9 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Vdes palestinezja më e moshuar, ëndrra e saj ishte të varroset në Palestinë

Më të lexuarat

Emine Kasim Shehabi, palestinezja më e moshuar që 70 vite të jetës i kaloi si refugjate në Liban, ka ndërruar jetë në moshën 120 vjeçe

 

BEJRUT (AA) – Palestinezja më e moshuar Emine Kasim Shehabi ka ndërruar jetë si refugjate në Liban, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Libanit, NNA, Shehabi, e cila gjysmën e jetës e kaloi si refugjate, ka ndërruar jetë sot në moshën 120 vjeçe.

Shehabi dhe familja e saj, që ishin pjesë e qindra mijëra palestinezëve që u dëbuan nga vendlindja e tyre në vitin 1948 gjatë krijimit të Izraelit, që nga ajo kohë ka jetuar në kampin e refugjatëve Ajn el-Hilve në qytetin libanez Sajda.

– “Kaluan 70 vite, por tezja ime e mbante të gjallë si në ditën e parë mallin për Palestinën”

Nipi i saj Zijad Shehabi, duke folur pas vekjes së palestinezes Shehabi, tha se tezja e tij e ruante si në ditën e parë mallin për Palestinën.

“Kaluan 70 vite, por tezja ime e mbante të gjallë si në ditën e parë mallin për Palestinën”, theksoi ai.

Shehabi tha se tezja e tij asnjëherë nuk e kishte humbur shpresën se një ditë do të kthehet në Palestinë.

“Shpesh na i përmendte fshatrat me emrin ‘Arab Zebid’ në veri të Palestinës. Na tregonte se me çfarë vështirësi dhe dhimbje janë larguar nga Palestina”, shtoi ai.

Shehabi tregoi se tezja e tij kishte pesë fëmijë dhe mbi 30 nipër dhe mbesa, duke shtuar se fëmija i parë tani do të kishte 90 vite po të ishte gjallë.

– “Dëshira e saj e fundit ishte të varroset në Palestinë”

Shehabi thotë se pak para vdekjes, tezja e tij ka kërkuar që kur të vdesë, të varroset në Palestinë.

Edhe pse ka jetuar 70 vite e larguar nga Palestina, rrëfen Shehabi, ajo ka jetuar sikur të jetë në Palestinë.

“Edhe pse kaluan shumë vite, ajo asnjëherë nuk e humbi dialektin palestinez. Kënaja tradicionale në fytyrat e grave palestineze gjendej akoma në fytyrën e saj kur ndërroi jetë. Ajo thuajse i vazhdoi tërësisht traditat e palestinezëve”, tha Shehabi.

– Migrimi i detyruar, “Nakba” (Katastrofa e madhe)

Nakba, që është simbol i migrimit të detyruar, plaçkitjes dhe vrasjeve, paraqet një dhimbje për palestinezët e cila nuk ka pushuar prej plotësisht 70 viteve.

Shpallja e pavarësisë nga Izraeli në vitin 1948 në tokat historike palestineze u emërtua si Nakba nga ana e palestinezëve, që do të thotë “katastrofë e madhe”.

Gjatë Nakbas, forcat izraelite vranë mijëra palestinezë, afër një milion u dëbuan nga vendlindja e tyre, ndërsa 675 fshatra u asgjësuan.

Që nga Nakba, së bashku me rritjen e popullatës, edhe numri i refugjatëve palestinezë në mbarë botën ka arritur në 5,9 milionë. Mijëra palestinezë të dëbuar gjatë Nakbas vazhdojnë të jetojnë në kushte të rënda në 61 kampe refugjatësh të krijuara brenda dhe jashtë vendit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit