UNESCO, ka përshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore qytetin e vjetër në Hebron të Bregut Perëndimor, ku gjendet edhe Xhamia Ibrahimi si “trashëgimi botërore e rrezikuar e Palestinës”
PARIS (AA) – Komiteti i Trashëgimisë Botërore i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), ka përshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore qytetin e vjetër në Hebron të Bregut Perëndimor, ku gjendet edhe Xhamia Ibrahimi (Haram al Ibrahimi), duke e cilësuar atë si “trashëgimi botërore e rrezikuar e Palestinës”, raporton Anadolu Agency (AA).
Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s vendimin për përfshirjen në listë të Xhamisë Ibrahimi dhe qytetit të vjetër dhe marrjen e saj nën mbrojtje e ka marrë përmes një votimi në Asamblenë e 41-të të Përgjithshme në qytetin Krakov të Polonisë.
Ndërkaq, komiteti nuk i ka pranuar nismat e përfaqësuesit të përhershëm izraelit, Carmel Shama-Hacohen, që votimi i cili deri më tani është zhvilluar i hapur dhe me ngritjen e duarve të zhvillohet i mbyllur me zarf. Ai kishte argumentuar se shtetet votuese mund të kenë trysni nga shtete të tjera.
Gjatë votimit, tre anëtarë kanë votuar kundër, 12 pro, kurse gjashtë të tjerë kanë abstenuar.
Me këtë vendim, UNESCO refuzon pretendimet e Izraelit mbi Xhaminë Ibrahimi në Hebron të Bregut Perëndimor, që gjendet nën okupimin izraelit.
Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESCO-s të martën miratoi një projektrezolutë që dënon gërmimet dhe formacionet e Izraelit në Xhaminë Aksa në Jerusalem dhe përreth saj, duke i refuzuar pretendimet e saj mbi të.
Ndryshe, Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESCO-s aktualisht përbëhet nga Turqia, Angola, Azerbajxhani, Burkina Faso, Kroacia, Kuba, Finlanda, Indonezia, Xhamajka, Kazakistani, Kuvajti, Libani, Peruja, Filipinet, Polonia, Portugalia, Koreja e Jugut, Tunizia, Tanzania, Vietnami dhe Zimbabveja.
Anëtarët e komitetit zgjidhen nga ana e Asamblesë së Përgjithshme për kohëzgjatje prej gjashtë vitesh. Në çdo dy vite bëhet zgjedhje për të plotësuar vendin e shteteve që u kalon anëtarësia.