10 C
Pristina
Friday, May 3, 2024

Gjuha

Më të lexuarat

Lavdërimi i takon Allahut të Lartësuar, i Cili na dalloi ndaj shumë krijesave të Tij. Atë e lavdëroj dhe e falënderoj për mirësinë dhe furnizimin e Tij. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për të zgjedhurin e Tij nga krijesat, Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.

Kjo kërkohet nga besimtari i vërtetë, shfrytëzimi i të gjitha mundësive dhe aftësive, të cilat u ka dhuruar Allahu i Lartësuar robërve të Vet. Prej këtyre dhuntive është edhe ky mjet i rrezikshëm, me të cilin është veçuar njeriu ndaj krijesave të tjera. Ky aparat i rëndësishëm, mjet efektiv, organ madhor, udhëheqës i gjymtyrëve të njeriut, Allahu i Madhërishëm e ka bërë dallues ndërmjet njeriut dhe kafshës, përmes saj njeriu shprehet për atë që dëshiron, e shfrytëzon në kërkimin e synimeve të tij, me të flet dhe me të thirr, lexon fjalët e Zotit të tij, me të e përkujton Zotin e tij, me të urdhëron për të mirë dhe ndalon nga e keqja, thërret në mirësi, i këshillon vëllezërit e tij myslimanë, i pajton ata ndërmjet tyre dhe me të shpreh opinionet dhe mendimet e  tij. Në ndalesat vijuese do të ndalemi me këtë mjet të rrezikshëm, duke medituar e përsiatur:

Ndalesa e parë:

Kur’ani Fisnik dhe Suneti Pejgamberik janë kujdesur për gjuhën me një kujdes të madh, që manifestohet në rëndësinë e shfrytëzimit të saj për në mirësi dhe rrugët e saj si dhe paralajmërimin nga përdorimi i saj në të dëmshmen dhe mjetet e saj.Allahu i Lartësuar duke sqaruar rëndësinë  e të folurit përmes së cilës njeriu shprehet thotë:

“Dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” (Kaf, 18)

Gjithashtu thotë:

“Ne do ta shënojmë atë që thanë.” (Ali Imran, 181)

Ndërsa sa i përket paralajmërimit nga shfrytëzimi i këtij mjeti në atë që nuk e di njeriu, Allahu i Lartësuar thotë:

“Ju përcillnit me gjuhët tuaja dhe flisnit me gojët tuaja diçka, për të cilën nuk kishit dijeni. Ju këtë e merrnit për gjë të lehtë, por para Allahut kjo ishte një shkelje e madhe.” (Nur, 15)

Allahu i Lartësuar duke sqaruar disa rrugë të mirësisë në të cilat duhet të shfrytëzohet gjuha thotë:

“S’ka kurrfarë të mire në shumë prej bisedave të tyre të fshehta, përveç rastit kur ndokush kërkon që të jepet sadaka ose të kryhet një vepër e mirë apo paqësim ndërmjet njerëzve. Atij që e bën këtë për të fituar kënaqësinë e Allahut, Ne do t’i japim një shpërblim të madh.” (Nisa, 114)

Fjala ka një peshë të madhe në fenë e Allahut, rëndësia e saj është e madhe, domethënia e saj është e gjerë. Transmetohet nga Ebu Hurejra, kënaqësia e Allahut qoftë me të, se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

“Vërtet njeriu me një fjalë të folur, për të cilën ai deklarohet (pa e menduar), mund të rrëshqasë drejt zjarrit më larg se distanca ndërmjet lindjes dhe perëndimit.”[1]

Me një transmetim tjetër thuhet:

“Vërtetë njeriu flet ndonjë fjalë pa u siguruar në atë që thotë, si pasojë zhytet për shkak të saj në zjarr shtatëdhjetë vjet.”[2]

Medito vëllai im musliman fjalën e të Dërguarit të Allahut “flet ndonjë fjalë pa u siguruar në atë që thotë” njihe madhështinë e kësaj begatie, obligimin e ruajtjes dhe kujdesit ndaj saj. Ndaj, mos fol përveç të vërtetës, përndryshe hesht, ashtu siç është transmetuar se i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, se ka thënë:

“Kush beson Allahun dhe Ditën e Fundit (Kijametin), le të flet mirë ose le të hesht.”[3]

Shënon imam Ahmedi dhe të tjerët se Muadh bin Xhebeli, kënaqësia e Allahut qoftë me të, në hadithin e gjatë, erdhi te i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, dhe i tha:

“Më trego se cila është vepra që më së shumti i fut njerëzit në xhenet dhe i largon ata nga zjarri. E lajmëroi atë i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, për kreun, shtyllën dhe piedestalin e saj, pastaj tha: “A dëshiron të të lajmëroj për atë që është më e mirë se të gjitha këto?” I thashë: “Sigurisht, o i Dërguar i Allahut”. Atëherë ai kapi me dorë gjuhën e tij dhe tha: “Mbaje këtë!” I thashë: “O i Dërguar i Allahut, vallë do të merren në konsideratë ato që nxjerrin gjuhët tona?” Pejgamberi ia ktheu: “Të pastë nëna, o Muadh! Po mos vallë i hedh njerëzit me fytyra për në zjarr veç asaj që kanë korrur gjuhët e tyre?”[4] Transmeton Tirmidhiu, i cili thotë se ky hadith është hasen sahih.

