin e tij, për ta vazhduar pjesën e mbetur të jetës.

IV- Veçoria e radhës është balancimi

Ndërsa flasim për veçoritë e sistemit familjar në Islam, vërejmë dukshëm se përmes këtij mekanizmi islam synohet balancimi në mes të dy palëve (bashkëshortëve), me qëllim që të mos privilegjohet ndikimi i njërës palë kundrejt tjetrës. Duke e cilësuar sistemin martesor në Islam se është me burim hyjnor, mund të deklarojmë se balancimin në martesë mund ta perceptojmë në shumë sfera: në përzgjedhjen e bashkëshortes, ku mësimet fetare rekomandojnë që të jetë peshore e përzgjedhjes; feja dhe morali, duke mos anuar në përzgjedhje vetëm bukuria, autoriteti dhe pasuria. Po ashtu të respektohet mendimi i femrës në martesë si dhe i kujdestarit të saj, mirëpo pa vullnetin e saj s’ka martesë të pranueshme.

Në të njëjtën kohë legjislacioni islam ka balancuar raportet bashkëshortore, duke shfaqur në mes tyre dashuri e mëshirë dhe duke sugjeruar që secili prej tyre të ruajë privatësinë e vet. Kështu, femra e ruan emrin dhe mbiemrin, bindjet e saj, e gjëra të tjera. Gjithashtu, ka balancim në harmonizimin e përkujdesjes ndaj prindërve, si dhe në moslejueshmërinë e ndërhyrjes së tyre në privatësinë bashkëshortore.

V- Nga veçoritë e sistemit familjar në Islam është edhe gjithëpërfshirja

Kur flasim mbi të veçantat e gjithëpërfshirjes së sistemit familjar në Islam, themi se, sistemi islam, ashtu siç është munduar ta bëjë balancimin në mes fizikes dhe shpirtërores së njeriut në përgjithësi, ashtu ka rregulluar të gjitha normat njerëzore para lindjes së vetë njeriut. Kështu, duke filluar përgjatë ngjizjes së tij ka paraparë norma ligjore, si: trashëgimia, përkujdesja për të në rast të shkurorëzimit të nënës së fëmijës, ndërsa pas lindjes së tij ka paraparë gjidhënien, përkujdesjen për të etj. Ndërkaq, për rininë e pleqërinë si dhe pasvdekjen e tij ka rregulluar trashëgiminë, testamentin dhe mbajtjen zi për të. Mund të themi se gjithëpërfshirja e dispozitave familjare ngërthen të gjitha normat fetare: idenë për martesë, fejesën, kontratën martesore, të drejtat bashkëshortore, divorcin etj.
Dr. Sadat Rrustemi
Revista Shembulli (Shembulli.com)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit