3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Unë pendohem, nuk e dija se të qenurit baba ishte një mirësi e madhe

Më të lexuarat

Ai tha: Unë pendohem, nuk e dija se të qenurit baba ishte një mirësi kaq e madhe.

Ai tha: Unë u lumturova kur u bëra me fëmijë, por nuk kam kaluar kohë me ta, pastaj ata u rritën, gruaja u nda prej meje dhe fëmijët e mi u rritën nën kujdesin e nënës së tyre sakaq unë nuk e shijova të qënurit baba për fëmijët e mi. Më pas ai heshti, nga sytë i rrodhi një pikë loti dhe pastaj tha: Unë jam penduar për çdo çast që kam humbur duke mos biseduar dhe luajtur me fëmijët e mi. Vetëm tani kam arritur të kuptoj se të qenurit baba qenka një mirësi shumë e madhe. Mirëpo – për fat të keq – këtë arrita ta kuptoj vetëm se pasiqë e humba atë.

Unë i thashë: Ti ke të drejtë. Të qënurit baba është një përvojë e bukur, sepse babai përpiqet që të bëjë më të mirën për fëmijët e tij.

Një ditë, një baba më tha (duke e pranuar):  “Nuk kam pasë menduar se do të doja dikënd më shumë se veten time, derisa u bëra baba dhe unë i doja fëmijët e mi më shumë se veten time”. Fjalët e tij janë reale dhe të vërteta, sepse kur ti je i kënaqur me fëmijët tuaj padyshim që do të bësh më të mirën për ta. E kur ata ju kundërshtojnë dhe i thyejnë urdhrat tuaja atëherë ti do të tregohesh i keq me ta.

Ai tha: Ke të drejtë, sepse unë e kam përjetuar këtë ndjenjë.

Unë i thashë: Të qenurit baba të mëson se si të kënaqesh me gjërat e vogla dhe t’i vlerësosh ato, sepse ti i sheh ato me sytë e fëmijës tënd. Momentet më të bukura për babain janë ato momente kur ti shikon fëmijën tënd duke u rritur dhe u zhvilluar para syve tuaj dhe ti ndihesh krenar për këtë. Po ashtu, ti mundohesh dhe përpiqesh që ata të bëhen më të mirë se ti e kështu ti largohesh i lumtur nga kjo botë. Këtë ndjenjë nuk ke për ta kuptuar kurrë nëse nuk je baba.

Ai tha: Kjo që thua është shumë kuptimplote, nuk më paska shkuar mendja më parë.

Unë i thashë: Mjeran është ai njeri që nuk e shijon prindërimin e tij dhe nuk e shikon botën nëpërmjet syve të fëmijëve të tij. Mjeran është ai njeri që nuk zbulon aftësitë dhe dhuntitë e tij nëpërmjet fëmijëve të tij. Gjëja më e bukur për babanë është ai moment kur ti ke patur ndikim në formimin e personalitetit të fëmijëve të tu përmes sjelljes, moralit, besimit tënd, madje edhe në mënyrën e fjalës dhe lëvizjes sënde. Çdo moment i prindërimit është i bukur.

Kujto sa shumë je gëzuar ditën kur të lindi fëmija. ditën kur ai këmba-dorazi ka ardhur tek ti,  ditën kur ai ka filluar të ecë vetë, ditën kur ka filluar të hajë vetë, ditën e parë të shkollës, ditën kur ka filluar të veshë rrobat e të mëdhenjve, ditën kur është martuar dhe ditën kur ka filluar punën për herë të parë. E kështu vazhdojnë ditët e gëzimit me çdo gjë të re në jetën e fëmijës tënd, dhe në çdo moment ti përjeton gëzimin dhe lumturinë e prindërimit

Ditët e gëzimit janë të shumta kur ti i përjeton ato si baba, ashtu sikurse të shumta janë edhe ato ditë të vështira kur fëmijët sëmuren, i thyejnë urdhrat e tua, sillen keq apo veprojnë gabim. Të gjitha këto të mësojnë si të durosh, të jetosh në harmoni, të kontrollosh veten, të kontrollosh nervat dhe zemërimin. Prindërimi (të qenurit baba) është i gjithi pozitivitet dhe është shumë kuptimplotë. Një gjë tjetër e mirë e tij është se ai të përmirëson marrëdhënien tënde me nënën e fëmijëve të tu.

Ai tha: “E vërtetë, e gjithë kjo ndodhi për shkak të shkujdesjes time ndaj shtëpisë, fëmijëve dhe bashkëshortes, e si pasojë e kësaj humba kënaqësinë time si baba, bashkëshort dhe ndodhi divorci”

Unë i thashë: Përpiqu të kompensosh atë që ka kaluar dhe bashkë me nënën e fëmijëve shpenzosh sa më shumë kohë me fëmijët dhe kështu ke për ta shijuar prindërimin. Dhe përpiqu maksimalish nga të qenurit një baba i keq.

Ai tha: “Çfarë do të thuash me këtë?”

Unë i thashë: “Prindërimi i keq ka si bazë mospërfilljen, dhunën, të rrahurën, të bërtiturën, injorimin dhe sharjet drejtuar fëmijëve. Kjo lloj prindërimi bën që fëmijët të largohen nga shtëpia, të pinë duhan, drogë e të marrin rrugën e gabuar, larg sjelleve të mira dhe larg mësimeve të fesë. Dhe jo vetëm kaq, por tek ta shfaqen probleme psikologjike dhe shëndetësore si trishtimi, frika, urinimi i padëshiruar, dhuna, hutimi dhe shpërqendrimi. Duke qenë se ti ke qenë i shkujdesur dhe neglizhent ndaj fëmijëve kur ke qenë i martuar, të paktën  mos u trego neglizhent ndaj tyre tani që je i divorcuar, kushtoji atyre vëmendjen e duhur dhe mos u trego koprac.

Ai tha: “Këto fjalë më kanë lënë përshtypje të mirë, sepse kam përjetuar një mësim të vështirë e të ashpër.  Për herë të parë kuptova se humbja e prindërimit është një humbje e madhe, ashtu siç është një mirësi e madhe, gjë të cilën e kuptova vetëm pasi e humba.”

Këtu përfundoi ky takim.

Përktheu: Elton Harxhi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit