11.4 C
Pristina
Friday, May 3, 2024

Urimi me rastin e hyrjes së muajit Ramazan

Më të lexuarat

Me të vërtetë falënderimi i takon Allahut, i Cili i ka begatuar robërit e Tij besimtarë me sezone të mirësive, që t’ua shumëfishojë atyre shpërblimet, t’ua falë mëkatet dhe gabimet. Lavdërimet dhe bekimet janë për Pejgamberin Muhamed, përgëzuesin paralajmërues, pishtarin ndriçues, mbi familjen e tij, shokët e tij si dhe për të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij.

Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju, muslimanë të nderuar!

Me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit do të ndalemi me ndalesat vijuese:

Ndalesa e parë:

Uroj çdo musliman dhe muslimane me rastin e arritjes së këtij muaji të bekuar. Lus Allahun e Lartësuar që ky muaj të nis për ne dhe Umetin islam me siguri, iman, paqe dhe Islam. E lus Allahun e Plotfuqishëm, që të më bekojë mua dhe ju në ditët dhe netët e këtij muaji, të na ndihmojë të gjithëve në agjërimin dhe faljen e namazit në të, të na dhurojë qëllim të mirë dhe vepra të mira, të na bëjë prej robërve të Tij që bëjnë gara drejt mirësive dhe veprave të mira.

Ndalesa e dytë:

Muslimanëtnë të gjitha anët e botës urojnë njëri-tjetrin në nivel individual, shoqëror dhe shtetëror me rastin e hyrjes së këtij muaji të bekuar duke i shoqëruar këto urime me lutjet e sinqerta që Ramazani nga dhuratat e tij të imanit, aromën e tij të mirë, me karakteristikat e tij të dalluara, t’i dhurojë të mira çdo personi që beson Allahun si Zot, Islamin si fe si dhe Pejgamberin Muhamed si të dërguar e lajmëtar.

Është e drejtë e çdo muslimani që t’i drejtohet vëllait të tij me urimin në këtë muaj fisnik. Është e drejtë e tij për faktin se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, shembulli dhe modeli ynë, iu drejtohej shokëve të vet, kënaqësia e Allahut me ta, me këtë urim madhështor. Shënon Tirmidhiu, Ibën Huzejme dhe të tjerët me sened (zinxhir transmetimi) të mirë se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, kur fillonte muaji i Ramazanit thoshte:

“Kur vjen muaji i Ramazanit – ose kur është nata e parë e Ramazanit – prangosen djajtë, mbyllen dyert e zjarrit, asnjë derë e tij nuk hapet, hapen dyert e xhenetit e nuk mbyllet asnjë derë e tij, dhe thërret një thirrës: “O ti që kërkon të mirën, eja! O ti që kërkon të keqen, largohu (nga ajo e keqe). Allahu liron nga zjarri çdo ditë.”[1]

Transmeton Taberani nga Ubadete bin Samit, kënaqësia e Allahut qoftë me të, se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:

“Ju erdhi Ramazani, muaji i begatisë. Allahu ju mëshiron në të, zbret mëshirën, ua fshin mëkatet. Allahu shikon në garën tuaj që bëni në të dhe mburret me ju para engjëjve. Tregoni pra Allahut nga vetja juaj vetëm të mira. Vërtet, i dëshpëruar është vetëm ai që privohet në të nga mëshira e Allahut.”[2]

Është e drejtë e tyre përgëzimi me këtë muaj bujar, sepse Allahu i Lartësuar e ka veçuar atë me karakteristika që e dallojnë nga muajt tjerë. Allahu e ka obliguar në të agjërimin e tij, ndërsa i Dërguari, paqja e Zotit qoftë mbi të, e ka ligjësuar faljen e namazit të natës, shpërblimi në të është i shumëfishuar, pa kufi. “Agjërimi është i Imi dhe Unë shpërblej për të.”[3]

Allahu i Lartësuar në këtë muaj robërve të Vet u ka dhuruar Natën e Kadrit, e cila është më e vlefshme se njëmijë muaj. Kush e ushqen një agjërues, atij i fshihen mëkatet dhe ka shpërblimin e agjëruesit duke mos iu pakësuar këtij asgjë nga shpërblimi i tij.

Ndalesa e tretë:

Muslimanë të nderuar! Kanë kaluar disa shekuj dhe një kohë bukur e gjatë nga koha në të cilën është përligjur agjërimi i Ramazanit, koha e të Dërguarit të Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, dhe e shokëve të tij të ndershëm.

Megjithë kalimin e këtyre shekujve, Ramazani akoma vazhdon të jetë po ai Ramazan me pozitën e tij madhështore, vendin e tij të lartë në fenë e Allahut të Lartësuar. Ai është muaji në të cilin ka zbritur Kurani, që t’i nxjerrë njerëzit nga errësirat në dritë, ta udhëzojë njerëzimin nga kryelartësia dhe humbja drejt të vërtetës dhe udhëzimit.

“Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja).” (Bekare, 185)

Është muaji i ndihmës, krenarisë dhe dallimit të së mirës nga e keqja, muaj në të cilin fitoi e vërteta ndaj të pavërtetës. Është muaji i faljes dhe i mëshirës, i lirimit nga zjarri, i devotshmërisë dhe shpërblimit madhështor.

Ky është muaji jonë bujar, i cili na vjen me burimet përplot mirësi, me gjallërinë e tij të begatshme, a thua ne muslimanë të nderuar, si Umet dhe si individë, jemi në nivel të ndërgjegjes lidhur me vlerën e Ramazanit, në nivel të ambicies në përfitimin e mirësive dhe dobive të tij si dhe me mbushjen e shpirtit me dhuratat e tij?

Ndalesa e katërt:

S’ka dyshim se të gjithë muslimanët gëzohen me ardhjen e muajit të Ramazanit, duke e mirëpritur atë dhe kjo mikpritje e shton gëzimin e madh duke u përpjekur në format e ndryshme të mikpritjes. Njëri, përpiqet në llojet e ushqimeve dhe pijeve, duke bërë arte në llojet e ushqimeve dhe kënaqësive, tjetri, nxiton në ndryshimin e programit të tij që ta shtojë lojën e tij dhe ndejën me miqtë dhe shokët e tij, i treti, e shfrytëzon këtë muaj në tregtinë dhe shitblerjen, ndërsa të tjerët e konsiderojnë si mundësi të jashtëzakonshme për llojllojshmërinë e veprave të mira si dhe plotësimin e regjistrave të tyre për në botën tjetër që do t’i gjejnë ato para vetes pas përfundimit të jetës.

Sigurisht, që dhuratat e këtij muaji të bekuar dhe shpërblimet e tij të mëdha – vëlla musliman – nuk janë hise e atij që ngushtohet (mërzitet) me këtë muaj ose ai që gjen hapësirë për lojë e zbavitje, ose e atij që është i rrethuar me begatitë e Allahut e nuk është mirënjohës, ose e atij që e humb veten dhe familjen e tij me gjumë. Të tillë të ngratët dhe të ngjashëm me ta e ekspozuan veten e tyre ndaj zemërimit të Allahut të Lartësuar, ata ranë në pozita të largimit nga Allahu dhe afrimit të djallit. Andaj, ardhja e Ramazanit për ta është fatkeqësi, Allahu na ruajttë!

Ndalesa e pestë:

Ramazani na vjen qe sa vjet, ndërsa muslimanëve, u damkosen balli dhe anët e tyre nga zjarri i mashtrimit të armiqve të tyre, të cilët i kanë nxjerrë në shesh dhëmbët, është sqaruar realiteti i pozicionit të tyre karshi Islamit dhe pasuesve të tij, për nga armiqësia dhe urrejtja, zilia dhe neveria, gjë që shkakton që zemra të pikojë gjak, e plagos atë dhe e ngatërron arsyen racionale.

Përveç kësaj, është edhe fakti se muslimanët, si rezultat i largimit të tyre nga udhëzimi i Zotit të tyre, përçarjes së tyre, dhënies së përparësisë egoizmit dhe interesave të afërta, ka bërë që të jenë viktimë e kaosit, krizës, grindjes dhe situatës së rëndë, duke shpresuar se Ramazani me mirësitë dhe dhuratat e tij, këto fatkeqësi të shuhen, të bëjë që t’i lëvizin zemrat e pavëmendshme, t’i gjallërojë shpirtrat e shqetësuara në mënyrë që të kthehen drejt udhëzimit, të kthehen tek Zoti i tyre, që jeta e tyre të ec sipas rrugës së Allahut të Lartësuar dhe udhëzimit të Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të. S’ka dyshim se Ramazani është mundësi e jashtëzakonshme për këtë, për ata që duan ta kujtojnë ose duan ta falënderojnë.

Muslimanë të nderuar!

Sigurisht që ne, duke e mirëpritur këtë muaj të bekuar, kemi nevojë për ndalesa e ndalesa me këtë shtyllë të madhe, me këtë adhurim që ta kuptojmë me kuptim më të mirë të mundshëm. Të mos jetë hisja jonë urimi në fillimin e tij, keqardhja në fundin e tij, harrimi pas përfundimit të tij.

Prandaj, le të jetë ky muaj pikënisje e re në bashkëveprimin tonë me Allahun e Lartësuar në çdo segment, fushë dhe vijë të jetës.

E lus Allahun e Lartësuar, i Cili na mundësoi arritjen e këtij muaji madhor, të na ndihmojë në agjërimin dhe faljen më të mirë, të na pranojë dhe të jetë i kënaqur, të na dhurojë mëshirën, faljen dhe lirimin nga zjarri. Ai është Dëgjuesi dhe Pranuesi i lutjes dhe Atij i kërkohet ndihma.

Autor: Dr. Falih Muhamed es Sugajr

Përgatiti: Almedin Ejupi

/krenaria.com/


[1] Shënon Tirmidhiu, 3/66 nr. 682: Kapitulli çfarë ka ardhur për vlerën e muajit të Ramazanit. Gjithashtu e shënon Ibën Maxhe 1/526 nr. 1642: Libri i Agjërimit, Kapitulli çfarë ka ardhur për vlerën e muajit të Ramazanit.

[2] Shënon Taberani në El-Kebir, 3/142

[3] Shënon Buhariu nr. 1904: Libri i Agjërimit, Kapitulli A thuhet unë jam agjërueshëm? Muslimi 2/802 nr. 1151: Libri i agjërimit, Kapitulli vlera e agjërimit.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit