1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Urrejtja

Më të lexuarat

Sylejman Rexhepi

 

“O ju që besuat! Bëhuni plotësisht të vendosur për hirë të Allahut, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë,bëhuni të drejtë sepse ajo është më afër devotshmërisë.Keni frikë Allahun se Allahu di hollësisht për atë që veproni.”(El Maide: 8)

Thonë se njeriu i cili nuk mendon është kokëtrashë,kurse ai që mendon shumë nuk është I lumtur.Kjo thënie gjithsesi ka një kuptim të thellë, por ajo nuk të udhëzon çfarë duhet bërë për të gjetur qëllimin e jetës, si të pastrosh shpirtin, si të shmangësh urrejtjen që të dërmon.

Përgjegja për këtë dilemë që sot po e mundon gjithnjë e më shumë njeriun, është shumë e thjeshtë. Mbështetja te Zoti është zgjidhja e vetme sepse te Ai gjendet dashuria e vërtetë, vetëm mbështetja e sinqertë te Zoti mundë të largojë nga zemrat tona urrejtjen.

Sidoqoftë, urrejtja është e kundërta e dashurisë, pra është e kundërta e Zotit. Rrjedhimisht, njërëzit që urrejnë janë tërësisht të humbur dhe të kapluar nga frika, urrejtja është vetëm një maskë prapa të cilës fshehet frika e individit që nuk e ka jetën e plotësuar dhe që s’gjenë vlera të njëmendëta te vetvehtja. Njeriu që urren e që ju dorëzohet emocioneve negative paraqet fatkeqësi jo vetëm për vehten, ai është fatkeqësi edhe për familjen, për mjedisin, për shoqërinë.

Nëse lejojmë që urrejtja të mbisundojë me qenien tonë, ne në fakt do harojmë vlerat e njëmendëta të jetës, të besimit, të dashurisë ndaj Zotit . E ajo, urrejtja, mundë të shprehet në situata të caktuara në mënyrë shumë të vrazhdë e brutale, por në të shumtën e rasteve ajo është e fjetur dhe e fshehur në ndërdijen e njeriut i cili as vetë nuk është i vetëdijshëm se është i përfshirë nga ky helm i shpirtit dhe mendjes.

Nuk ka dyshim se urrejtja ka psenë e vetë, ka shkaqet dhe arsyet e veta që prekin thellë në personalitetin e individit, në trashëgiminë dhe kulturën e tijë, në edukatën familiare, në frustracionet e ndryshme që kryesisht lidhen me paaftësinë për t’ju adaptuar mjedisit e për t’u dëshmuar i sukseshëm në cilëndo lëmi. Andaj, ajo nuk mundë të eliminohet as me vendime zyrtare e politike, as me ndonjë lloj të intervenimit kirurgjik moral.

Dhe, nëse fenomenin e urejtjes e zbresim në rrafshin e marëdhënieve ndëretnike e ndërfetare të cilat këtu, në Maqedoni përherë janë aktuale dhe determinuese për fatin dhe , kisha thënë bile edhe për mbijetesën e vetë shtetit, do të shtrohet gjithsesi pyetja- A po e urrejmë ne njëri tjetrin dhe pse po e bëjmë këtë gjë?

Analiza e fenomenit të urrejtjes mes pjesëtarëve të popujve dhe feve të ndryshme në këtë nënqiell , dëshmon se urrejtja nuk është e dukshme në shikim të parë, ajo është incidentale dhe shpërthyese, ajo është ndjenjë që nuk mbizotëron te njeriu i rëndomtë por eksponohet shumë fuqishëm sa herë që nxitet nga njerëz të pandërgjegjeshëm. Në Maqedoni, në mentalitetin e njerëzve të këtushëm, urrejtja e vërteton definicionin e vetë sepse ngjallet nga frika prej njerëzve të cilët nuk i njohim dhe mendojmë se e rrezikojnë substancën tonë . Por, ekziston dallim esencial mes të menduarit se dikush po të rrezikon dhe rrezikut real, e kjo gjë të shpie në perceptim tërësisht të gabuar të gjërave, të bën të urresh dikë që as që mendon të të shkaktojë diçka të te keqe.

Në këtë vazhdë, disi vetvetiu po më imponohet të them fjalë- dy për pluhurin që ngriti në opinion filmi “Tallja me Krishtin” në të cilin, sipas një ligji të pa shkruar të kinematografise maqedonase, shqiptarët, pra muslimanët e vendit, rregullisht paraqiten si dhunues, kriminelë e vrasës(në këtë rast luftëtarët e UCK). Tërësisht po I kuptoj reagimet e shqiptarëve të cilët sërish po e ndjejnë vehten të ofenduar nga ky film të cilin, fatmirësisht, edhe Kryeministri, edhe Ministri I Kulturës, pra zyrtarë të lartë të vendit, e vlerusuan si përhapje të gjuhës së urrejtjes.

Mjerisht, ky nuk është filmi i parë që profilon perceptime të këtilla për ne, këto perceptime qëndrojnë galuc te regjisorë të ndryshëm dhe si duket mezi presin çastin të shpërthejnë, siç shpërthyen edhe vitin e kaluar në një film tjetër që, pa gjykim dhe pa vendim të gjyqit, shpejtoi të shpallë shqiptarët si vrasës në rastin “Monstra”.

Janë shumë banale arsyetimet e llojit se filmi është art dhe regjisori i jep krahë shprehjes dhe lirisë artistike. Duke e vlerësuar regjisori vehten si artist, mendoj se ai duhet patjetër në veprën e vetë të ruaj dimensionin e humanitetit, korektësisë dhe vërtetësisë. Në të kundërtën, do ndodhë pikërisht kjo që ndodhi me filmin “Tallja me Krishtin, do bëhet liferiues i gjuhës së urrejtjes mes njerëzve pikërisht në kohët kur atyre ju nevoitet të ulin gjakrat dhe bashkërisht të mendojnë për ardhmërinë e vetë.Tekefundit, kur atijfarë regjisori i pëlqyeka shprehja e lirë artistike, pse nuk i paraqiti artistikisht, ta zëmë, branitellat si vrasës,kriminelë e dhunues ? Më shumë s’kam ç’të them për filmin e për regjisorin artist, por do them edhe diçka për urrejtjen.

Njeriu që e urren vehten, shumëfish më tepër i urrenë të tjerët, sa më shumë zhytet në gjëra joreale për vehten dhe kolektivin e vetë, aq më shumë do të sulmojë e do të urrejë ata që nuk jetojnë në ëndëra. Pra, njerëzit e këtillë , pa pikë faji do i shpallin fajtorë e armiq të tjerët, ata që ndoshta as nuk i vërejnë këta që jetojnë në ëndëra. Por, nuk është në rregull të shpallësh armik e të përhapësh urrejtje ndaj dikujtë sepse qenka i pa interesuar për ëndërallat e tua.

Përfundimisht, po e theksoj se urejtja është para së gjithash një frikë e grumbulluar në ndërdije dhe njeriu nuk e urrenë atë nga i cili nuk frikësohet, e urrenë atë nga i cili frikësohet. Por, Maqedonia është e lodhur nga urrejtja , ajo e ka kuptuar tanimë se nuk mundë të jetohet pa ia falur njëri tjetrit gabimet, ajo e ka kuptuar se aty ku nuk ka urrejtje nuk mundë të flaës gjuha e armës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit