Ushtria izraelite arrestoi tre fëmijë që luanin me top në qytetin e Betlehemit në jug të Bregut Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas burimeve lokale, forcat izraelite bastisën kampin e refugjatëve Aide në qytetin e Betlehemit. Ushtarët izraelitë ndaluan tre fëmijë palestinezë duke luajtur futboll në një fushë futbolli.
Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA raportoi se emrat e fëmijëve të arrestuar janë Mahmud Buraka (14), Ahmed Zekeriya Buraka (15) dhe Abdullah Ebu Surur (14).
Nga ana tjetër, u raportua se policia izraelite arrestoi po ashtu tre të rinj në Kudsin Lindor të pushtuar. Dëshmitarët okularë, të cilët deklaruan se të rinjtë e ndaluar ishin në të 20-tat e tyre, thanë se ushtarët izraelitë kërcënuan të rinjtë me armë.
Arrestimi ka ndodhur kur policia ka bastisur vendbanimin ku jetonin të rinjtë, në zonën Tur, duke përdorur granatë zhurmuese. Autoritetet izraelite nuk kanë bërë ende deklaratë në lidhje me arrestimet.
Sipas raporteve të shoqatave të të burgosurve, 4.634 palestinezë janë arrestuar nga forcat izraelite nga Bregu Perëndimor dhe Kudsi Lindor i pushtuar dhe Rripi i Gazës i bllokuar në vitin 2020.
Raportet tregojnë se 543 nga të arrestuarit ishin fëmijë dhe 128 prej tyre gra dhe se forcat izraelite kanë shtuar ndalimin arbitrar të grave dhe fëmijëve në vitin 2020 dhe kanë zbatuar metoda të ndryshme të torturës gjatë periudhës së paraburgimit.
/aa/