Turqia miratoi më në fund prodhimin e saj anti-Corona
Ministri i Shëndetësisë i Turqisë, Fahrettin Koca, ka bërë të ditur se vaksina turke anticovid Turkovac ka marrë miratimin për përdorim urgjent.
Ministri mori pjesë në prodhimin serik të vaksinës turke joaktive Turkovac në kompleksin e Zonës Industriale në Sanliurfa, ndërsa në këtë zhvillim mori pjesë edhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan përmes videokonferencës.
Koca tha se vaksina i ka kaluar të gjitha fazat e testimit dhe se sot ka marrë lejen për përdorim emergjent dhe është vënë në prodhim serik.
“I nderuar President, jemi në një nga objektet e prodhimit në Sanliurfa. Pas 50 vitesh, ne kemi një vaksinë që u zhvillua plotësisht nga shkencëtarët turq. Pas 24 vitesh, ne fillojmë prodhimin tonë të vaksinave. Sot, ne po bëhemi një nga nëntë vendet në botë që prodhojnë vaksina kundër koronavirusit”, tha Koca.
Koca tha gjithashtu se testet kanë treguar se vaksina turke është jashtëzakonisht efektive në luftën kundër koronavirusit dhe shtoi se Turqia do të kalojë në përdorimin masiv të vaksinës Turkovac që në fillim të javës së ardhshme. /tesheshi.com/