3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Ukraina i bën thirrje NATO-s që të ketë sanksione të gatshme për të penguar sulmin ushtarak të Rusisë në këtë rajon

Më të lexuarat

Ukraina i ka kërkuar Aleancës Veri-Atlantike të përgatisë sanksione ekonomike ndaj Rusisë dhe të forcojë bashkëpunimin ushtarak me Kievin, ndërsa vendi iu bashkua aleancës perëndimore për bisedime rreth mënyrës sesi të pengonte Rusinë nga një sulm i rinovuar pasi ajo grumbulloi trupat ushtarake afër vendit.

Ukraina, një ish-republikë sovjetike që tani aspiron të bashkohet me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, është kthyer në një pikë të mundshme ndezjeje midis Rusisë dhe Perëndimit pasi marrëdhëniet janë përkeqësuar në nivelin e tyre më të keq në tre dekadat që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.

“Ne do t’u bëjmë thirrje aleatëve që t’i bashkohen Ukrainës për të krijuar një paketë parandaluese”, u tha gazetarëve ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba gjatë takimit me homologët e tij të NATO-s në Riga.

Si pjesë e kësaj pakete, NATO duhet të përgatisë sanksione ekonomike kundër Rusisë në rast se ajo “vendos të zgjedhë skenarin më të keq”, shprehet ai, duke shtuar se aleanca gjithashtu duhet të rrisë bashkëpunimin ushtarak dhe të mbrojtjes me Ukrainën.

“Ne kemi besim se nëse bashkojmë përpjekjet, nëse veprojmë në një mënyrë të koordinuar, do të jemi në gjendje ta pengojmë presidentin Putin dhe ta demotivojmë atë nga zgjedhja e skenarit më të keq, që është një operacion ushtarak”, deklaroi Kuleba.

Ministri i Jashtëm danez Jeppe Kofod u tha gazetarëve pas mbërritjes në seancën e NATO-s se çdo operacion ushtarak që do të shkelte sovranitetin e Ukrainës do të përballej me “pasoja të rënda” dhe se Danimarka ishte e gatshme të angazhohej me sanksione “të rënda”.

Komentet e tij u bënë jehonë atyre të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara, të cilët të martën lëshuan paralajmërime të rrepta për Rusinë se do të paguante një çmim të lartë për çdo agresion të ri ushtarak kundër Ukrainës.

Kremlini aneksoi gadishullin e Krimesë të Detit të Zi nga Ukraina në vitin 2014 dhe më pas mbështeti rebelët që luftonin kundër trupave qeveritare në lindje të vendit. Konflikti ka vrarë mbi 13 mijë njerëz.

Kuleba paralajmëroi gjithashtu kundër një njohjeje të Krimesë nga Bjellorusia, një aleat i ngushtë i Rusisë, pasi udhëheqësi bjellorus Alexandar Lukashenko tha se Gadishulli i Krimesë ishte ligjërisht territor rus, raportoi agjencia e lajmeve RIA, në një ndryshim të qëndrimit të tij publik.

“Njohja e mundshme e Krimesë së pushtuar nga Bjellorusia do të jetë një pikë pa kthim në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe ne do të veprojmë përkatësisht. Sepse për ne, Krimea nuk është një fushë për kompromise”, ka përfunduar Kuleba. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit