10.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Ushqimet që duhet të konsumojmë gjatë menopauzës

Më të lexuarat

Çdo grua kalon nëpër 3 faza zhvillimi gjatë jetës së saj: puberteti, fertiliteti dhe menopauza. Menopauza nis zakonisht midis moshës 45-55 vjeç, dhe duhet të konsiderohet si një fazë kalimtare në jetën e një gruaje. Gratë gjatë menopauzës përballen me shumë sfida të reja, sidomos në shëndet. Ndryshimet që sjell kjo fazë lidhen me një rënie të funksionit fizik e për këtë arsye trupi përshtatet me vështirësi dhe mund të preket më lehtë nga sëmundjet.

Mbajtja e një qëndrimi optimist për këtë fazë të jetës është thelbësore për kalimin e saj sa më lehtë. Ekspertët këshillojnë se menopauza duhet të shihet si fillimi i një faze të dytë në jetë, një mundësi për të bërë zgjedhje afatgjata për një shëndet të mirë..

1. Çfarë është menopauza?

Menopauza është mbyllja e ciklit riprodhues tek femra. Ardhja e saj kuptohet lehtësisht me procesin e frenimit të ciklit menstrual, megjithatë procesi i saj nuk mund të përkufizohet vetëm në këtë fenomen, sepse ky nuk është veçse një proces i dorës së dytë, krahasuar me atë nëpër të cilin kalojnë vezoret. Këto të fundit përjetojnë “shuajtjen” e tyre dhe duke qenë se janë një prej pjesëve të sistemit endokrin të trupit dhe prodhojnë hormone, frenimi i tyre ndikon në mbarë procesin e trupit dhe sidomos në atë seksual. Procesi i “shuarjes” së vezoreve përfshin mbarë sistemin riprodhues të femrës, që nga truri e deri tek lëkura dhe kjo ngjarje kaq e rëndësishme fiziologjike sjell pas vetes edhe një sërë ndryshimesh në trupin dhe jetën e gruas. Faza e para-menopauzës, menopauzës dhe pas-menopauzës është një ndryshim natyror dhe nuk do parë si sëmundje edhe pse tek disa femra ka vështirësi shumë më të mëdha se tek disa të tjera. Menopauza fillon që në çastin që vezoret fillojnë të ndryshojnë.

Pjekja dhe lëshimi i vezës (që gjatë viteve të riprodhimit çon në ovulim dhe më pas në cikël menstrual nëse nuk ndodh shtatzënia) bëhet e paparashikueshme. Ovulimi fillon të rrallohet edhe bashkë me të edhe vetë cikli menstrual. Mesatarja e moshës në botën perëndimore për fillimin e menopauzës është 51 vjeç dhe mosha normale që të fillojë është mes 45-55 vjeç. Nëse ndodh në moshën 55-60 vjeç njihet si “menopauzë e vonshme”, nëse ndodh 40-45 quhet “menopauzë e hershme”.

2. Si mund ta di nëse më ka nisur menopauza?

Në fakt është e vështirë të dihet koha e saktë e fillimit apo përfundimit të menopauzës, pasi ky proces ndikohet nga shumë faktorë.

Megjithatë mjekët japin disa prej tyre:

Mosha e menopauzës ka lidhje me historinë e familjes; kohës kur gjyshja apo nëna juaj pati këtë fazë të jetës.

Pjesa më e madhe e grave kanë disa simptoma, si nxehtësi dhe djersitje gjatë menopauzës. Këto janë simptomet më të shpeshta. Nëse ndodhin gjatë natës, mund të çrregullojnë gjumin. Por, për shumicën e grave, nxehtësia dhe djersitja janë të lehta dhe nuk shkaktojnë shumë problem. Por tek shumë gra, ato janë shumë të shpeshta.

Vala të nxehtësisë që godasin tërë trupin shumë shpesh. Kjo zgjat mesatarisht rreth tre minuta. Për shumë gra, këto ndalojnë vetvetiu brenda një viti apo dy. Por, për një të tretën e grave, mund të zgjasin më shumë se pesë vite. Për disa gra, zgjasin më shumë.

Me kalimin e moshës së gruas, rreziku nga osteoporoza rritet. Rreth kohës së menopauzës, gratë zakonisht fitojnë pak në peshë. Por, jo çdo ndryshim që ndodh në trup në këtë kohë në jetën e gruas, ka të bëjë me menopauzën.

Gratë në këtë fazë kanë luhatje të shpeshtë të humorit, irritohen lehtë, përjetojnë ankth etj.

Shkaqe të një menopauze të hershme mund të jenë çrregullime të sistemit imunitar, sëmundje të gjendrës tiroide, diabeti, ndjekja e kimioterapisë, çrregullime në të ngrënit dhe terapitë me rreze. Menopauza e parakohshme zbulohet duke vëzhguar nivelin e hormonit folikulostimulues (HFS) dhe hormonit luteinostimulues (HLS), nivelet e të cilëve do të jenë shumë më të larta se ç’duhet nëse femra ka hyrë në fazën e menopauzës. Pirja e duhanit sjell një menopauzë rreth 2 vjet më të hershme se zakonisht. Prodhimi i ulët i hormoneve të gjëndrave tiroide shpesh mund të shfaqë simptoma false të menopauzës.

3.Kur duhet të shkoj tek mjeku?

Mjekët kryesisht besojnë se menopauza është një ngjarje normale dhe jo një sëmundje apo problem shëndetësor.

Megjithatë, nëse keni çrregullime madhore të ciklit patjetër që duhet të drejtoheni tek mjeku. Konkretisht duhet t’i drejtoheni mjekut kur keni:

Gjakderdhje të tepërt e shoqëruar me mpiksje të gjakut apo cikli zgjat më shumë se normalja;

Këshilla për menopauzën:

Ushqimi mund të jetë një faktor i cili jo vetëm i jep organizmit të gjithë elementët e nevojshëm ushqyes, por edhe mund të kurojë apo të qetësojë problemet e ndryshme.

Prandaj njëkohësisht duhet të merren këshilla dietike së bashku me trajtimin mjekësor. Ushqimi shërben për shumë qëllime: për të sjellë vitalitet, për të riparuar ndonjë dëm në organizëm, për të luftuar ndikimet sezonale, për të parandaluar procesin e plakjes etj.

Menopauza lidhet edhe me funksionin e veshkave. Veshka ndikon më tej tek zemra dhe mushkëria. Gratë do të përjetojnë simptoma të ndryshme gjatë kësaj faze. Për këtë, çdo grua duhet të ushqehet në përputhje me nevojat e saj.

Ja disa nga ushqimet dhe bimët që mund t’ju ndihmojnë ta kaloni sa më lehtë menopauzën.

  • Për simptomat si: probleme me frymëmarrjen, djersitje apo ftohje e shpeshtë mjekësia alternative sugjeron përdorimin e frutave të thata, mjaltit, mishit të pulës, xhensenin, dhe rrënjë astragalusi.
  • Për simptomat si dobësi, lodhje, humbje oreksi apo probleme me zorrët këshillohet orizi, mishi i viçit, patate e ëmbël etj.
  • Për problemet me gjymtyrët dhe çrregullim të zorrëve këshillohet fara lotusi, ngjala dhe peshk krap.
  • Për problemet si gjakderdhje nga hundët, gjak nga mishrat e dhëmbëve si dhe gjakderdhje e tepërt mjekësia alternative këshillon konsumin e mishit të pulës, të qengjit, kikirikët, ngjala, rrënjë astragalusi dhe xhensen.
  • Për simptomat si zbehje e lëkurës, rënies së shkëlqimit të flokëve dhe thonjve, marramendje etj., këshillohet konsumimi i karotave, spinaqit, kikirikëve, të brendshmet e kafshëve, mishi i qengjit, dhe “angelica root”.
  • Për problemet me kujtesën dhe pagjumësinë këshillohet konsumi i rrushit, elbit, grurit, mishit të pulës, xhensenit dhe xinxifeve.
  • Për problemet si shikim i turbullt, trullosje, sulme paniku dhe mpirje gjymtyrësh sugjerohet konsumi i karotave, spinaqit, mëlçive, manit të kuq.
  • Për simptomat si dridhje gjymtyrësh, probleme me kyçet dhe marramendje këshillohet konsumi i manave të ndryshme, fasuleve të sojës, gocave të detit, të verdhë veze dhe rrënjë bozhure.
  • Për simptomat si valë të nxehti në gjoks, pëllëmbë dhe shputa, djersitje gjatë natës, afsh të nxehti në fytyrë këshillohet konsumi i dardhës, rrënjë lotusi, mani i kuqi, qumështi, prodhimet deti, mishi i lepurit dhe i rosës.
  • Për problemet si zhurmë në vesh, problemet me mesin, dobësim të gjunjve, djersitje gjatë natës dhe etje e vazhdueshme këshillohen farat e susamit, fasulet e sojës, qumështi, arrat.
  • Për problemet si dhimbjet e mesit, ftohja e gjymtyrëve dhe ndjenja e pafuqisë këshillohet arrat, gështenjat, karkalecat e deti dhe peshku.
  • Ndërsa kundër zbardhjes së flokëve mjekësia kineze na sugjeron të përdorim fara susami, trangull deti, midhje, palcë kockash etj.
  • Për problemet si etja, tharja e gojës etj, këshillohet përdorimi i dardhës, gështenjave, rrënjës së lotusit, qumështit, kërpudhave, farave të susamit, mjaltit.
  • Për problemet me fytin, kollën e thatë, kapsllëkun dhe gjakderdhjen nga hunda këshillohet dardha, rrënjë zambaku, banane, e bardha e vezës, stikat e pishës, mishi dhe qumështi.
  • Dieta e grave gjatë menopauzës duhet të përmbajë gjithashtu një serë perimesh, frutash, drithërash, pak mish si dhe peshk. Gjithashtu duhet të reduktohet përdorimi i kafeinës, narkotikëve dhe ushqimeve pikante.

 

Stili i jetës është faktor vendimtar për një shëndet të mirë

Stili i rregullt dhe harmonik jetësor na ndihmon për këtë gjë.

Dieta

Ajo që ne konsumojmë duhet të lidhet me kërkesat e organizmit të gjithsecilit, ndryshimet klimatike dhe ekuilibrin e qarkullimit të energjisë jetësore. Një ushqim i pabalancuar mund të çojë në çrregullime në organizëm.

Organet e brendshme varen nga 5 shije për të funksionuar si duhet; një tepricë në këto shije mund të sjellë dëme në organizëm. Një sasi e lartë e ushqimit tepër të thartë mund të shkaktojë hiperaktivitet të mëlçisë, që për pasojë mund të ndikojë shpretkën dhe të shkaktojë probleme tek procesi i përthithjes dhe tretjes. Ushqimit tepër i kripur, i konsumuar shpesh dëmton kockat, muskujt dhe zemrën. Konsumimi i një sasie të tepërt të sheqerit shkakton probleme tek funksioni i veshkave dhe shumë sëmundjeve të tjera. Ushqimi tepër i hidhur mbingarkon sistemin e tretjes, duke shkaktuar fryrje të barkut.

Për më tepër, konsumi i ushqimit të duhur dhe i lehtë për t’u tretur, ngrënia në orare të rregullta etj, bën që puna e shpretkës dhe e stomakut të jetë sa më efikase.

Gjumi

Gjumi është një gjendje e natyrshme pushimi i rregullt trupor. Fenomen universal i vëzhguar tek të gjithë gjitarët, zogjtë dhe peshqit. Gjumi është e kundërta e zgjimit.

Gjumi është gjendje prehjeje trupore e mendore, që karakterizohet nga një zvogëlim i lëvizjeve trupore dhe rënie e reaksioneve ndaj ngacmimeve të jashtme. Ai gjallëron trupin, si dhe është tejet i rëndësishëm për mbajtjen e ekuilibrit.

Ritmi ditor

Fjetja pas namazit të jacisë i mundëson trupit që të përfitojë nga koha më e mirë për gjumë. Gjithashtu edhe rekomandimi profetik për të fjetur pak në mesditë qoftë edhe gjysmë ore është tejet i dobishëm, kjo është verifikuar edhe me hulumtime të shumta shkencore dhe shumë lloje të mjekësisë alternative.

Faktori sezonal

Gjatë stinës së pranverës dhe të verës, çdo gjë është plot jetë dhe në lulëzim, kështu që duhet të zgjohemi herët në mëngjes dhe të flemë pak më vonë se në dimër. Gjërat nisin të ndryshojnë kur vjen vjeshta, për këtë nuk duhet të zgjohemi aq herët sa në stinën e pranverës. Duhet të kemi shumë kujdes gjatë stinës së vjeshtës për faktin se vetë nga natyra, pavarësisht stilit tonë jetësor, ndryshojnë ekuilibrat.

Dimri është stina ku duhet të ruajmë energjinë. Duhet të flemë herët dhe të zgjohemi me lindjen e diellit.

 

Puna dhe pushimi

Aktiviteti normal fizik është fitimprurës për rrjedhën e gjakut dhe energjisë, pasi ndihmon në ruajtjen e një shëndeti të mirë dhe rrit rezistencën e trupit për të luftuar sëmundjet. Pushimi i mjaftueshëm mund të qetësojë trupin dhe mendjen. Një ekuilibër i duhur midis punës dhe pushimit është ideal për një jetë normale.

Çdo sforcim i tepërt dëmton trupin. “Qëndrimi për një kohë të gjatë në këmbë dëmton kockat; qëndrimi në shtrat për një kohë të gjatë dëmton energjinë dhe vullnetin; ecja për një kohë të gjatë dëmton tendinat; qëndrimi ulur për një kohë të gjatë dobëson muskujt.”

Pra është e nevojshme që ushtrimi fizik të kryhet në masën e duhur dhe rregullisht, pasi mbisforcimi mund të ndikojë mëlçinë dhe veshkat si dhe kockat, të cilat janë të lidhura me këto organe. Për më tepër thuhet se mbipërdorimi i trurit shkakton probleme në zemër dhe shpretkë. Zemra përgjigjet për qarkullimin e gjakut dhe shpretka korrespondon me emocionet dhe mendimet.

Një përqëndrim tejet i zgjatur dhe mendime të shumta mund të konsumojnë organizmin dhe të dëmtojnë funksionin e shpretkës, duke çuar në pagjumësi, shtim të rrahjeve të zemrës, mankthe dhe anoreksi.

Jeta përreth….

Një mjedis i përshtatshëm jetese mund të ndihmojë gjithashtu për një shëndet sa më të mirë. Cdo gjë ka rëndësi: vendndodhja e ndërtesës dhe e dhomës janë të ndikuara nga energjia dhe ambienti rreth tyre. Nëse vendi ku jetojmë na bën të ndjehemi mirë, kreativ dhe energjikë kjo do të thotë që është krijuar një ndërveprim me energjinë dhe vullnetin tonë; dhe në këtë rast themi se ky vend ka ambient të mirë. Nëse banesa na bën të ndjehemi të depresuar dhe të lodhur e pa fuqi, duhet të përpiqemi të krijojmë një mjedis sa më të rehatshëm. Sugjerohet që duhet të jetojmë në mjedise të qetë, ku ka ajër të pastër, diell, ajrosje të shkëlqyer dhe nivel të duhur lagështie.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit