Komandanti i Forcave Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), gjenerali Kenneth McKenzie, kërkoi falje pasi deklaroi se dhjetë personat që humbën jetën në sulmin ajror amerikan pranë aeroportit të Kabulit në Afganistan më 29 gusht ishin civilë, raporton Anadolu Agency (AA).
McKenzie njoftoi rezultatin e hetimit mbi sulmin ajror amerikan më 29 gusht pranë aeroportit të Kabulit.
Duke u lidhur me konferencën e përditshme për shtyp të zëdhënësit të Departamentit amerikan të Mbrojtjes (Pentagon), John Kirby, McKenzie tha: “Ne arritëm në përfundimin se rreth dhjetë civilë vdiqën në sulm, shtatë prej të cilëve ishin fëmijë. Për më tepër, ata në automjetin e shënjestruar nga ky sulm ose ata që vdiqën nuk kishin lidhje me DEASH/K ose nuk paraqisnin asnjë rrezik të drejtpërdrejtë për forcat amerikane”.
McKenzie shprehu ngushëllimet e tij për familjet e atyre që humbën jetën në sulm.
“Ky sulm ishte për të shmangur rrezikun e menjëhershëm për forcat tona dhe civilët që ne evakuuam. Unë kërkoj falje të përzemërt. Si komandant, e marr përgjegjësinë e plotë për këtë sulm”, tha gjenerali amerikan.
/aa/