2.2 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Urdhri për të vrarë agjentin e konvertuar në Islam, mund të ishte dhënë vetëm nga Putini

Më të lexuarat

Ish-spiuni i KGB-së, Alexander Litvinenko, i cili ndërroi jetë pasi piu çaj të helmuar me një izotop të rrallë radioaktiv, i kishte rrëfyer më herët policisë britanike se ishte personalisht presidenti rus, Vladimir Putin, ai që fshihej pas tentativës për eliminimin e tij. Kjo u bë e ditur gjatë një seance dëgjimore për vrasjen e tij gjatë së martës.

Autoritetet britanike besojnë se kritiku i ashpër i Kremlinit, Litvinenko, u helmua nga një filxhan çaji jeshil të helmuar me polonium 210, në barin e një hoteli në qendër të Londrës, më 1 nëntor të vitit 2006, gjatë një takimi me dy rusë, Andrei Lugovoy dhe Dmitry Kovtun.

Ai ndërroi jetë tri javë më vonë, ndërsa avokati që merret me hetimet, Robin Tam, në momentin e aplikimit për rishqyrtimin e çështjes, ripërsëriti vlerësimet e mëparshme se provat sekrete të qeverisë britanike jepnin një “përmbledhje” të fajësisë ruse mbi këtë çështje.

Hetimi i shumëpritur publik bëri të ditur gjatë seancës se Litvinenko e kishte bërë vetë këtë akuzë nga spitali ku gjendej i shtruar, përpara vdekjes së tij.

“Nuk kam aspak dyshim, sidoqoftë, që kjo është bërë nga shërbimet sekrete ruse”, tha Litvinenko për detektivët britanikë.

“Duke pasur njohuri mbi sistemin, e di se urdhri për një vrasje të tillë ndaj një qytetari të huaj në territorin e një vendi tjetër, veçanërisht kur bëhet fjalë për Britaninë e Madhe, mund të jepet vetëm nga një person. Dhe ky person është Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin”.

Kremlini e ka mohuar gjithmonë përfshirjen në vdekjen e tij, ashtu sikurse kanë bërë edhe Lugovoy dhe Kovtun, të dyshuarit kryesorë për vrasjen e ish-spiunit rus.

Rusia ka refuzuar përpjekjet e britanikëve për të ekstraduar ata të dy, por kreu i hetimit, Robert Owen, tha se ata janë ftuar për të dhënë provat e tyre përmes një videokonference nga Rusia.

Mosmarrëveshjet e gjeneruara prej kësaj vrasjeje bënë që marrëdhëniet mes Anglisë dhe Rusisë të binin në nivelet më të ulëta që prej Luftës së Ftohtë.

Por, me përmirësimin e tyre, Britania refuzoi mbajtjen e një hetimi në vitin 2013, ndërsa tashmë që marrëdhëniet janë përkeqësuar sërish prej krizës në Ukrainë, qeveria britanike ka ndërruar mendje dhe që prej korrikut të kaluar ka dhënë dritën jeshile për hetimin e kësaj vrasjeje.

Litvinenko, i cili u arratis nga Rusia saktësisht gjashtë vjet përpara sesa të helmohej për vdekje, u bë një kritik tepër i ashpër i Putinit dhe agjencisë së sigurisë FSB, pasuese e KGB-së. Ai fitoi simpatinë e separatistëve të çështjes së Çeçenisë, si dhe ishte një mik i Anna Politkovskaya, e vrarë në Moskë në vitin 2006.

Në hetimin publik u bë e ditur gjithashtu se shtëpia e tij dhe e mikut të tij, liderit të arratisur çeçen Akhmed Zakayev, u hodhën në erë gjatë 2004-s; ka prova të qarta se ai punoi për agjencinë britanike të spiunazhit MI6; dhe se ai ishte konvertuar në fenë islame vetëm pak kohë përpara sa të helmohej. /Top Channel/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit