-2.1 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Vazhdon keqmenaxhimi i parasë publike në Kosovë

Më të lexuarat

Agjencitë buxhetore në Kosovë po kritikohen nga organizatat financiare dhe nga ekspertë të çështjeve ekonomike për keqmenaxhim dhe keqpërdorim të parasë publike.
Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) lidhur me aktivitetet e prokurimit për vitin 2014 kishtekonstatuar se shumë organizata buxhetore, në 537 raste të raportuara, nuk kanë respektuar ligjin e prokurimit publik.
 
Ky organ kishte theksuar se ka pasur parregullsi në vlerësimin e ofertave, në marrjen e vendimeve të gabuara për fituesit, në trajtim jo të barabartë të ofertave, në dosjet e tenderit, specifikimet teknike, kriteret për dhënie të kontratës dhe shkelje të tjera.
 
Eksperti i çështjeve ekonomike, Milazim Abazi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se keqmenaxhimi i financave publike është një e keqe që po i ndodh Kosovës në vazhdimësi.
 
“Një prej pikave më të dobëta, me të dhimbshme, më të korruptuara është menaxhimi i parasë publike. Kjo ndodh për shkak se ka ndërhyje të politikës në organet e prokurimit në të gjitha nivelet. Nëse dëshirohet të bëhet diçka duhet të pengohet ndërhyrja e politikës në organizatat buxhetore”, thekson Abazi.
 
Pas pranimit të raportit vjetor për vitin 2014 nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, kishte deklaruar se gjendja është brengosëse për mënyrën se si po shfrytëzohet paraja publike.
 
Ligji për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë është miratuar në vitin 2008. Në këtë ligj, “paratë publike” nënkuptojnë paratë ose pasuritë financiare që pranohen dhe janë nën përkujdesjen e një autoriteti publik.
 
Profesori i ekonomisë, Musa Limani, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thekson se është i dëmshëm fakti ku paratë publike nuk shkojnë aty ku duhet.
 
Qeveria e Kosovës, shton ai, duhet të orientojë këto financa publike aty ku është interesim më i madh i ekonomisë së vendit dhe bizneseve.
 
“Çdo abuzim i parasë publike, normalisht, që ndikon negativisht në orientimin e gabuar të mjeteve financiare që shprehet edhe në dinamikën e zhvillimit ekonomik”.
 
“Lidhur me këtë do të theksoj, vetëm tek investimet kapitale që janë paraparë në buxhet janë diku 700 milionë euro për investime kapitale dhe 90 për qind e këtyre investimeve shkojnë në infrastrukturë rrugore. Unë si ekonomist e kuptojë rëndësinë e infrastrukturës, por mendoj që orientimi i këtyre investimeve duhet të bëhet në kapacitete prodhuese”, thekson Limani
 
Për të eliminuar disa nga këto parregullsi të keqpërdorimeve të parasë publike, eksperti i ekonomisë, Milazim Abazi, thekson se prokurimi elektronik do të ishte njëra nga mënyrat më të mira të eliminimit.
 
“Kjo mënyrë e prokurimit do ti eliminonte shumë nga dobësitë e deri tashme, por jo të gjitha. Që të zgjidhen të gjitha parregullsitë duhet që politika kosovare t’i largojë duart dorë nga korrupsioni”, thekson ai.
 
Ndryshe, përfaqësuesit e Ministrisë së Financave për të përmirësuar këtë gjendje të keqmenaxhimit të parasë publike kanë bërë të ditur se së shpejti do të dërgojnë Ligjin e prokurimit publik në Qeveri dhe pastaj në Parlament.
 
Ligji, sipas tyre, do të përcaktojë rregullat e reja të prokurimit publik dhe do të forcojë llogaridhënien dhe transparencën.
 
Njëkohësisht, është theksuar se po punohet në përgatitjen e platformës elektronike për të filluar zbatimin e prokurimit elektronik në të gjitha organizatat buxhetore. /REL/
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit