-0.5 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Vdekja e alimit është vdekje e alemit

Më të lexuarat

Omer Berisha

Një kategori e pazëvendësueshme e të dashurve tanë janë dijetarët islamë, të cilët në vazhdimësi ndriçojnë rrugën drejt amshimit me përpjekjet e tyre të palodhshme.

Populli ynë, ndonëse i vogël, për këtë kategori njerëzish, sidomos në këtë shekull dha një kontribut të madh. Shqiptaria i dha Umetit islam shumë imamë e hoxhallarë, prej tyre, tre dijetarë të mëdhenj, të cilët me suksesin që u dha Allahu vulosën kohën kur jetuan.

Shejh Albani ndërroi jetë më 2 Tetor 1999, shejh Abdulkadër Arnauti më 26 Nëntor 2004 kurse mbrëmë (27 Tetor 2016) në moshën 88 vjeçare, në Aman të Jordanisë ndërroi jetë edhe dijetari i tretë shqiptar me renome botërore, shejh Shuajb Arnauti.

Kush ishte shejh Shuajbi?

Familja e tij janë nga Shkodra e Bushatllinjve. Babai i shejh Shuajbit megjithëse nuk ishte hoxhë, ishte një njeri që donte dijen dhe hoxhallarët. Në ato kohë të vështira, kur Shqipëria copëtohej dita-ditës dhe për muslimanët e përkushtuar bëhej çdo ditë e më vështirë, haxhi Muharemit i vinte nëpër mend mësimi që kish mësuar nga hoxhallarët: “Kur të prishen njerëzit, mirësia do të gjendet në Sham”.

Kështu, shumë familje vendosën të largohen që atje dhe kërkonin vend të përshtatshëm për të jetuar. Së bashku me familjen e shejh Albanit kërkuan vende të ndryshme për tu shpërngulur por kur erdhën në Damask dhe panë që xhamitë atje ishin aktive me ligjërata dhe derse, vendosën që të jetojnë aty. Kjo ndodhi në vitin 1926.

Dy vite më pas, 1928 në Damask, lindi djaloshi i bukur që do të bëhej dijetar i Umetit Islam, Shuajbi.

Ai vazhdoi të rritej në atë familje të devotshme islame dhe vijoi mësimet shkollore deri në klasën e tretë fillore. Atëherë, i ndodhi një aksident i padrejtë me njërin nga mësuesit, i cili e kishte rrahur keq Shuajbin e vogël dhe që nga ajo ditë ky i fundit nuk kishte shkuar më në shkollë.Në shkollë nuk shkoi por mësimin pandërprerë e vijoi.

Në shtëpi flisnin shqip kurse jashtë shtëpisë arabisht. Dashuria e tij për arabishten e bëri të ndjekë mësime kudo që gjente mundësi.

Hyri të punojë në një dyqan të një pasaniku, i cili gjithashtu dashuronte diturinë, i cili i ndihmoi gjithashtu të vijonte mësime, sidomos në sintaksën e arabishtes dhe në fikhun hanefi.

Çdo ditë e më shumë i shtohej dëshira për të mësuar, por kurrë nuk i shkonte ndër mend se do të bëhet një dijetar i njohur, si duket këtu qe edhe çelësi i suksesit të tij, pra, nijeti i pastër: kërkimi i diturisë vetëm pse Allahu urdhëroi dhe jo për të arritur diçka nga kjo dynja.

Mësuesit e parë i kishte gjithashtu shqiptarë; babanë e shejh Albanit, Nuh Nexhatin dhe Sulejman Gavoçin.

Paralelisht me mësimet ai ishte një punëtor i vyer e që më vonë arriti të bëhet ortak në biznesin e vogël. Ai tregon se ishte shumë normale, deri në kohë të ikindisë të ishe aktiv në punë të ndryshme e pas ikindisë deri në jaci, të ndiqje mësime dhe derse të ndryshme.

Aq shumë deshi medhhebin hanefi sa që – e thotë vet – u bë fanatik në të, tregon: “disa që ishim më të zgjuar nuk faleshim pas dikujt nga medhhebet tjera, e nxënësit e dobët faleshin pas gjithkujt”.

Porse duke u thelluar në dituri dhe duke u njohur me dijetarë të shumtë pa se ato të gjitha janë mendime të dijetarëve ndaj të cilave nxënësi i dijes nuk guxon të jetë fanatik.

Ne vitin 1958 fillon të punojë në shtëpinë botuese Elmektebul Islami – Biblioteka Islame, në Damask e cila ishte më e njohura në Siri dhe aty filloi punën me të cilën do të bëhet i njohur mes studiuesve islamë. Aty mori të recensojë një libër me titull: Musnedi i Ebu Bekrit, radijallahu anhu. Ai libër ishte dorëshkrim shumë i vjetër, ndoshta një mijë vjet, sepse shkronjat ishin ende pa pika, por ai arriti ta nxjerrë në dritë si libër të mirëfilltë.

Pastaj vazhdoi të punojë në këtë lëm me intensitet të madh duke krijuar edhe grupe pune me nxënës të dalluar, që sot të themi se ai ka recensuar libra që arrijnë mbi 300 vëllime.

Ishte njeri i dashur për të gjithë.

Njëherë (1976) kish vizituar Palestinën dhe autoritetet çifute e kishin burgosur duke e mbajtur 18 ditë. Aty kishte njoftuar një musliman jemenas, i cili ishte mahnitur me diturinë e shejhut dhe pastaj ka punuar që librat e shejhut të shpërndahen në Jemen me një kujdes të veçantë nga ai. Të tjerët në burg ishin jomuslimanë, edhe me ta u shoqërua shejhu, madje merrte pjesë në lojërat e tyre dhe kështu u bë i dashur edhe për ta, siç do të bëhej çdo musliman i mirë.

Unë pata fatin ta vizitoj në shtëpinë e tij në vitin 2008 dhe ishte lehtë të vërehej afërsia e tij me njerëzit.

Ishte familjar i përkushtuar

Me gruan e parë pati dhjetë fëmijë dhe pas vdekjes së saj nuk u martua për gjashtë vjet me radhë.

Pastaj u martua me gruan tjetër ndërsa kishte kaluar moshën 80 vjeçe.

Akideja e tij

Ai u rrit në një mes ku mbizotëronte akideja maturidite, të cilët keqinterpretojnë disa nga atributet e Allahut dhe shejhu thotë në një intervistë për televizionin Al-Majd para tre viteve: “edhe unë bëja interpretimin e atributeve të Zotit, por pastaj, mu bë e qartë se metoda e Selefit (të parëve muslimanë) në këtë çështje është më e urtë, më e drejtë, më e sigurt dhe më e dijshme… unë tash mund të debatoj me gjithkënd për këto çështje, sepse kjo akide është edhe më e dijshme, jo vetëm më e sigurt. Dituria për atributet e Zotit mbështetet në tri ajete:

ليس كمثله شيئ

“Si shembulli i tij nuk ekziston asgjë”

هل تعلم له سميا

“Mos vallë njeh dikë të barabartë me Të?!”

و لا تضربوا لله الأمثال

“Mos sillni shembuj me Allahun!”.

Dikush pretendon se nuk e donte shejh Albanin

Këtë ai qartas e përgënjeshtron, madje thotë: Unë jam i bindur se ai është xhenetli, sepse tërë jetën ia përkushtoi shërbimit të Sunetit të Pejgamberit, alejhi salatu ue selam.

Puna e tij ishte për Allah

Një nga bamirësit pasanikë kishte shkuar te shejhu pasi e kishte njohur për kontributin e madh që i kishte bërë Sunetit dhe i ofron një dhuratë shumë të madhe, por shejhu thotë se për atë shërbim shpresoj shpërblime tek Allahu, kështu që të lutem mos më ngushto, nuk mund ta pranoj atë dhuratë.

Edhe një tjetër bamirës i kishte ofruar një dhuratë të madhe dhe shejhu me mirësjellje e ka refuzuar, por pasi që ai ka insistuar shumë, atëherë shejhu ka pranuar me kusht që ajo të shndërrohet në vakëf, që do të jetë në dobi të studentëve.

Njerëzit e hadithit janë njerëzit e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, ndoshta me trup nuk e shoqëruan por me frymën e tij u njohën.

Imam Buhariu shënon se Abdullah ibën Amri, radijallahu anhu, ka thënë:

سَمِعْتُ رسولَ اللهِ صلَّى اللهُ عليه وسلَّم يقول : إن اللهَ لا يقبضُ العلمَ انتزاعًا ينتزِعُهُ من العبادِ، ولكن يقبضُ العلمَ بقبضِ العلماءِ، حتى إذا لم يُبْقِ عالمًا، اتخذَ الناسُ رُؤوسًا جُهَّالًا، فسُئِلوا، فأفْتَوا بغيرِ علمٍ، فضلوا وأضلوا .

“E kam dëgjuar Resulullahun, alejhi salatu ue selam, duke thënë: “Vërtetë Allahu nuk e largon diturinë duke e tërhequr nga robërit, porse e largon atë duke i marrë dijetarët, derisa të mos mbesë dijetar e atëherë njerëzit marrin për dijetarë koka injorante, e atyre u kërkohet fetva dhe ata japin fetva pa dituri dhe kështu devijojnë vetë dhe i devijojnë të tjerët.”

Vërtetë zemra pikëllohet dhe syri loton, por goja nuk thotë përveç asaj çka na ka mësuar Allahu:

إنا لله و إنا إليه راجعون

“Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do kthehemi”.

Share this:

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit