Lavdërimi i takon Allahut, i Cili robërit e Vet besimtarë i ka begatuar me mirësi dhe dhurata të shumta, i Cili i shpërblen ata për veprat e mira që i kryejnë. Atë e lavdëroj për caktimin dhe paracaktimin e Tij dhe e falënderoj për dhuntitë dhe mirësitë e Tij.
Paqja dhe bekimet e Tij qofshin për të Dërguarin, përgëzuesin e qortuesin, pishtarin ndriçues, Pejgamberin tonë Muhamed, për familjen e tij, shokët e tij si dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.
Pa dyshim se adhurimi në këtë muaj të bekuar ka një shije të veçantë, të cilin e shijojnë besimtarët e sinqertë, të cilët shpresojnë për një fitim që nuk do të humbasë, që t’ua plotësojë Zoti i tyre shpërblimet e tyre dhe t’ua shtojë nga mirësitë e Tij.
Nga këtu gjen garën ndërmjet atyre besimtarëve në kryerjen e adhurimeve të llojllojshme, ato obligative dhe vullnetare (farze dhe nafile).
Fakti që e shton shijen e këtyre adhurimeve në këtë muaj të bekuar është për shkak të shumëfishimit të shpërblimit në të, shlyerjes së mëkateve, gjynaheve dhe gabimeve.
Umreja në Shtëpinë e Shenjtë të Allahut në këtë muaj të begatshëm ka një pozitë të lartë që nuk e ka në muajt e tjerë, ndaj rreth Umres do të ndalemi në ndalesat vijuese:
Ndalesa e parë:
Umreja në Shtëpinë e Shenjtë të Allahut ka vlerë të madhe dhe pozitë të lartë, ajo i shlyen mëkatet, i ngrit shkallët, në të shtohet të përmendurit e Allahut të Lartësuar. Është transmetuar në hadith të vërtetë se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:
“Umreja deri në Umre tjetër, i fshin mëkatet që bëhen mes tyre.”[1]
Nëse muslimani e kryen këtë adhurim me sinqeritet, me shpresë dhe frikë, shpreson shpërblimin e Allahut dhe i frikësohet dënimi të Tij, kërkon kënaqësinë e Tij, e ndien kuptimin e këtij adhurimi ndaj Allahut të Lartësuar, atij do t’i realizohet shpërblimi i madh të cilin e shpreson.
Ndalesa e dytë:
Ai që synon Umren bën nijet udhëtimin në Shtëpinë e Shenjtë të Allahut, për ta kryer këtë Umre sinqerisht për hir të Allahut, ndaj, ky udhëtim i tij bëhet udhëtim i respektimit të Allahut dhe përuljes ndaj Tij, udhëtim i afrimit tek Allahu, ndaj do të shpërblehet për nijetin e tij.
Përzgjedh pasurinë më të mirë që ta shpenzojë në këtë adhurim të madh, hip nga mjetet e udhëtimi çka i mundësohet dhe drejtohet kah Mekeja e Ndershme, duke u lutur me lutjen e udhëtimit, e Allahu e përfshin me kujdesin dhe ruajtjen e Tij. Ai e lë familjen e tij, pasurinë, miqtë dhe vendin e tij, gjë që do t’i shtohet shpërblimi, për shkak të lënies së këtyre gjërave për hir të Allahut të Lartësuar, duke shfrytëzuar kohën e udhëtimit të tij me lexim, të përmendurit e Allahut, me të menduarit dhe llogaritjes së vetvetes.
Kur të arrijë në Mikat, vendi nga i cili fillojnë aktet e Umres së tij, i zhvesh rrobat e tij të zakonshme, duke u pastruar dhe parfumuar trupin e tij, dhe më pas vesh dy çarçafë të bardhë e të pastër – kjo për burrin – ndërsa femra vesh çka të dëshirojë nga rrobat e lejuara për të, përveç të mos jenë rroba stolie apo të ngjashme me ato të burrave ose të mos shfaqin diçka nga trupi i saj.
Në këtë situatë, është një rast i madh për meditim dhe rishikim të vetvetes. Me heqjen e rrobave të zakonshme dhe me pastrim, ai që kryen Umren ndien sikur t’i ketë hequr mëkatet e mëparshme të tij dhe është pastruar prej tyre kurse para Zotit të tij ka dalë me një pamje të re, faqja e tij është e bardhë e pastër, sikur të thotë: “Ja ku jam o Zoti im, të erdha duke shpresuar në faljen e mëkateve të mia, duke u kthyer prej tyre sikur ditën që më ka lindur nëna ime”. Kurse Allahu i Gjithëmëshirshëm, është Bujari dhe Fisniku më i Madh, e meriton t’i përgjigjet lutjes dhe dëshirave të tij. Me rrobat e Umres ai ndien se ka nisur një jetë të re pa mëkate.
Pastaj, hip në mjetin e tij të udhëtimit dhe bën telbije për Umren, duke bërë nijetin me zemër e duke shqiptuar fjalët: “Të përgjigjem o Allah me Umre. Të përgjigjem o Zot. Të përgjigjem, të përgjigjem. Ti nuk ke shok. Të përgjigjem. Ty të takon çdo lavdërim, mirësi dhe pushtet, në këtë Ti nuk ke shok.” Duke deklaruar përgjigjen e tij ndaj Allahut të Lartësuar, duke e njësuar Atë e duke mos i bërë ortak askënd. Duke qenë mirënjohës ndaj Atij për mundësinë e ofruar për kryerjen e këtij adhurimi. Fillon me tavafin (rrotullimin) rreth Qabesë me rastin e arritjes së tij shtatë herë duke u nisur nga Haxherul Esved (Guri i Zi) duke e puthur atë, po patë mundësi ose vetëm duke sinjalizuar drejt tij me dorën e tij. Bën tekbir (shqipton Allahu Ekber) kur të fillojë tavafin dhe çdo herë kur të kalojë pranë tij gjatë shtatë rrotullimeve, ashtu siç bëri i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të. Më pas i falë dy rekate namaz pas kryerjes së tavafit, të cilat janë sunet i tavafit. Pastaj drejtohet në drejtim të Safasë duke e madhëruar Allahun dhe lutur Atë me çka të dëshirojë, pastaj shkon të drejtim të Mervesë dhe vepron siç ke vepruar në Safa dhe këtë shtatë herë, një shkuarje e tij llogaritet një rrotullim dhe kthimi i tij rrotullim tjetër. E nis me Safanë dhe mbaron rrotullimin e tij të shtatë në Merve.
Gjatë tavafit dhe sa’jit (ecje me hapa pak më të shpejtë) le të lutet me çka të dëshirojë, nga mirësitë e kësaj bote dhe botës tjetër, ose të lexojë çka të dëshirojë nga Kur’ani, ose të e kalojë kohën e tij me të përmendurit e Allahut, ndërsa pas përfundimit të pjesës së shtatë të sa’jit i rruan ose shkurton flokët, kurse të rruarit është më e mirë. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, është lutur tre herë për ata që i qethin flokët, ndërsa një herë për ata që i shkurtojnë ato.[2]
Ndërsa sa i përket femrës ajo nuk i rruan flokët, por duhet t’i shkurtojë vetëm pak.
Me këtë plotësohet Umreja, duke falënderuar robi Allahun e Lartësuar për përfundimin e saj, duke shpresuar nga Ai t’ia plotësojë edhe shpërblimin dhe t’i shlyejë mëkatet e tij.
Ndalesa e tretë:
Umreja në Ramazan ka një vlerë të madhe dhe pozitë të lartë. Në hadith të vërtetë është transmetuar se një grua nga ensarët erdhi tek i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, e cila nuk pati mundësi të bëjë haxhillëk me të, kurse Pejgamberi i Allahut i tha:
“Kur të vijë muaji Ramazan, në të kryeje umren, sepse umreja në Ramazan është e barabartë me haxhin.”[3]
Ndërsa në transmetimin e Ahmedit thuhet:
“Umreja gjatë Ramazanit vlen sa haxhi me mua.”[4], përkatësisht me të Dërguarin e Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të. Qëllimi i kësaj është – Allahu e di më së miri – se Umreja është e barabartë me haxhin në shpërblim, në të ka lartësim të adhurimeve të Allahut dhe lë ndikim te njeriu.
Nëse haxhillëku i pranuar, shpërblimi i tij është xheneti, nëse kthehet e nuk flet fjalë të pahijshme e nuk bën mëkate, kthehet me mëkate të falura sikur atë ditë që e ka lindur nëna e tij, atëherë ai që e kryen Umren në Ramazan sinqerisht dhe të pranuar, atëherë ai arrin të njëjtin shpërblim, ndërsa mirësia e Allahut është edhe më e madhe dhe dhuntitë e Tij nuk mbarojnë.
Besimtarët e suksesshëm nga robërit e Allahut e kanë kuptuar këtë fitim të madh, ndaj, në këtë muaj shtohet numri i atyre që kryejnë këtë adhurim, duke bashkuar vlerën e kohës dhe të vendit. Allahu mos i privoftë nga shpërblimi dhe sevapi.
Ndalesa e katërt:
Vërtet,ky adhurim i lehtë e me shpërblim të madh, meritohet të meditohet nga çdokush që e kryen atë, duke e ndier vlerën e tij si dhe duke i kuptuar mirë veprimet dhe aktet e tij. Umreja është adhurim i ngritur thjesht mbi nënshtrimin ndaj Allahut të Lartësuar. Umeri, kënaqësia e Allahut qoftë me të, ka ardhur te Haxheru-l-Esvedi, e ka puthur dhe ka thënë: “Unë me siguri e di se ti je gur që nuk bën as dëm as dobi, dhe sikur të mos e kisha parë të Dërguarin e Allahut që po të puth, as unë nuk do ta kisha bërë këtë.”[5]
Ndaj, motivi për të kryer këtë vepër është ndjekja dhe marrja model e të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të.