Ndalesa e dytë:

Gjeneratat e para – Allahu i mëshiroftë – kuptuan madhështinë e këtij mjeti dhe rëndësinë e tij dhe u kujdesen për të me kujdes të vërtetë, e shfrytëzuan atë aty ku duhet shfrytëzuar, u frikësuan nga defektet e gjuhës që të mos i çonin në shkatërrim.

Ibën Abasi, kënaqësia e Allahut qoftë me të dytë, e merrte gjuhën e tij dhe thoshte: “Mjerë për ty! Thuaje të mirën do të fitosh, ose hesht nga e keqja do të shpëtosh, përndryshe dije se do të pendohesh” I është thënë atij: “Përse po e thua këtë?” Ai tha: “Më është përcjellë se nuk ka gjë më shumë për të cilën do të zemërohet njeriu në Ditën e Gjykimit sesa për gjuhën e tij, përveç nëse ka folur mirë ose e ka mbushur atë me të mira.”

Umer bin el-Hatabi, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Kush flet shumë gabon shumë, kush gabon shumë mëkaton shumë, ndërsa kush mëkaton shumë zjarri është më afër tij.”

Ne i kemi ata model dhe shëmbëlltyrë në kontrollimin e gjuhës. Le ta peshojmë fjalën me një peshojë të imtësuar, në mënyrë që nëse del të jetë në vendin e saj.

Ndalesa e tretë:

Njeriu mund të ndodhë që të pendohet kur hesht, mirëpo pendimi do të jetë edhe më i madh atëherë kur flet me ndonjë fjalë për të cilën do t’i vjen keq, si ndonjë fjalë e kotë dhe e pahijshme.

Peshoji fjalët kur të flet e mos u bë llafazan

Nëse jam penduar për heshtjen time njëherë, atëherë për të folurit jam penduar shumë herë

Për këtë shkak Allahu na ka paralajmëruar nga zhytja në të kotën me format dhe llojet e saj, ndërsa në krye të këtyre qëndron: Të tallurit me Allahun e Madhërishëm, ose me të Dërguarin e Tij, ose me fenë dhe mësimet e saj, ose me dijetarët. Allahu i Lartësuar duke sqaruar mohimin (kufrin) e atyre që tallen me fenë dhe pasuesit e saj, thotë:

“Hipokritët druajnë se do të shpallet ndonjë sure, e cila do t’i lajmërojë se ç’ka në zemrat e tyre. Thuaj: “Talluni po deshët! Allahu sigurisht që do ta nxjerrë në pah atë së cilës ju i druheni”. Nëse i pyet, ata do të të përgjigjen: “Ne vetëm po bënim shaka dhe po luanim”. Thuaj: “A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni?” Mos u shfajësoni! Ju e mohuat fenë, pasi patët besuar. Nëse Ne i falim disa prej jush (për shkak se u penduan), do t’i ndëshkojmë të tjerët, ngase janë fajtorë (nuk u penduan për talljen që bënë)“(Tevbe, 64-66)

Prej gjërave të kota dhe dërdëlliste janë edhe: Të tallurit me njerëzit dhe përqeshja e tyre në përgjithësi, të folurit rreth nderit të tyre, përgojimi dhe bartja e fjalëve, të folurit e fjalëve të pahijshme, të mashtruarit e tyre dhe gënjeshtra ndaj tyre, sharja e tyre, dashuria e përhapjes së të keqes në mesin e tyre, të hulumtuarit e të metave të tyre dhe të tallurit me to, nënçmimi i tyre etj. Ska dyshim se të gjitha këto konsiderohen sëmundje të rrezikshme në të cilat bie gjuha dhe shkatërron. Transmeton Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:

“Mos i dëmtoni robërit e Allahut, mos i turpëroni ata dhe mos i kërkoni t’ia zbuloni të metat e tyre, ngase kush ia zbulon të metat vëllait  musliman, atëherë Allahu do t’ia zbulojë të metat atij deri në atë masë sa do ta poshtërojë në shtëpinë e tij.”[5]

Allahu e mëshiroftë atë që ka thënë:

 

Mos e lërë gjuhën të përmend turpin e tjetrit

Sepse ju vetë jeni mbuluar nga turpi dhe të gjithë njerëzit kanë gjuhë

Nëse sytë tuaj bijnë në mëkatet e vëllait tënd

Mbuloji ata dhe thuaj: O syri im të gjithë njerëzit kanë sy.

Ndalesa e katërt:

Vërtet, prej argumenteve të suksesit dhe përsosmërisë së muslimanit është që ta nënshtrojë këtë mjet efektiv dhe ta drejtojë të folurit e tij në atë që i shërben interesit të tij, familjes së tij, shoqërisë dhe ta shërbejë fenë e tij, ngase të thirrurit për në mirësi, në përmirësim ndërmjet njerëzve, në udhëzimin dhe drejtimin drejt vlerave, udhëzimi i njerëzve drejt asaj që u sjell dobi atyre, këshilla e  myslimanëve dhe përmirësimi i sjelljeve të tyre drejtpërdrejt me fjalë ose përmes këshillës së përgjithshme me libër, radios ose gazetës nuk bëhet ndryshe përveç se përmes kësaj fjale të shqiptuar ose të shkruar. Allahu i Lartësuar thotë:

“E kush flet më bukur se ai që i fton njerëzit drejt Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: “Unë, me të vërtetë jam musliman.”(Fussilet, 33)

Njëherazi robi nuk i afrohet Allahut të Lartësuar me të përmendurit dhe lexim me lartësim dhe lavdërim përveç se përmes kësaj fjale. Allahu i Lartësuar duke i përshkruar robërit e Tij besimtarë thotë:

“Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre, të cilët shmangen nga fjalët e kota, të cilët japin zeqatin.” (Muminun, 1-4)

Gjithashtu thotë:

“Dhe, kur dëgjojnë ndonjë marrëzi, i shmangen asaj, duke thënë: “Ne kemi veprat tona, ndërsa ju keni veprat tuaja! Paqja qoftë me ju! Ne nuk duam shoqëri me të paditurit.” (Kasas, 55)

Ndalesa e pestë:

Nëse e hedh shikimin në realitetin e shumicës prej nesh, është shkatërrues përdorimi i kësaj gjuhe në biseda të kota. A nuk të frikëson fakti vëllai im musliman të gjesh shumë tregime të publikuara, shumë fjalë të përhapura, biseda gjatë ndejave, përgojim dhe bartje të fjalëve, sharje dhe përçarje e gjëra të tjera të ndaluara?

A nuk frikësohet ai që shkruan fjalë me të cilat i bën të devijojnë robërit e Allahut në libër ose gazetë ose revistë? A nuk frikësohet ai që e mbush ndejën e tij me përdhosjen e nderit të filanit e të filanit? E lëre më nëse i përfoluri është prej të dijshmëve dhe prej burrave të sinqertë!

A nuk frikësohet kush gënjen, mashtron dhe merret me shpifje dhe trillime? A nuk frikësohen ata dhe të ngjashëm me ta se kjo fjalë të cilën e shqiptuan mund t’i fusë në zjarr shtatëdhjetë vite? Le të meditojnë të tillët dhe të tjerët fjalën e Allahut të Plotfuqishëm i Cili thotë:

“Dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).” (Kaf, 18)

Gjithashtu fjalën e Tij:

“Ne do ta shënojmë atë që thanë.” (Ali Imran, 181)

O ju muslimanë të nderuar!

Vërtet, prej mashtrimeve të pahijshme është që njeriu të mos e bëjë këtë mjet ndihmës për nënshtrim dhe bindje ndaj Allahut të Lartësuar, ndihmës për arritjen e të mirave, fitimin e shpërblimeve, ngritjen e shkallëve, përderisa Ramazani – është muaji i llogarisë dhe kthimit tek Allahu – ia vlen për muslimanin që të ndalet në të me këtë mjet, që të mendojë rreth gjendjes së tij, ta llogarisë vetveten, është muaji i Kur’anit, i të përmendurit të Allahut, i lutjes, i thirrjes dhe i përmirësimit.

Allahu na bëftë prej atyre që gjymtyrët do të na dëshmojnë për ne në Ditën e Gjykimit, e jo kundër nesh. Atë e lus të na jep sinqeritet në fjalë dhe në vepra, të na falë dhe të na shpëtojë gjithnjë në fe, në këtë botë dhe në botën tjetër. Ai është Dëgjuesi, Pranuesi i lutjeve dhe Atij i kërkohet ndihma.

Autor: Dr. Falih Muhamed es-Sugajr

Përgatiti: Almedin Ejupi

/krenaria.com/


[1] Buhariu nr. 6477. Muslimi nr. 2977.

[2] Tirmidhiu, 2314. Ibën Maxhe, 3970.

[3] Buhariu, nr. 6135. Muslimi, 1/69 nr. 48.

[4] Ahmedi, 5/231. Tirmidhiu, 5/13 nr. 2616. Ibën Maxhe, 2/1315 nr. 3973.

[5] Imam Ahmedi në Musned, 5/279.

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit