Kur’ani ka një përshkrim të veçantë për Isain (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për të). Flet për lindjen e tij të mrekullueshme, fëmijërinë e tij të hershme dhe jetën e misionin e tij. Në këtë rrëfim hedhet dritë mbi detaje të jashtëzakonshme të të përzgjedhurit të Zotit sikur është lindja e tij pa baba.
Kur’ani përshkruan se Isai foli në mënyrë të mrekullueshme në një kohë kur foshnjat nuk flasin. Fjala e parë që e tha ishte: UNË JAM ROBI I ALLAHUT…!
Sikur edhe të gjithë vëllezërit e tij pejgamberë, Isai (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për të) e bëri të qartë me gjuhën e tij se njeriu duhet të synojë të arrijë pozitën më të lartë që mund të arrijë një njeri, e ajo është të jesh rob i Allahut. Ky edhe ishte misioni i të Dërguarve, për çka, si besimtarë dëshmojmë se e përmbushën më së miri që ishte e mundur. Por Isai (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për të) e tha në mënyrë interesante. Ai foli në një kohë (moshë) kur njerëzit nuk flasin dhe kjo ishte mrekulli. Foli për të shfajësuar nënën e vet nga akuzat dhe shpifjet për imoralitet dhe fjala e parë që nxori nga goja ishte: UNË JAM ROBI I ALLAHUT…!
Hoxhë Ekrem Avdiu