Ai që e kryen Umren pa ditur urtësitë e saj ose e kryen atë me nijetin të përzier me kryelartësi, dyfaqësi e të ngjashme me këto, ose i kryen lëvizjet pa nënshtrim ndaj Allahut, i përsërit lutjet pa meditim, i tilli nuk ka përfituar nga Umreja e tij, nuk shfaqen gjurmët e saj tek ai. Kjo, – fatkeqësisht – është gjendja e shumicës së njerëzve. A thua, a ka ndonjë ndalesë me vetveten që të plotësohet neglizhenca, të pendohet për atë që ka ikur dhe të kryhet Umreja me zemër dhe me gjymtyrë bashkërisht?
Ndalesa e pestë:
Praktika e atyre që kryejnë Umren, e shëmtojnë veprimet, të cilat e nxjerrin atë nga suazat e saj për të cilën është përligjur si dhe praktikuesin e saj e shtyjnë në gabime.
Sigurisht, që neglizhenca në kryerjen e adhurimit, moskuptimi i saj, mospyetja rreth asaj që nuk di, ose pyetja e çdokujt që gjendet pranë tij se kinse është prej të dijshmëve, të gjitha këto konsiderohen kokat e gabimeve, të cilat i ushtrojnë shumë prej atyre që e kryejnë këtë adhurim. Adhurimi, nuk do të jetë i pranueshëm, përveç se nëse është i sinqertë për hir të Allahut të Lartësuar si dhe të praktikuarit në të e udhëzimit të Pejgamberit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të.
Kush mendon se Umreja nuk plotësohet përveç se me të qëndruarit në Mekë për një periudhë të caktuar, duke shoqëruar në këtë udhëtim edhe familjen e tij, djem e vajza, ndërsa ai angazhohet në kryerjen e adhurimit e nuk preokupohet dhe nuk i ndjek sjelljet dhe veprimet e tyre brenda dhe jashtë Qabesë, i tilli gabon në radhë të parë në veten e tij, familjen e tij dhe i ekspozohet mëkatit dhe gjynahut.
S’ka dyshim se të qëndruarit në Shtëpinë e Shenjtë të Allahut, me qëllim të namazit, të leximit dhe dëgjimit të ligjëratave të dijetarëve konsiderohen prej veprave që të afrojnë tek Allahu i Lartësuar, namazi në të e ka shpërblimin sikur njëqind mijë namaze nga vendet e tjera, mirëpo duhet të mos shkaktojë kjo ndonjë defekt në ndonjë aspekt tjetër, mos ta humbasë gjatë këtij adhurimi familjen dhe fëmijët. Gruaja muslimane le ta dijë se namazi i saj në shtëpi ka shumëfishin e shpërblimeve, madje ai konsiderohet më i vlefshëm për të, por nëse del në Qabe le të dalë me edukatën e daljes: Mos stolisje dhe mos parfumim si dhe zbatimin e veshjes islame.
Dije – vëllai im musliman – se për Shtëpinë e Shenjtë dhe oborret e saj duhet të kihet edukatë e lartë, si respektimi, vlerësimi, autoriteti dhe dinjiteti më shumë se çdo vend tjetër.
Neglizhenca e atyre që qëndrojnë në të, si zhurmat e bezdisshme, thashethemet, thyerjet e ligjit gjatë të ushqyerit dhe pijes, neglizhenca ndaj fëmijëve si dhe veprime të tjera, të cilat i bëjnë disa prej atyre që qëndrojnë aty, si moskujdesi për këtë Shtëpi të Shenjtë, kam frikë se e tërë kjo mund të futet në fjalën e Allahut të Lartësuar, i Cili thotë:
“Ata që synojnë ta përdhosin (Xhaminë), me të keqe, Ne do t’i bëjmë të shijojnë dënim të dhembshëm.” (Haxhxh, 25)
Ndaj, muslimani duhet të kujdeset për interesin e sheriatit në çdo situatë të tij, sjellje dhe veprim të tij.
E lus Allahun e Madhërishëm të na dhurojë kuptim për fenë e Tij, sinqeritet në fjalë dhe vepra, të na dhurojë falje, dhe shpëtim të vazhdueshëm në fe, në këtë botë dhe në botën tjetër, Ai është Dëgjuesi, Pranuesi i lutjeve dhe Atij i kërkohet ndihma!
Autor: Dr. Falih Muhamed es-Sugajr
Përgatiti: Almedin Ejupi
/krenaria.com/
[1] Buhariu me Fet’h 3/597 nr. 1773. Muslimi, 2/983 nr. 1349.
[2] Buhariu, 3/561 nr. 1727. Muslimi, 2/945 nr. 1301.
[3] Buhariu 3/603 nr. 1782. Muslimi, 2/917 nr. 1256.
[4] Ahmedi, 1/308. Ibën Maxhe, 2/996 nr. 2993.
[5] Buhariu me Fet’h, 3/471 nr. 1605. Muslimi 2/925 nr. 1270.
Kategoritë: Tema