Një tjetër ngjarje e rëndë regjistrohet në maternitetin “Koço Gliozheni” në kryeqytet, ku pas vdekjes së një nëne dhe foshnjës së saj në shtator të vitit 2016, një tjetër foshnjë, e seksit femër ka vdekur sot gjatë lindjes, ndërsa dyshohet se gjithçka ka ndodhur për shkak të pakujdesisë.
Gazetarja Dorjana Bezat bëri me dije për BalkanWeb se nëna M. M ka shkuar të lindë mbrëmjen e djeshme rreth orës 19:00, ndërsa ka kaluar një shtatzëni pa probleme, por gjithçka është komplikuar gjatë lindjes.
Familjarët kanë ngritur menjëherë kallëzim për mjekim të pakujdesshëm, duke akuzuar kështu mjeken që ka asistuar shtatzënën, M. R. Sakaq edhe policia e ka referuar ngjarjen në prokurori si dhe ka sekuestruar paraprakisht edhe kartelat mjekësore.
Pritet që trupi i foshnjës t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore për të zbuluar edhe shkakun e vdekjes së saj.
Deklarata e policisë
Më datë 07.02.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasen M.R, vjeç 51, banuese në Tiranë, mjeke gjinekologe, pasi dyshohet se, në maternitet gjatë lindjes së shtetases M.M, ka vdekur foshnja e gjinisë femër. Me cilësinë e provës materiale u sekuestrua kartela e pacientes dhe pritet akti i ekspertizës mjekoligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes