22 C
Pristina
Wednesday, May 8, 2024

Ëndrra e vajzës me aftësi të kufizuara në karate

Më të lexuarat

Minetullah el-Bejtar, vajza nga Gaza e cila është e verbër, ëndërron që një ditë të rrisë aftësitë e saj në karate duke shkuar deri tek marrja e rripit të zi, raporton Anadolu Agency (AA).

Në vend që të mbështetet në shkopin e bardhë, 13-vjeçarja Minnetullah, ka zgjedhur të shkojë në klubin sportiv El-Meshtel dhe të sfidojë pengesat.

Në një prononcim për AA, ajo thotë se ka zgjedhur sportin e karatesë në mënyrë që të jetë “më e fortë dhe të mbrojë veten e saj”. Duke vënë në dukje se ky sport i ka shtuar asaj energjinë, Minnetullah shton: “Kam arritur me sukses të mposht pengesën time. Energjia ime negative përmes këtij sporti u zhduk”.

Ajo thotë se edhe familja e saj e ka ndihmuar për këtë gjë dhe se krahas mësimeve ka shkuar edhe në kursin e karatesë. Duke vënë në dukje se çdo ditë para se të shkojë në shkollë ajo bën ushtrimet e treguara nga trajneri i saj, Minnetullah ka theksuar se vështirësia e lëvizjeve nuk e ka vënë atë në pozitë, përkundrazi ajo ka luftuar që të jetë gjithnjë e më mirë.

Ajo e cila dëgjon me vëmendje edhe instruksionet që trajneri jep për të tjerët, synon që një ditë të arrijë të marrë rripin e zi në këtë sport, si dhe të marrë pjesë në ndeshjet ndërkombëtare.

Ndërsa trajneri i saj, Hasan er-Rai, thotë se është i habitur dhe krenar nga suksesi që ka treguar nxënësja e tij.

Duke thënë se mesa di ai nxënësja e tij e verbër, është e vetmja në botën arabe që merret me karate, Rai në vijim thotë: “Realizojmë stërvitje 3 herë në javë, 2 orë secila seancë. Jemi duke ndjekur një program të cilin e kam nxjerrë enkas për të”.

Duke vënë në dukje se trajnimi i saj është bazuar në zërin dhe mësimin përmendësh të lëvizjeve, Rai shton: “Ka një kapacitet perceptimi shumë të lartë dhe ka një dëshirë dhe prirje për të ecur përpara në karate. Unë besoj që ajo do të shkojë deri në gradët më të larta të këtij sporti”.

Sipas statistikave, në Gaza, vend ky që ndodhet nën bllokadën izraelite prej shumë kohësh, ka rreth 7 mijë të verbër.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit