0.7 C
Pristina
Saturday, January 4, 2025

Urimi i festave është lutje… – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Emri ‘urim’ vjen nga folja ‘uroj’, që do të thotë shprehje e dëshirës për një të ardhme më të mirë për dikë. Nga e njëjta rrënjë rrjedh edhe fjala ‘uratë’, që nënkupton lutje dhe bekim, duke treguar një lidhje të qenësishme mes këtyre koncepteve. Dhe fjala ‘uratë’ në shqip është më e vjetër në përdorim sesa fjala ‘urim’, çka do të thotë se kuptimi i fjalës ‘urim’ është thelbësisht i njëjtë me atë të fjalës ‘uratë’, pra, lutje dhe bekim. Edhe sikur të mos ishte kështu, vetë shprehja e dëshirës për një të ardhme më të mirë është një lloj lutjeje, sepse buron nga brendësia e njeriut, që shpreson diku. Dhe kjo shpresë lidhet domosdoshmërisht me një fuqi që mund ta plotësojë atë.

Të urosh pra, është në thelb shprehje e një lutjeje dhe bekimi për dikë. Por, nëse Zoti nuk do të ekzistonte, e ardhmja për të cilën lutemi ose shprehim dëshirën për përmirësim, nuk do të ishte nën kontrollin e askujt, kështu që vetë akti i urimit bëhet i pakuptimtë për një ateist. Ndonëse ai mund ta shprehë këtë gjë si pjesë e një tradite ose mirësjelljeje, dhe ta praktikojë me këtë qëllim, por që një ateist të urojë një tjetër si ai, është një veprim që nuk ka kuptim logjik, pasi ai supozon se e ardhmja është e gjitha rastësi, që nuk varet nga asnjë fuqi e mbinatyrshme që ndikon në të.

E di që shumë njerëzve që nuk besojnë, apo edhe të tjerëve, kjo do t’iu duket e vështirë për ta pranuar, por pikërisht ky kontrast nxjerr në pah një të vërtetë thelbësore të ekzistencës së Zotit, sepse ose do të pranohet se logjikisht urimi nuk ka asnjë kuptim për një ateist dhe thjesht do të pranohet si trashëgimi kulturore dhe zakonore e mirësjelljes, çka do të thotë se është një veprim tërësisht formal dhe hipokrizi nga këta njerëz që nuk besojnë në Zot, ose do të pranohet se del nga shpirti vetvetiu në mënyrë kaq të natyrshme, sa nuk mund ta shmangësh atë, dhe kjo është provë pikërisht e asaj natyre njerëzore, që në thelbin e saj është e lidhur me Krijuesin dhe Fuqinë e mbinatyrshme, tek i Cili i ka lidhur shpresat dhe dëshirat.

Natyra e njeriut për të dëshiruar një të ardhme më të mirë, tregon se ai posedon ndjenjën e brendshme të shpresës dhe pritshmërisë për diçka më të mirë, e cila mund të lidhet logjikisht vetëm me besimin në një Krijues të Gjithëfuqishëm, edhe nëse ky besim mohohet kategorikisht me gojë, duke kundërshtuar kështu ndjenjën e brendshme. Por shpresa e njeriut për një të ardhme më të mirë buron jo vetëm nga ndjenja e brendshme se Zoti ekziston, por edhe se Ai është i Mirë, i Mëshirshëm dhe i Drejtë dhe se Ai dhuron mbarësi pa fund.

Urimi për një të ardhme më të mirë përfshin domosdoshmërisht pranimin vetvetiu, se njeriu nuk ka kontroll të plotë mbi të ardhmen, por ekziston një Fuqi e Lartë që e ka në dorë atë. Besimi në Zot është burimi kryesor i kësaj ndjenje, sepse njerëzit e lidhin fatin dhe zhvillimet e ardhshme me dëshirën dhe planin e Tij hyjnor.

Nëse duam t’i japim kuptim të logjikshëm ‘urimit’, ai duhet të përfshijë në mënyrë të vetvetishme, qoftë me vetëdije ose pavetëdije, pranimin e ekzistencës së Zotit, përndryshe, është thjesht një sjellje absurde pa kuptim.

E nëse është e para, për shumicën e njerëzve, atëherë është e domosdoshme që urimi të lidhet me kuptimin që Zoti i ka dhënë kësaj jete dhe neve si njerëz, përndryshe, të urosh apo të lutesh pa një adresë se nga kush e shpreson plotësimin e këtij urimi, është një tjetër absurditet logjik. T’i lutesh për mbarësi kohës që rrjedh dhe t’i varësh shpresat tek ajo, do të thotë t’i atribuosh asaj cilësi që nuk i ka, dhe ta kthesh atë në Zot. Koha për ne si njerëz, në çdo kuptim logjik dhe fizik, është vetëm një njësi matëse mes ngjarjeve, jo një fuqi aktive, që ekziston pavarësisht ekzistencës së tyre ose jo. Ndaj, dhe në besimet me origjinë monoteiste nuk ekzistojnë urimet për shkak të rrjedhës së kohës apo ndryshimit të viteve, sepse ajo nuk është një mirësi apo dhuratë e veçantë e Zotit, nga e cila pritet diçka, por një domosdoshmëri ekzistenciale e krijimit të botës. Ndërkohë, urimet vendosen në rrjedhën e kohës vetëm në momentet, kur Krijuesi ka caktuar se mëshira dhe begatia e Tij për njerëzit është më e madhe se në çdo moment tjetër, dhe jo për shkak të vetë kohës që rrjedh.

Përfundimisht, cilido njeri që e ndjen se është një qenie racionale, duhet të reflektojë mbi kuptimin e veprimeve të tij, përfshirë urimin për vitin e ri. Përndryshe, ai rrezikon të bëhet një aktor i pamend në mesin e turmës, duke vepruar pa ndonjë qëllim të mirëfilltë apo kuptim të qëndrueshëm.

Hoxhë Dr. Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit