15.2 C
Pristina
Saturday, October 5, 2024

Urtësia e agjërimit: Devotshmëria

Më të lexuarat

Të gjitha falënderimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve. Atë e falënderoj, i Cili, agjëruesve të devotshëm u ka premtuar shpërblime të mëdha si dhe u ka përgatitur të mira të shumta. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin, mëshirë për botët dhe udhëzim për të gjitha krijesat, Muhamedin, mbi familjen e tij, shokët e tij të pastër e të sinqertë si dhe mbi të gjithë ata që i ndjekin deri në Ditën e Kijametit.

Vërtet sa hyn muaji i bekuar i Ramazanit vetëm se jeta e muslimanëve ndryshon duke zbatuar urdhrin e Zotit të tyre, duke përmbushur shtyllën e katërt prej shtyllave të Islamit, të cilën e ka lajmëruar Allahu i Madhërishëm në ajetin e parë që flitet për agjërimin, ai është ajeti i 183 i sures Bekare. Allahu i Lartësuar e ka përfunduar ajetin me një urtësi madhështore duke obliguar Umetin me agjërim, pasi që Allahu iu është drejtuar në cilësitë më të rëndësishme të tyre, me qëllim që të realizohet ndërlidhja e fuqishme ndërmjet këtij përshkrimi të madh dhe asaj urtësie të lartë. Ky është ajeti në të cilin do të ndalemi duke përsiatur fjalimin e Allahut të Madhërishëm drejtuar robërve të Vet besimtarë, duke nxjerrë disa dobi dhe mësime prej tij, duke medituar gjendjen dhe zbatimet tona në të gjitha çështjet e jetës sonë. Ky ajet është fjala e Allahut të Lartësuar kur thotë:

“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (Bekare, 183)

Ndalesa e parë:

Allahu i Madhërishëm u drejtohet besimtarëve me këtë cilësi madhështore “O ju që besuat”,  besuan Allahun për Zot, Islamin si fe dhe Muhamedin, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, si të Dërguar. Besuan Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij, Ditën e Fundit dhe besuan se çdo gjë e mirë dhe e keqe ndodh me përcaktimin e Allahut. Besuan këtë, si bindje në zemrat e tyre, fjalët e tyre përputhen me gjuhët e tyre dhe gjurmët e kësaj shfaqen në gjymtyrët e tyre me punën e tyre si dhe me zbatimin e tyre në të gjitha çështjet e jetës së tyre. Tërë këtë nuk e cenuan me mëkat e t’u pakësohet imani i tyre, t’u dobësohet bindja e tyre, nuk e kanë shpërfillur këtë në disa aspekte të jetës së tyre në mënyrë që t’u zvogëlohet besimi i tyre e as nuk dyshuan në të, ose disa pjesë të tij, në mënyrë që t’u lëkundet bindja e tyre.

Kjo thirrje madhështore – vëlla musliman – nga Zoti i Madhërishëm, meritohet që dëgjuesi besimtar kur ta dëgjojë këtë thirrje të lëkundet, në mënyrë që të vetëdijesohet dhe të kuptojë çka ka pas saj. A nuk sheh se në rastin e thirrjes së ndonjë njeriu të madh për ndonjë njeri që është nën komandën e tij, si bëhet përgjigjja e tij, e të mos flasim për dëgjimin dhe kuptimin e asaj çka flet ai si dhe qetësinë e gjymtyrëve të tij kur ai flet! Allahu është Më i Larti dhe Atij i takon shembulli më i lartë.

Kjo veti e besimtarëve ishte gjendja e të brezit të parë të këtij Umeti, shokëve të Pejgamberit, të cilët manifestojnë fjalën e Allahut të Lartësuar:

O ju që keni besuar! Përgjigjuni Allahut (duke iu bindur Atij) dhe të Dërguarit kur ai u thërret juve drejt asaj që do t’u japë juve jetë dhe ta dini se Allahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij. Dhe vërtet tek Ai ju të gjithë do të mblidheni.” (Enfalë, 24)

Le të dëgjojmë atë çka ka pas kësaj thirrjeje duke deklaruar zbatimin e përgjigjes sonë Atij.

Ndalesa e dytë:

Pas kësaj thirrjeje nga Allahu i Lartësuar, Ai e obligon këtë Umet me një shtyllë prej shtyllave të Islamit duke iu sqaruar se kjo ishte obligim edhe për ata që ishin para jush “agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.”

Ky obligim është për të gjithë ju o besimtarë. Ky obligim u bë në vitin e dytë sipas hixhretit, katërmbëdhjetë vjet pas dërgimit të Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të. Ky obligim erdhi në Medinën e Ndritshme në të cilën u shtrinë legjislacionet praktike, është bërë obligim për Umetin pasi ka depërtuar imani në zemrat e shokëve të Pejgamberit, kënaqësia e Allahut qoftë me ta, të cilët kishin përqafuar Islamin në atë periudhë. Andaj, agjërimi është bërë legjislacion universal prej asaj periudhe e deri në Ditën e Kijametit.

Ndalesa e tretë:

Allahu i Lartësuar e ka përfunduar sqarimin e këtij legjislacioni madhështor dhe këtij detyrimi me një urtësi të madhe dhe synim madhor kur tha “kështu që të bëheni të devotshëm.”

Ndaj, prej synimeve të këtij agjërimi është devotshmëria. Agjërimi është rrugë për realizimin e kësaj fjale madhore, të cilën shpesh e përsërit çdo ligjërues dhe këshillues, të cilën çdo i dashur e këshillon të dashurin, e sidomos me rastin e ndarjes nga kjo botë, me rastin e përcjelljes së familjes dhe të dashurve, miqve dhe shokëve, kjo fjalë përmbledhëse për të cilën janë kujdesur shumë të parët tanë, e madhëruan në shpirtrat e tyre, gjurmët e së cilës janë shfaqur në gjymtyrët dhe sjelljet e tyre, punuan sipas saj në adhurimet e tyre, me rastin e kryerjes së përgjegjësive të tyre, e përjetonin kuptimin e saj, realizuan kërkesat e saja në shtëpitë e tyre, në rrugë, në tregje dhe në fusha të ndryshme të punës së tyre.

Kjo fjalë përmbledhëse ka fryte madhore në këtë botë dhe në botën tjetër, e gëzon të zotin e saj dhe e dëshpëron atë që e harron atë, e lëre më atë që shkujdeset dhe e braktis atë.

Kjo fjalë, të cilën Allahu i Madhërishëm e ka bërë synim të agjërimit, meriton për të gjithë ne që t’i kuptojmë domethënien dhe të njohim realitetin e saj, të praktikojmë përmbajtjen e saj dhe t’i peshojmë veprat tona me të. Përkitazi me këtë, në vijim do të hedhim pak dritë mbi këtë.

Ndalesa e katërt:

Devotshmëria – lexues i nderuar – është mbretëreshë kur gjendet tek një rob, ia ngjyros jetën e tij me një ngjyrë të veçantë, e nxit drejt së mirës, të dobishmes dhe bindjes, e largon nga e keqja e dëmshmja dhe nga mëkati duke shpresuar shpërblimin e Allahut dhe frikësuar nga dënimi i Tij. Sa herë që dëgjon për fushat e së mirës vetëm se do të garojë drejt tyre dhe sa herë që dëgjon për të keqen dhe të dyshimtën vetëm se do të largohet nga ajo.

Lidhur me domethënien e saj, përsëriten thëniet e të parëve tanë në konceptimin, sqarimin dhe afrimin e domethënies së saj.

Ibën Abbasi, kënaqësia e Allahut qoftë me të, thotë: “El Muttekunët (të devotshmit) janë ata, të cilët ruhen nga Allahu dhe dënimi i Tij.”

Ibën Mes’udi, kënaqësia e Allahut qoftë me të, thotë: “Devotshmëria është të respektohet (Allahu) e të mos mëkatohet, të përmendet e të mos harrohet dhe të falënderohet e të mos mohohet.”

Talk bin Habibi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Devotshmëria është të veprosh me bindje ndaj Allahut, me dritën e Allahut dhe të shpresosh shpërblimin e Allahut si dhe të braktisësh mëkatimin e Allahut, me dritën e Allahut dhe t’i frikësohesh dënimit të Allahut.”

Këtë kuptim e ka përvetësuar edhe poeti Ibën Mu’temir, i cili thotë:

Lëri mëkatet, të voglat dhe të mëdhatë, kjo është devotshmëria

Vepro sikur të jesh duke ecur mbi tokë me gjemba, kujdesesh ku shkel

Mos nënçmo asnjë mëkat të vogël, sepse malet bëhen nga guralecët.

(Lej gjynahet, qofshin të vogla apo të mëdha,

Nëse do prej të devotshmëve ti me u bë.

Dhe bën sikur ai që ecën në vendin me gjemba plot

vëmendjen prej tyre nuk e largon dot.

Asnjë gjë të vogël mos e nënçmo

Sepse kodra prej guralecëve është bë”.)

Ndalesa e pestë:

Devotshmëria me konceptin e saj që përmendëm më sipër është porosi e Allahut për të parët e të vonshmit, porosia e të Dërguarit e Tij, paqja e Zotit qoftë mbi të, për shokët dhe Umetin e tij. Tekstet kur’anore dhe ato pejgamberike janë të shumëllojshme lidhur me shpjegimin e madhështisë së saj, obligimin e zbatimit të saj, urdhrit për të si dhe rezultatet e realizimit të saj, frytet e kësaj bote dhe të botës tjetër. Allahu i Lartësuar thotë:

“Ne i kemi porositur ata që u është shpallur Libri para jush edhe juve: “Kini frikë Allahut!” (Nisaë, 131)

Allahu thotë:

“O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju!” (Hashr, 18)

Gjithashtu Allahu i Madhërishëm thotë:

“O besimtarë! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Ali Imran, 102)

“Kijeni frikë Allahun, para të Cilit do të tuboheni.”(Muxhadele, 9)

Tirmidhiu shënon me sened të mirë se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, e ka porositur Muadh bin Xhebelin, kënaqësia e Allahut qoftë me të,: “Kije frikë Allahun kudo që të jesh! Pasoje të keqen me të mirë që ta fshijë atë! Sillu mirë me njerëzit!”[1]

Shënon Imam Ahmedi nga hadithi i Seid el-Huderi, kënaqësia e Allahut qoftë me të, se ai ka thënë: “Thashë: O i Dërguar i Allahut! Më këshillo! Ai tha: “Të porosis të kesh frikë ndaj Allahut, sepse ajo është koka e çdo gjëje.”[2]

Vëlla musliman! Vërejte kujdesin ndaj kësaj fjale madhore, e cila pasqyron synimin më madhor të agjërimit. Na vjen Ramazani që të nxis në shpirtrat rëndësinë e këtij synimi të madh të agjërimit, me qëllim që agjëruesit e sinqertë të realizojnë këtë urtësi madhore, të ripërtërijnë vendosmërinë për kryerjen e të mirave dhe nënshtrimin ndaj Allahut, t’i mbrojë zemrat nga dobësia, plogështia dhe mëkati, të rifillojë robi në të pendimin dhe kërkimin e faljes si dhe të lëkundet nga ai pluhuri i përtacisë dhe i talljes.

E lus Allahun e Madhërishëm të na bëjë prej robërve të Tij të devotshëm dhe të na ringjallë në shoqërinë e tyre. Ai është Dëgjuesi, Pranuesi i lutjeve dhe Atij i kërkohet ndihma!

Më lart jemi ndaluar në disa ndalesa me urtësinë madhore të agjërimit dhe synimin e tij të lartë që është devotshmëria, e cila pasqyrohet në fjalën e Allahut të Lartësuar:

“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.”(Bekare, 183)

Mësuam domethënien dhe kuptimin e saj, lavdërimin e Kur’anit dhe të Sunetit për të si dhe nxitjen për t’u kapur me të. Biseda vazhdon të jetë e ndërlidhur me të edhe në disa ndalesa të tjera për t’u njohur me gjurmët dhe rezultatet e saj, si dhe disa veti më të rëndësishme, të cilat i fiton njeriu me të:

Ndalesa e gjashtë:

Të parët tanë janë kujdesur për këtë fjalë dhe kjo qartazi vërehet në porositë e tyre.

Ali bin Ebi Talibi, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të, e dërgoi një njeri në një ekspeditë dhe e porositi: “Të porosis me devotshmëri ndaj Allahut, të Cilin, patjetër do ta takosh. Ai e posedon këtë botë dhe botën tjetër.”

Umer bin Abdulazizi, kënaqësia e Allahut qoftë me të, i shkroi një burri duke i thënë: “Të porosis me devotshmëri (takva) ndaj Allahut të Lartësuar, që nuk pranon tjetër, nuk i mëshiron vetëm se poseduesit e saj, nuk shpërblen vetëm për të. Këshilluesit e saj janë të shumtë, kurse vepruesit e saj të paktë, Allahu më bëftë mua dhe ju prej të devotshmëve.”

Njëri prej të parëve i kishte shkruar tjetrit duke i thënë: “Të porosis me devotshmëri ndaj Allahut, i Cili është Shpëtuesi yt në brendësinë tënde, Mbikëqyrësi yt i të dukshmes sate, kujtoje Allahun në çdo situatë, natën dhe ditën, frikësoju Allahut në bazë të afërsisë dhe fuqisë së Tij me ty dhe dije se ti vet nuk del nga sundimi i i Tij te sundimi i tjetërkujt, e as nga pushtet i Tij te ndonjë pushtet tjetër.”

Ndalesa e shtatë:

Kjo fjalë me domethënien e saj të gjerë, nëse e praktikon individi dhe ajo përhapet në shoqëri, lë pas gjurmë, që lapsi nuk mund t’i përkufizojë, mirëpo mjafton sinjalizimi për disa prej tyre:

Devotshmëria është shkak për lehtësimin e çështjeve të individit dhe shoqërisë. Allahu i Lartësuar thotë:

“Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia lehtësojë çështjet.” (Talak, 4)

Gjithashtu thotë:

“Sa për atë që jep (për hir të Allahut), ka frikë (nga Ai) dhe dëshmon për vërtetësinë e më të bukurës (besimit) Ne do t’ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit.”(Lejl, 5-7)

Devotshmëria është shkak për dërgimin e begative nga qielli dhe toka, për arritjen e furnizimit dhe pasurisë së gjerë. Allahu i Lartësuar thotë:

“Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka.” (A’rafë, 96)

Gjithashtu thotë:

“Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret.”(Talak, 2-3)

Devotshmëria është shkak i suksesit dhe i ndihmës në këtë jetë, i lumturisë në këtë botë dhe botën tjetër. Allahu i Madhërishëm thotë:

“O besimtarë! Nëse i frikësoheni Allahut, Ai do t’ju japë aftësinë e të gjykuarit drejtë.” (En’falë, 29)

Gjithashtu thotë:

“O ju që besuat! Ruajuni Allahut dhe besoni në të Dërguarin e Tij (Muhamedin), se Ai do t’ju dhurojë pjesë të dyfishtë nga mëshira e Vet, do t’ju japë dritë, me ndihmën e së cilës do të ecni dhe do t’ju falë; Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Hadid, 28)

Devotshmëria është faktor i fuqishëm për mospasjen frikë nga dinakëritë e mashtruesve dhe dëmet e jobesimtarëve. Allahu i Lartësuar thotë:

“Por nëse ju duroni dhe ruheni nga gjynahet, dinakëritë e tyre nuk mund t’ju dëmtojnë aspak.” (Ali Imran, 120)

Devotshmëria është shkak për arritjen e kujdestarisë së Allahut. Allahu i Madhërishëm thotë:

“Kujdestarë të saj janë vetëm ata që i frikësohen Allahut, por shumica e tyre nuk e dinë.” (Enfalë, 34)

Devotshmëria është shkak për arritjen e diturisë së dobishme dhe arritjen e begatisë së saj. Allahu i Lartësuar thotë:

“Ruajuni Allahut! Allahu ju mëson ju!” (Bekare, 282)

Devotshmëria është rrugë, e cila çon drejt fitimit të mëshirës së Allahut në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu i Madhërishëm thotë:

“Ndërsa mëshira Ime përfshin çdo gjë. Atë do t’ua jap atyre që ruhen nga gjynahet e japin zekatin, atyre që u besojnë shpalljeve Tona.”  (A’rafë, 156)

Të devotshmëve, atyre që ruhen nga mëkatet, u arrin përgëzimi dhe qetësia në jetën e kësaj bote qoftë me ëndërr të mirë, ose me dashurinë e njerëzve ndaj tyre dhe lavdërimin e tyre dhe lutjen për ta. Allahu i Lartësuar thotë:

“Ata që besojnë dhe që i frikësohen Allahut, ata i pret lajmi i mirë në këtë jetë dhe në tjetrën.”(Junus, 63-64)

Këto janë vetëm disa prej gjurmëve të devotshmërisë, duke i shtuar edhe atë që e pret të devotshmin, atij që i ruhet Allahut, në ditën kur do ta takojë Atë, fitore dhe sukses, shpëtim nga dënimi i Allahut të Lartësuar, pranimi i veprave, shlyerja e mëkateve, falja e gjynaheve, ngritja e shkallëve, rritja e shpërblimit dhe e mirësive. Allahu i Madhërishëm thotë:

“Ata që i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij, që kanë frikë nga Allahu e i përkushtohen Atij, do të jenë të fituarit e vërtetë.” (Nur, 52)

Gjithashtu thotë:

“Dhe nuk ka asnjë prej jush që të mos arrijë tek ai (Xhehenemi). Kjo është vendosur prerazi nga Zoti yt. Pastaj do t’i shpëtojmë ata që kanë qenë besimtarë dhe do t’i lëmë keqbërësit të gjunjëzuar në të.” (Merjem, 71-72)

Gjithashtu thotë:

“Allahu pranon vetëm prej të devotshmit.” (Maide, 27)

“Ky është Xheneti që Ne ua japim në trashëgim robërve Tanë të përkushtuar.” (Merjem, 63)

“Ndërkaq, ata që i frikësohen Zotit, do të kenë dhoma të ngritura mbi njëra-tjetrën, pranë të cilave rrjedhin lumenj. Ky është premtimi i Allahut; Allahu nuk e shkel premtimin e Vet.”(Zumer, 20)

“Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit.” (Ali Imran, 133)

“Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia shlyejë veprat e këqija dhe do t’ia rrisë shpërblimin.” (Talak, 5)

Ndalesa e tetë:

Këto gjurmë të mëdha dhe fryte të mira nuk janë hise e atij që pretendon veshjen e devotshmërisë pa vërtetimin e gjymtyrëve dhe ringjalljen me sjellje. I devotshmi ka shenja përmes të cilave dallohet, vepruesi ka cilësi me të cilat karakterizohet. Prandaj, kush dëshiron që t’i bashkëngjitet vijës së devotshmëve dhe të futet në fushën e atyre që bëjnë gara, që të jetë faktor në shoqërinë e të devotshmëve, le t’i dëgjojë ato cilësi, le t’i manifestohen ato shenja në fjalë dhe në vepër, materialisht dhe moralisht. Allahu i Lartësuar duke i shpjeguar shenjat e të devotshmëve thotë:

Elif, Lam, Mim. Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit, të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne; dhe për ata që besojnë në atë që të është shpallur ty (o Muhamed), në atë që është shpallur përpara teje dhe që me bindje i besojnë jetës tjetër. Ata janë udhëzuar në rrugë të drejtë nga Zoti i tyre dhe pikërisht ata janë të shpëtuarit.” (Bekare, 1-5)

Duke i shpjeguar edhe më tepër ato cilësi thotë:

Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, Librin dhe pejgamberët; e atij që me vullnet jep nga pasuria e vet për të afërmit, jetimët, të varfrit, udhëtarët e mbetur rrugës, lypësit dhe për lirimin e të robëruarve; e atij që fal namazin dhe e jep zeqatin; dhe e atyre që i plotësojnë premtimet, kur marrin përsipër diçka; e atyre që durojnë në kohë skamjeje, sëmundjeje dhe lufte. Këta janë besimtarët e vërtetë dhe këta janë ata që e kanë frikë Allahun.”(Bekare, 177)

Në disa ajete tjera shton edhe cilësi të tjera. Ai thotë:

Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit, të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit. Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre – e kush i fal gjynahet përveç Allahut? – dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë.”(Ali Imran, 133-135)

Prej ajeteve madhore paraprake ndër cilësitë më të dukshme të të devotshmëve në formë të përgjithshme janë: Besimi në të fshehtën, kryerja e riteve të adhurimit, si namazi dhe agjërimi, dhënia e pasurisë në rrugën e Allahut të Lartësuar si zekati i obliguar, por edhe lëmosha e rekomanduar, investimi në fushat e ndryshme të së mirës, moralet e larta që arrijnë shkallën e kontrollit të ndjenjave të njeriut, vetëpërmbajtjen nga teket e tij, faljen e fajeve të tjerëve, kërkimi i faljes dhe pendimi në rast të kryerjes së ndonjë mëkati, gjithashtu përgjigjja e menjëhershme ndaj thirrjeve të Allahut të Lartësuar, prandaj zemra gjithnjë është e gatshme për tu përgjigjur atyre thirrjeve.

Vëllezër të nderuar muslimanë!

Vërtet, ditët e vitit kalojnë, jeta aq shpejt mbaron, veprat e ndryshme përsëriten dhe pasojnë njëra-tjetrën, kalojnë kohët dhe ngjarjet dhe ia paralajmërojnë njeriut të kthyerit drejt Zotit të tij.

Nëse shpirti të thërret në tejkalimin e kufijve të Allahut, të josh në kryerjen e mëkatit ose në kundërshtimin e urdhrit të Tij, kujto dhe medito për fjalën (takva) devotshmëri, vendose atë parasysh, në shtëpinë tënde, në familjen tënde, në zyrën tënde, ndërmjet nëpunësve tu, në rrugë, ndërmjet vëllezërve të tu muslimanë, në kryerjen e adhurimeve tua dhe në raportet me Zotin tënd dhe në çdo segment të jetës tënde.

Meqenëse jemi në ditët e para të Ramazanit, vetëpërmbajtja e shpirtit ekziston, kryerjen e veprave të mira synon, atëherë shpresojmë të na ringjallë neve këtë adhurim madhor, t’i zotohemi Allahut për realizimin e saj, gjithnjë duke e ndier porosinë e Allahut të Madhërishëm:

“O ju që besuat, kini frikë Allahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë muslimanë (besimtarë)!”(Ali Imran, 102),

“O bijtë e Ademit, Ne krijuam për ju petk që ju mbulon vendturpësinë dhe petk zbukurues. Po petku i devotshmërisë, ai është më i miri.” (A’rafë, 26)

“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (Bekare, 183)

Allahu na bëftë prej të devotshmëve të pastër e të mirë, prej atyre që veshin petkun e devotshmërisë gjatë ditës dhe natës. Ai është Dëgjuesi, Pranuesi i lutjeve dhe Atij i kërkohet ndihma!

Autor: Dr. Falih Muhamed es-Sugajr

Përgatiti: Almedin Ejupi

/krenaria.com/

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit