Arma që ia vështirësoi jetën Vladimir Putinit, është tashmë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës!
Ushtria në formim e sipër, është pajisur me rreth 5 dronë Bayraktar, siç merr vesh Klan Kosova nga institucionet ndërkombëtare të sigurisë, kapacitete që tejkalojnë nevojën aktuale të FSK-së.
Dronët inteligjentë, sulmues pa pilotë, që kontrollohen nga një bazë tokësore, kanë arritur në Kosovë nga vendi prodhues i dronëve dhe gjithë sistemit përcjellës, Turqia, pas gati 7 muajsh nga nënshkrimi i kontratës me kompaninë prodhuese. Ujdia ishte firmosur nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Interesimi për t’u pajisur me këtë mjet ajror luftarak kishte nisur qysh në fillim të vitit 2022, veçmas pas pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Vetëm 2 ditë më pas, në kompani pati shkuar për vizitë edhe presidentja Vjosa Osmani, siç pati shkruar vetë – duke e vlerësuar një rrëfim inspirues për arritjet në sferën e avancimit teknologjik dhe inovacionit të ndërlidhur me sektorin e mbrojtjes dhe të sigurisë duke lobuar tërthorazi për blerjen e tyre.
Dronët Bayraktar, TB2, hyjnë në mesin e armëve që kanë qëndrueshmëri të gjatë në lartësi të mesme (MALE), me rekord fluturimi deri në 27 orë e 3 minuta dhe përveç sulmeve të armatosura kanë për funksione kryesore misionet e inteligjencës, vëzhgimin dhe zbulimin.
Pajisja e FSK-së me këtë sistem ngjanë vetëm pak ditë para nisjes së ushtrimit më të madh ndërkombëtar, Defender Europe 23. Kosova do të jetë për herë të dytë vend pritës, dhe merr pjesë në ushtrimin e udhëhequr nga ShBA me mbi 1,100 ushtarë./KK