Ministri Skënder Hyseni, sipas rrëfimit të Ukë Rugovës, kishte shfrytëzuar autoritetin e tij që anëtarët e familjes Rugova të mos jenë ngjashëm të barabartë me qytetarët tjerë të vendit.
Nga pozita e kryediplomatit kishte folur me ish-ambasadorin italian, Michael Giffoni në mënyrë që anëtarët e familjes presidenciale të privilegjoheshin në dhënien e vizave, duke anashkaluar caktimin e termineve dhe pritjen në sportelet e departamentit të vizave në Ambasadën Italiane në Prishtinë.
Ishte viti 2009 kur Ukë Rugova ishte kthyer nga Amerika. Po bëheshin tri vjet që nga vdekja e babait të tij, ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Anëtarëve të familjes i duheshin vizat, por kontaktet e krijuara sa ishte gjallë presidenti, tashmë kishin humbur.
Ukë Rugova po bënte përpjekje për t’i rikrijuar ato.
Kishte takuar Skënder Hysenin, atëkohë ministër i Punëve të Jashtme.
“Aso kohe unë e takova Ministrin e Punëve të Jashtme Skender Hysenin, bashkë me vëllain tim Mendimin, dhe miqësisht i kërkuam Ministrit të na siguronte një kontakt me të cilin mund të flisnim lidhur me nevojat tona familjare”, tregonte Rugova para hetuesve të EULEX-it.
Hyseni ua kishte rekomanduar një emër.
Ishte ambasadori i Italisë në Kosovë, Michale Giffoni.
“Ministri Hyseni na sugjeroj që të caktonim një takim me Giffonin dhe kur unë dhe vëllai im shkuam ta takonim Giffonin e pamë se kishim përballë një shok shumë të mirë të babait tonë i cili tregoj gatishmëri të lartë për të na ndihmuar në atë aspekt. Zt. Giffoni kishte shumë njohuri mbi realitetin në Kosovë”, pohonte Ukë Rugova para hetuesve të EULEX-it.
Skënder Hyseni në vitin 2009 mbante postin e ministrit të Punëve të Jashtëm. Aktualisht mban atë të ministrit për Punë të Brendshme.
Hyseni është pyetur nga Insajderi lidhur me deklarimin e Ukë Rugovës para hetuesisë. Ende nuk ka dhënë përgjigje lidhur me pohimet e Rugovës.
Giffoni i kishte pritur mirë djemtë e Ibrahim Rugovës në takimin e zhvilluar në vitin 2009.
Kërkesa e tyre ishte pranuar. U kishte thënë se ambasada po aplikonte një politikë preferenciale për viza për figurat publike. U kishte thënë se shumë shpejtë një zyrtar të ambasadës do ta ngarkonte me punë shtesë, që ishte gatishmëria për t’u marrë me kërkesat e familjes presidenciale.
Kishte caktuar Florian Petanin, tregon Rugova.
“Pas disa ditësh ai (Giffoni) më thirri në telefon dhe më informoj se më duhej të kontaktoja me Zt. Florian Petani. Ky person ishte caktuar nga vet Ambasadori Giffoni për të kontaktuar me familjen time lidhur me vizat. Në rast se Ambasadori Giffoni nuk ishte i pranishëm atëherë dokumentet dorëzoheshin te Zt. Petani”, thoshte Rugova.
Pas atij takimi të zhvilluar më 2009, Mendimi, djali tjetër i ish-presidentit Rugova, nuk kishte vazhduar relacionet miqësore me ish-ambasadorin italian.
Ishte Uka që vazhdoi relacionin miqësor me Giffonin.
Por, relacioni miqësor mes këtyre të dyve ishte zhvilluar aq shumë sa që kishte rrëshqitur në krijimin e një grupi të madh të dyshuar kriminal.
Për këtë arsye Giffoni edhe ishte shkarkuar nga pozita e ambasadorit nga Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë. Mbi të rëndon akuza se ka krijuar një kanal preferencial për Ukë Rugovën, duke ia mundësuar që njerëzit e afërt të tij të pajiseshin me viza duke anashkaluar departamentin e vizave.
Krijimi i këtij kanali preferencial, sipas autoriteteve italiane, ka mundësuar më pas krijimin e grupit të akuzuar kriminal.
Rugova: Skënder Hyseni ndihmonte për viza edhe në kohën e babait
I biri i ish-presidentit Rugova kishte përmendur Skënder Hysenin edhe njëherë tjetër gjatë intervistimit nga hetuesit e EULEX-it. Këtë e kishte bërë kur ishte pyetur për letër-garancitë në emër të familjes Rugova që ia dërgonte ish-ambasadorit italian, Michael Giffon.
Ukë Rugova kishte pohuar se praktika e dërgimit të letër-garancive aplikohej që nga viti 1990, në kohën e babait të tij.
Sipas tij, ishte një formë standarde që Zyra e Presidentit garantonte për të afërmit dhe bashkëpunëtorët e partisë dhe të Presidentit.
Ai tregonte për njerëzit që atëkohë merreshin me vizat. Ka përmendur Edita Tahirin e Alush Gashin, që të dy asokohe pjesë e seksionit të LDK-së për marrëdhënie me jashtë.