I dërguari special i Kombeve të Bashkuara për Sirinë udhëton sot për në Moskë, në përpjekje për të rivendosur një proces paqësor për armëpushim në Siri.
I dërguari special, Staffan de Mistura, do të takohet sot me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe do të diskutojë për përpjekjet shtesë që komuniteti global duhet t’i bëjë për ta zgjidhur konfliktin sirian, përfshirë zgjerimin e armëpushimit edhe në rajonet e tjera të vendit ku po vazhdojnë luftimet.
Moska mban kontakte të rregullta si me qeverinë siriane, ashtu edhe me përfaqësues të grupeve të ndryshme opozitare, dhe kështu ka mundësi për bisedime të mëtejme për një zgjidhje.
Sidoqoftë, rrethi i fundit i bisedimeve përfundoinë Gjenevë më 27 prill pa ndonjë rezultat të madh, dhe pas tij luftimet u shpeshtuan, duke shkaktuar një valë vdekjeprurëse në Aleppo, në qyetetin më të madh sirian.
Lavrov diskutoi dje me sekretarin amerikan të shtetit, John Kerry, rreth armëpushimit të dobët, dhe palët “u pajtuan për marrjen e masave të reja nga Moska e Uashingtoni”, thuhet në kumtesën për media të lëshuar nga Ministria e Jashtme Ruse, e cila nuk jep hollësi.