0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Unë jam krenare që jam një nënë shqiptare myslimane

Më të lexuarat

(Në vend të reagimit ndaj palo shkrimtares, Zana Ramadani, për qasjen e saj antishqiptare dhe antimyslimane në librin e saj Die verschleierte Gefahr, në shqip: Rreziku i mbuluar)

Shkruan: Gjyla Çeliku

Besimi paraqet njërën ndër shtyllat kryesore të njerëzimit dhe si i tillë është i pakontestueshëm sa i përket rëndësisë së tij në zhvillimin e gjithëmbarshëm të shoqërisë, ruajtjen e balancës shoqërore dhe promovimin e vlerave universale njerëzore.

Po t’i referohemi historikut të feve, në përgjithësi, krahas gjërave të mira për shoqërinë, hasim edhe në dukuri jo të këndshme, sepse fetë kanë shërbyer edhe si instrument i politikave dhe pushteteve të ndryshme dhe në këtë mënyrë, si të thuash, në rezonimin e përgjithshëm shoqëror ato rezultojnë edhe si entitete destruktive, megjithatë vetëm në kontekstin e instrumentalizimit të tyre, por jo edhe në korpusin e vlerave që bartin në vete ato.

Fetë janë të domosdoshme për qenien njerëzore dhe assesi nuk guxojmë ta vëmë në pikëpyetje rolin e tyre në të mirë të njerëzimit, pavarësisht se ato dhunshëm mund të instrumentalizohen nga sistemet e caktuara politike, duke i shërbyer propagandës pushtetare. Aq më pak, ne si shtetas të një territori të caktuar dhe qytetarë globalë të gjykojmë cilëndo qoftë fe, vetëm sepse ajo, në periudha të caktuara historike, mund të ketë qenë e instrumentalizuar politikisht dhe të ketë ndikuar në prishjen e balancës së gjithëmbarshme shoqërore, duke depërtuar thellë edhe në kodin e sjelljes, mënyrën e jetesës e deri te mënyra e veshjes dhe paraqitja publike, sepse, fundja, jo vetëm çdo fe, por edhe çdo komb, madje edhe çdo individ, ka tipare të caktuara të identifikimit dhe, sado që neve mund të mos na pëlqejnë këto tipare, nuk i zhbëjmë dot, sepse ato janë të krijuara në një rrafsh historik horizontal dhe janë kthyer në një kult, në një vlerë, në një traditë të pacenueshme nga askush.

Gjithsesi se instrumentalizimi nuk është vetëm politik, ai mund të jetë edhe kulturor, arsimor, individual, por edhe kamuflues për interesa personale, dhe kështu me radhë, megjithatë në këto raste qofshin grupacionet apo individi shkelin rëndë mbi etikën njerëzore dhe shfaqen shumë të ulët në shtjellimin e diskursit të tyre, sado intelektual që të duket, lidhur me fenë. Çdo fe predikon të mirën, njerëzoren, altruizmin, sakrificën, pra gjithçka që i shërben për të mirë njerëzimit. Nocioni “Islam” nënkupton paqe dhe si i tillë do të mbetet gjithmonë, pavarësisht tendencave të vazhdueshme nga brenda dhe jashtë për njollosjen e tij në rrafshin global pikërisht për arsyet e lartpërmendura.

Sa i përket instrumentalizimit politik të fesë, tashmë gjithçka është e qartë dhe nuk ia vlen të tematizohet e njëjta; ajo çfarë më frustron mua si një besimtare, si një grua dhe si një nënë, është përdorimi negativ i fesë për qëllime meskine individuale, shërimi i komplekseve personale dhe mëtimi për ngritje jomeritore në karrierë. Me vëmendje e lexova intervistën të një palo shkrimtareje nga Maqedonia, njëfarë Zana Ramadani, e cila që në moshën shtatë vjeçare e paska braktisur me gjithë familje vendlindjen dhe qenka rritur e edukuar diku në Gjermani dhe sot ajo ka kapur shpatën në stilin e Selman Rushdije kundër Islamit, kuptohet jo për t’ia ulur vlerën atij, por për t’u ngritur në karrierën e saj. Madje ajo shkon aq larg, sa mbase edhe në mënyrë të pavetëdijshme e përçmon edhe nënën e saj, gjakun e vet dhe mbarë kombin shqiptar, vetëm e vetëm që të tërheqë vëmendjen e mediumeve evropiane, gjithsesi me një prirje të sëmurë karrieriste. Për fat të keq, ajo nuk është e vetmja, që hedhin helm e vrerë mbi popullin e vet, gjë që kurrë nuk do ta kishte bërë një evropian apo ndonjë përfaqësues i një kombi tjetër në botë, madje këto elemente nuk i gjen dot as edhe te Niçe, i cili në veprën e tij gjeniale Antikrishti merret me fenë krishtere si fenomen, si mjet instrumentalizimi dhe në asnjë çast të vetëm nuk degradon deri në atë shkallë sa ta etiketojë “nënën shqiptare si dështake në edukimin e fëmijës së saj”. Nëse nëna shqiptare qenka dështake, e cila për hir të fëmijëve të vet në të shkuarën ka ndenjur pa e parë burrin e vet kurbetqar edhe për një dekadë me radhë, atëherë nuk e di se çfarë atributesh mund të ketë një shoqëri perëndimore, e cila ka kohë që përballet me një krizë të madhe familjare dhe nuk ia del ta rimarrë assesi veten, pa dashur të hyj me këtë rast në hollësi në dukuritë monstruoze që i kemi parë nëpër ekranet televizive së fundmi, sepse nuk më përket mua të gjykoj mbi veprimet individuale të gjithsecilit dhe, aq më tepër, një rast të izoluar ta kthej në një prototip për mbarë një besim a shoqëri.

Po të hysh të analizosh pak psikologjinë e kësaj palo shkrimtareje, që në shoqërinë gjermane përdoret si mish për top nga ana e mediumeve, të cilat janë vazhdimisht në gjah të lajmeve bombastike për shqiptarët, duke kontribuuar edhe në krijimin e stereotipave te konsumatori mediatik gjerman, del në pah një varfëri e skajshme shpirtërore, një personalitet i frustruar dhe i prirë çmendurisht për pak vëmendje dhe afirmim shoqëror, së cilës nuk i pengon vetëm feja, por edhe korpusi i vlerës shqiptare, gjë që e proklamon nëpër show-et e ndryshme televizive, ku ftohet vazhdimisht.

Po, shqiptarët janë në shumicë të madhe edhe myslimanë, gjë që mua personalisht më bën krenare, sepse myslimanizmi nuk përbën vetëm një sistem normash të vlefshme për ne shqiptarët, por ai historikisht e ka garantuar vazhdimësinë e kombit shqiptar, tjetër gjë është se komunizmi përmes tij ka krijuar errësirën e përkohshme për ne shqiptarët si dikur Mesjeta për krishterët e Evropës, duke goditur fuqishëm aty ku dhemb më shumë, në arsim e kulturë. Nëse ne shqiptarët e Maqedonisë dikur kemi qenë të kufizuar në arsim, nuk na ka faj feja, por regjimi totalitar dhe represioni i paparë në të kaluarën, i cili i ka përdorur imamët e pandërgjegjshëm në instrumentalizimin e fesë për qëllimet makabre të regjimit, të njohura për këdo. Nëse kjo palo shkrimtarja, Zana Ramadani, ka ngecur në imazhet e saj të moshës 7-vjeçare dhe vazhdon t’i kultivojë ato edhe sot, duhet t’i kthehet realitetit objektiv dhe të shohë se shqiptarët e Maqedonisë janë po aq evropian sa është edhe një gjerman. Konservatizmi nuk është veti e një feje apo populli të tërë dhe nuk e mban epitetin as mysliman dhe as shqiptar, konservativët i gjen kudo, në çdo fe dhe popull, edhe në Gjermani, Francë, Itali, Angli, SHBA dhe gjetiu.

Populli shqiptar sot është në rrugë të Zotit, ka vatan dhe iman, i pëlqen kjo dikujt apo jo. Ne jemi krenarë për atë që jemi, popull me një gjuhë dhe kulturë të lashtë dhe, më e vlefshmja, me një tolerancë të pashembullt fetare, duke e lënë larg Evropën dhe botën.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit