3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Vdes në Romë kardinali Bernard Law, simbol skandalit të abuzimeve seksuale me fëmijët

Më të lexuarat

Kardinali Bernard Law, që u detyrua të jepte dorëheqjen si kryepeshkop i Bostonit në vitin 2002 për skandalin e abuzimeve seksuale, vdiq në moshën 86-vjeçare në kryeqytetin Romë të Italisë…

Kardinali Bernard Law, që u detyrua të jepte dorëheqjen si kryepeshkop i Bostonit në vitin 2002 për skandalin e abuzimeve seksuale, vdiq në moshën 86-vjeçare në kryeqytetin Romë të Italisë.

Simbol i tolerancës ndaj abuzimeve seksuale me fëmijët në Kishën Katolike, Law humbi jetën si pasojë e një sëmundjeje të gjatë.

Kleriku amerikan akuzohej se kishte zhvendosur priftërinjtë pedofilë nga famullitë në vend që të përballej me akuzat. Pas largimit nga Bostoni, atij iu dha një post në Vatikan, ku punoi deri në vitin 2011.

Dioqeza e Bostonit u trondit në janar të vitit 2002 nga pretendimet për abuzime seksuale nga dhjetëra priftërinj përgjatë disa dekadave. Ajo arriti të shmangë falimentimin duke pranuar të shesë tokë dhe ndërtesa për më shumë se 100 milionë dollarë, për të financuar strehimin e mbi 500 viktimave të abuzimeve.

Skandali shtyu Vatikanin të hartojë plane të reja për luftimin e abuzimeve seksuale në Kishën Katolike Romake. Kardinali Law u emërua kryepeshkop i Bostonit në vitin 1984, por u tërhoq në vitin 2002, pas një seri raportesh nga ekipi i investigimit “Spotlight” të gazetës “Boston Globe”.

Raportimet nuk çuan vetëm në dorëheqjen e Law, por edhe në zbulimin e abuzimeve të tjera në 102 qytetet amerikane e 105 dioqeza në mbarë botën.

Artikujt e publikuara në “Boston Globe” pohonin se dhjetëra priftërinj, që kishin abuzuar seksualisht me fëmijët, ishin zhvendosur nga njëra famulli tek tjetra për vite me radhë, pa informuar policinë apo besimtarët.

Përveçse demaskoi dhe afishoi skandalin e mbuluar nga kardinali Law, puna gazetareske e ekipit “Spotlight” shërbeu si provë në të paktën 500 çështje gjyqësore të lidhura me këtë rast. Ajo u vlerësua më pas me çmimin prestigjioz “Pulitzer”.

Investigimi i 4 korrespondentëve të “Boston Globe” u përjetësua me filmin e quajtur “Spotlight”, sipas emrit të ekipit, xhiruar në vitin 2015.

Filmi “Spotlight”, me regji të Tom McCarthy dhe skenar të Josh Singer e Tom McCarthy, fitoi çmimin “Oscar” si “filmi më i mirë”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit